Sami Repishti: Heshtja, rrezik i përsëritjes të së kaluarës”

sami_repishti

Në datat 16 deri më 23 nëntor 2017, te Muzeu Historik Kombëtar, në Tiranë, u mbajt edicioni i 2-të i aktivitetit DITËT E KUJTESËS, nën moton e njohur “Kujtesa si mision“.

Interesante në hapjen e kësaj ngjarjeje ishte përshëndetja e intelektualit disident Prof. Dr. Sami Repishti, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Historiani tashmë 93-vjeçar, i përndjekur gjatë periudhës së komunizmit, përmes një letre të gjatë të cilën e lexoi mbesa e tij Ardita Repishti, theksoi se “sot na duhet të luftojmë harresën sepse jemi të bindur se heshtja përfaqëson rrezikun më të madh të përsëritjes së tmerrit të kaluar.”

Më poshtë letra e Prof. Dr. Sami Repishtit:

16 Nandor 2017

Përshëndetje

 

Dr. Jonila Godole, Drejtoreshë e IDMK

Të nderuem diplomatë dhe miq të Shqipërisë

Motra , vllazën!

Sot, jam i privilegjuem që më jepet mundësia me shprehë disa mendime të mia rreth nji problemi thelbësor të shoqënisë sonë shqiptare: problemin e “harresës” të nji së kaluemje shumë të hidhët në nji kohë jo të largët, problem që ka nda popullin tonë, akoma të plagosun randë nga vuejtje të papërshkrueshme të pësueme gjatë viteve të terrorit komunist.

Jam dakord me thanjen e të ndjerit Argjipeshkv, Imzot Rrok Mirdita, se “… edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk do të ketë një themel të shëndosh përparimi kombëtar për sa kohë që nuk do të ketë nji proces purifikimi të guximshëm të vetëdijes historike; një ndërgjegjsim individual e kolektiv i shqiptarëve, i identitetit të tyre si popull dhe si njësi e organizuar në shtet të pavarur…” Menjifjalë, duhet të tejkalojmë pengesat që trashëguam nga e kaluemja jo e largët, me ndërtimin e nji Shqipërie pa komplekse, të lirë dhe dinjitoze.

Pakë ditë ma parë, lexova në mediat gjermane lajmin se nji grup prokurorësh gjermanë po përgatisin listat e nazistëve, ish roje të kampeve të çfarosjes, megjithëse kanë kalue 70 vjet; ma riu ashtë 87 vjeçar, ma plaku 96,” … sepse kishin dijeni për tmerrin e vrasjeve të organizueme në masë, dhe e dinin se të burgosunit, të cilët përballeshin me fatin e tyne, si të pafajshëm dhe pa mbrojtje, vriteshin për arsyet ma shnjerëzore që mund të imagjinohen;… si pjesëtarë të grupit të rojeve të burgut ata kanë kontribue në ekzekutime…tue ditë mirë se ç’ndodhte, dhe me vullnet kanë mbështetë këto akte barbare…”.

Le të shtrojmë nji pyetje për të gjithë: Supozojmë se kriminelët fashistë, nazistë dhe komunistë kanë persekutue, arrestue, burgosë dhe ekzekutue pjestarë të familjes suej. “Fajtori” smuret; para se vdes dëshiron të ju takoj, e kërkon falje nga ju për krimet e kryeme kundër të gjithë “reaksionarëve”. Cila ashtë përgjigja e juej? A keni ju të drejtë me falë kriminelin në emën të viktimave? Nji izraelit viktimë, Simon Wiezenthal, në nji situatë të këtill, refuzoi!

Kjo ashtë nji pyetje njikohësisht fetare, politike, morale, dhe sidomos personale. Mendoni mbi enormitetin e krimit të kryem dhe për rrjedhimet e aktit tuej. Në nji rast të këtill ekstrem, ashtë falja e fajit nji opsion për ne që mbijetuem? Cili do të ishte reagimi i viktimës së vdekun? Klasa të tana të popullsisë kane qenë objekt sulmi, e çfarosje fizike nga rregjimet kriminale: në Shqipëri, kleri katolik shqiptar dhe intelektualët e formuem në universitetet perëndimor u çfarosën!

Simon Wiesenthal, ndjeksi ma kambëngulës i kriminelëve nazistë, në korrik 1995, i shkruente Presidentit W.J.Clinton: “Ngjarjet në Bosnje, ashtu si na paraqiten nga shtypi këto ditë, me të gjithë krimet serbe kundër njerëzimit – pastrimin etnik, therjen si kafshë të popullsisë civile të të gjitha moshëve, dhunimin masiv të grave myslimane – nëse nuk përbajnë Holokaust, janë përsëritje e shumë nga krimet e tij… Unë besoj se dënimi i fajtorit do të baj efektin e vet. SHBA kanë mundësi… me ba publike të gjitha krimet që janë krye, që ata të mos kalojnë në harresë, dhe kriminelët të mos i shpëtojnë dënimit…”

Randësia e demaskimit dhe informimit publik të personave dhe krimeve ashtë e padiskutueshme. Ashtu si ashtë e padiskutueshme randësia e “kujtesës” dhe përbuzëja e “harresës”. Si mund të vendoset paqa sociale në mes të kriminelit dhe viktimës, marrëdhanjet e maparëshme, nji jetë “normale”, në nji botë ku kujtimet e llahtarisë diktatoriale janë aq të thella? “Nuk due të dal nga burgu” më thonte nji koleg, “tre vllazën të vramë dhe dy të burgosun… U shue familja e ime!”

Si mund të pranojmë që akoma sot kriminelët të rikujtojnë me nostalgji rregjimin e krimit, vazhdojnë “dënimin” e viktimave, mbrojnë aktin kriminel të tyne ose të prindëve të tyne, e që sot përkrahin lëvizje politike që duen kthimin e rregjimit të “hurit e të litarit” dhe e justifikojnë me shprehje se “koha”, kjo e panjohun që nuk lejon pushim për meditim, shlyen kujtesën tonë sot pjesërisht, dhe për brezënitë e ardhme, totalisht?

Nji fat i përbashkët na bani të gjithëve të barabartë… (por jo bashkëfajtorë!) Kjo gjendje nuk u pranue nga komunistët, as edhe kur ne vdisshim e varroseshim në burgje e kampe pune çfarosje. Para nji situate të këtillë, si mund të mendoj viktima se Zoti na ka krijue të gjithëve të barabartë? Si ashtë e mundun që të gjithë, viktima e kriminelë jemi krijue nga e njajta “baltë”? Krimineli nuk mund të jetë vëlla e motër e ime…; përndryshe, nuk ekziston krimi mbi tokë, as pafajsia e plotë! Sepse ashtë e pamundun për viktimën me besue në Krijuesin kur gjysma refuzon me pranue gjysmën tjetër- si njeri me të drejta të barabarta, dhe ecën kështu në vazhdën e krimit pa bremje ndërgjegje. Duket sikur Zoti ashtë në vakanca…!

Gjatë viteve të burgimit tim dridhesha nga ideja e vdekjes, e varrosjes pa ceremoni, në nji gropë plot baltë, vetëm ose me viktima tjerë si unë. Pa lule! Pa lutje! Pa dritë që ndritë errësinën time të përjetëshme, dhe si thotë poeti: “Pa flutura shumëngjyrëshe që vallëzojnë rreth vorrit tim të frikshëm…”!

Jetojmë në ditë të vështira, dhe kjo më frikëson! Jetojmë në nji botë ku në shumë vende pakicat shtypëse sundojnë me egërsi për arsye të shumicës së frikësueme dhe inaktive. Kjo shumicë pa inisiativë, me shpirtin e vramë dhe zemrën e coptueme, ka vetëm nji dëshirë: me vdekë në paqë. Ideja e kundërshtimit, e revoltës, e hakmarrjes ka vdekë para vdekjes së “viktimës”… sot kufoma që lëvizin pa synim, pa qellim, banorë të nji jete që ka humbë kuptimin.

Problemi i përgjegjsisë së gjithë “atyne” që përkrahën dhe mbajtën rregjimin komunist në kambë nuk do të zgjidhet ndoshta asnjiherë në vendin tonë, sepse “atyne” u mungon aftësia me kuptue dekadencën morale ku kanë ra, me kuptue përpjestimet frikësuese të shtypjes që mbretnoi. Shumica prej “atyne” kufizohen tue përsëritë: “ashtu ka qenë koha”, “kështu bajnë të gjithë” fraza të preferueme të turmave të patru… ose “unë zbatoi ligjin”, “ç’të thotë ligji…” – edhe kur vriten të pafajshmit e zhduken pa gjurmë (sic!).

Megjithate, nji gja ashtë e sigurtë: asnjeni prej “atyne” që ndihmuen vullnetarisht- ose u detyruen me u bindë- nuk do të jetë në gjendje me “shkundë” përgjegjsinë për qendrimin e tyne gjatë periudhës 45-vjeçare të terrorit të organizuem me mjete shkencore. Edhe në qoftë se nuk ashtë “fajtor”, ai/ajo duhet të ndiej veten të turpnuem… Viktimët e persekutimeve komuniste duhet të qendrojnë larg nga këto elementë mjeranë që kanë humbë humanitetin e tyne, solidaritetin natyral me qeniet njerëzore në ditët e vështira. Kështu ka qenë me fashistët, me nazistët dhe kështu ashtë edhe për komunistët. Nuk duhet të harrojmë!

“Harresa” e krimeve të kryeme ashtë nji fenomen që vetëm koha mbulon, edhe të kaluemen tonë, pa mëshirë! Mbetet gjykimi i aktit, dhe mundësia e faljes se tij. Falja e aktit ashtë nji gjest vullnetar vetëm për vuejtësit e krimit, kategoria e vetme dhe e privilegjueme, e aftë racionalisht dhe e paisun moralisht, me falë fajin. Vetëm vuejtësit e krimit kanë të drejtën me i përgjegjë kësaj pyetje, vetëm viktimët e së kaluemës së errtë. Kush tjetër ka autorizimin politik ose moral?

Asnji nuk ka të drejtë me falë në emën të viktimës, kur ai/ajo nuk ka pësue mbi kurriz tmerret e torturës që nuk durohen e që nuk mund të “harrohen”. As vetë “mbreti” i vendit të martirizuem…! Falja e fajit për ata që seriozisht e ndiejnë efektin e “fajit kolektiv” ashtë e mundun, megjithëse vula e turpit mbetet e pashlyeshme. Ashtë heshtja e tyne që i dënon!

Sot, na duhet të luftojmë “harresën” sepse jemi të bindun se heshtja përfaqson rrezikun ma të madh të përsëritjes së tmerrit të kaluem.

Sot, na duhet të luftojmë “harresën” sepse nuk duhet të lejojmë humbjen e aftësive tona me veprue të lirë në nji botë të lirë që mbrojtëm me aq shumë sakrifica.

Sot, “harresa” për ne ashtë abandonimi i autoritetit ligjor dhe moral të viktimës pa lejen e viktimës; puna e jonë duhet të zhvillohet në këte kontekst.

Viktimët e terrorit të kuq gjetën guxim të mjaftueshëm me përbuzë urrejtjen dhe pjellën e saj, hakmarrjen. Me këte qendrim, ata kanë fisnikërue qeniet e tyne dhe kanë dhanë nji shembull të shkelqyeshëm për historinë e popullit tonë. Ky gjest sublim mbeti pa përgjigje! Fatkeqsi!

Por “harresa” – dhe ndoshta edhe “falja e fajit” – nuk ashtë vetëm “personale”. Asnji nuk gëzon të drejtën me falë fajin në emën të nji viktime. Nuk duhet ta lejojmë. (Nji proverb francez thotë se na jemi shumë të fortë me durue fatkeqsitë e tjetrit). Ky ashtë nji imperativ kategorik i shoqënisë shqiptare, sidomos i viktimave. Sepse ajo diktaturë synonte seksione të mëdha të popullsisë me zhdukje fizike. Nji ferr që nuk u ftoh kurrë!

Randësia e gjykimit dhe dënimit të fajeve të këtilla ashtë e padiskutueshme. Këte nuk duhet të harrojmë, sepse “harresa” ban të mundun përsëritjen e së kaluemes nga mendje të deformueme e kundërshtarë të demokracisë në vendin tonë. Duhet folë, duhet tregue e përshkrue ferri komunist me të gjitha mjetet, por pa dhunë. Dhuna nuk ashtë arma e jonë; drejtësia, po!

Sot, ballafaqohemi me fazën e dytë të rindërtimit moral të jetës sonë në Shqipëri. Në fazën e parë kemi përbuzë urrejtjen e hakmarrjen. Sot, kemi shpresë se do të jetë e mundun me ba hapin e dytë: pajtimin në mes nesh. Sepse edhe na, viktimët, kemi nevojë për paqën tonë të humbun. Si mund të arrijmë këte pike kaq të vështirë? Ndoshta… në se jemi të bindun që “pajtimi” do të kthej elementin njerëzor tek ne, të gjithë ne, dhe vlerat tona etike.

Unë nuk kam arrijtë akoma plotësisht këte bindje. Prandej jetoj i shqetësuem, nuk harroj, dhe do të vazhdoi “me kujtue” deri në fund krimin komunist. Unë, ish i burgosuni, që përbuza urrejtjen e hakmarrjen…!

Falemnderit!

Postime të ngjashme