Shani: “Kam bërë gabime, por jo sa të isha spiun”

agjenti i amerikaneve

Dino Shani ishte një prej të arrestuarve në verën e vitit 1946 me akuzën si agjent i amerikanëve. Ai ishte përfshirë në historinë e famshme të Larry Post, një ushtarak i shërbimit sekret amerikan, shok shkolle me Mehmet Shehun në shkollën teknike të Harry Fultz dhe me një histori dramatike dhe misterioze pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Dokumenti që sjellim sot për lexuesit zbulon një fakt mjaft të rëndësishëm, që dëshmon se si kryheshin hetuesitë gjatë periudhës së regjimit komunist dhe se si përdorej tortura si mjet për të ngritur shpesh histori të paqena. Por para se të zbulojmë përmbajtjen e këtij dokumenti dhe historinë e Dino Shanit, sjellim me pak rradhë historinë e Larry Post, për të kuptuar edhe lidhjen e Dino Shanit me akuzat për agjenturë në shërbim të amerikanëve në vitet ’44-­‘46.

Larry Post në të vërtetë ishte pseudonimi i Llazar Papapostolit nga Ziçishti i Korçës. Ai kishte emigruar në Amerikë në vitin 1937. Ndërsa në vitin 1943 kishte marrë pjesë në O.S.S dhe ku edhe mori pseudonimin ”Larry“. Jeta tij do të merrte një rrjedhë tjetër, sapo ai vendosi të kthehej në Shqipëri në vitin 1944. Vetëm dy vjet më pas, momentin kur bota përfshihet nga Lufta e Ftohtë, ai izolohet, dënohet me dhjetë vjet burg, jeton i vetëm në qeli, kërcënohet e dhunohet, internohet, kurse Mehmet Shehu mban i vetmi kontakte të drejtpërdreja me të deri në fund të vitit 1974, ku dhe vdes në rrethana misterioze, ndërsa, zyrtarisht u publikua vdekje nga infarkti.

Pas arrestimit të Larry Post, po me akuzën si agjent i amerikanëve ishte arrestuar edhe Dino Shani, i cili në dokumentin që do të sjellim më poshtë, një letër drejtuar prokurorit të përgjithshëm të asaj periudhe Bedri Spahiut thotë se gjendej në atë rrethanë të vështirë pasi Larry Post e kishte ngarkuar me atë akuzë të pavërtetë. Përtej këtij fakti, që mund të ketë qënë i gjithi një kurth i hetuesve, rrëfimi i Dino shanit, dëshmon se ndaj tij ishin ushtruar tortura dhe kërcënime të shumta në hetuesi. Madje ai përmend edhe disa lloje torturash me të cilat e kishin kërcënuar dhe detyruar të pranonte për veten një fakt të pavërtetë, pra rolin dhe aktivitetin e tij si agjent i amerikaneve.

Ja dokumenti i plotë zbardhur sipas origjinalit që ruhet në AQSH:

1946

Letër e Dino Shanit drejtuar Bedri Spahiut lidhur me akuzat e bëra kundër Dinos nga Lary Post (Lazar ?) – 2 fletë. – Mendohet të jetë e datës pas korrikut 1946.

Nr.prov…

Prokurorit Përgjithshëm të Shtetit Gjeneral Major Bedri Spahiu

Bedri, Me anën e kësaj nuk dua të çfajsoi veten ose të kërkoi mëshirë por vetëm të të tregoi të vërtetën e thjeshtë se si qëndron çështja e jeme dhe t’ia lë ndërgjegjes tënde të më besosh ose të kesh pak dyshim se jam i sinqert reth ç’ka po të themë. Në bazë të një akuze të poshtër, e cila nuk ësht veçse një çpifje, të një njeriu si Lary Post (Lazar ?), u arestova dhe u futa në burg. Kur erdhi hetuesia u mundova t’u them sinqerisht se nuk e kisha bërë spiunin e shitur e amerikanve, se nuk e bënja kurrë këtë tradhëti ndaj atdheut dhe Pushtetit mbasi nuk kisha gjë kundra Pushtetit, pse nuk isha një biri i një krimineli të luftës, ndonjë i tatuar ose i prekur nga reforma agrare, ndonjë i pakënaqur ose i ngatruar me ndonjë parti kundërshtare ose keq financiarisht. Por hetuesia, duke i bezuar akuzës të së lart­përmëndurit, nuk deshi të më besojë, sado që lëshova një deklaratë të sinqertë se nuk e kisha bërë informatorin e amerikanve. Hetuesia më kërcënoi se do më torturonin duke përdorur rrahjen, lidhje në hekurat, korentin, kleçkat nëpër gishtat, nxjerjen e thonjve po qe se nuk thoshnja të vërtetën.

Nga ana tjatër më premtuan se do bashkëpunonja me ‘ta duke marrë informata nga Misioni amerikan dhe rethet reaksionare, për Pushtetin. Tani nga frika tmerri i këtyre torturave dhe me shpresë dhe besim të plot në fjalën që më dhanë kapiten Thomai dhe Toger Avniu se do bashkëpunonja me ‘ta (kështu që porsa të dilnja do vinja drejt tek tyja pë me t’a treguar çështjen e vërtetë, dhe për këtë mund të pyeç Kapiten Muçen të cilit i thash se porsa të dalë do vete të takohem me Bedriun. Ky më pyeti pse dhe nga frika se mos mëtorturonte reth ç’ka do të të thoshnja (të vërtetën) i thash do vete ta falënderoi, e pash veten të shtrënguar të fajsohem, duke thënë se qesh informator i Misionit amerikan, se mirnja 1000 franga në muaj. Por më e keqe është se akuzova 5 të tjerë, katër krejt të pa­fajshëm: Foni Vardhami, Misto Vardhami, një farë Xhafer (pemëshitës) dhe një farë Shyqri (djathshitës); kurse i pesti Stefan Caro pjesërisht i fajshëm d.m.th. ësht e vërtet se ka dashur të aratiset (siç e thoshte vetë) po kurrë nuk ka qenë informatori i jem, nuk i kam dhënë kurrë të holla, dhe as që e kam vënë në lidhje me misionin. Këtë e takova një herë në Janar në Dajti dhe të dytën herë më erdhi në shtëpi në muajin korrik bashk me Ilia Koton.

Të katër të parët pranuan se ishin informatorët e mijë dhe se merrnin të holla nga unë, në vijim të të njëjtit premtim që iu bë dhe atyre se do bashkëpunonin me Pushtetin si informatorë dhe mbasi më shpunë mua t’i bindnja se ky premtim ishte i vërtetë. Bedri, të betohem se janë krejt të pa­fajshëm, dhe akuza që u bëra atyre po ha pak­nga­pak mbasi nuk e kam ndërgjegjen të qetë. Sa për vete Bedri, mund të jem i fajshëm për simpathin që ndjenja ndaj popullit amerikan, për vajtjen t’ime në Mision (mbasi po pregatisnja një diksioner shqip­Inglisht dhe Inglishtshqip), për përkthimin e gazetave të cilin m’a kërkuan vet ata në se donja t’a bënja këtë punë, por jo se kam qënë informator i tyre, jo se kam marrë 1000 franga në muaj, mbasi ç’do rrogë që kam marrë ja kam dorzuar gruas, mbasi kështu e kam pas për zakon, prandaj pyete gruan në se i kam dhënë gjë të holla gjat kohës që kam qënë pa punë, prej 1 Kallnori 1945 dhe deri sa hyra të punoi në U.N.R.R.A më 8 gusht 1945, si dhe nëse I kam dërguar ndonjë grosh mbasi u pushova nga U.N.R.R.A më 8 Prill 1946 dhe deri sa fillova të përkthej gazetat më 1 Korrik 1946.

Bedri, besomë se kurrë nuk do t’a bënja një gjë të tillë edhe në se kam patur një simpathi për amerikanët, por një akuzë e poshtër e një personi më detyroi t’a fajsoi veten duke thënë se i kam dhënë Misionit informata ekonomike, politike dhe ushtarake. Nga frika e torturave e humba veten dhe thash ç’më erdhi në gojë, i tmerruar. Kjo akuzë më ësht bërë prej Lary Post pse nuk pranova të bëhesha informatori i tyre Bedri. Në Prill të 45 vet Lary Posti më tha takohemi jasht: Do të pendohesh një ditë Dino për mos pranimin e propozimit që të bëri Thoma Stefani. Thoma Stefani ka tentuar shumë herë të më bindëte, me agjitacion se informatat ishin në dobi të Shqipnis, po unë kurdoherë i jam pëgjegjur se nuk do t’a bënja kurrë një gjë të tillë. Kur hetusia më tha se akuzohesha si informator i Thoma Stefanit me pseudonim (që nuk mbaj mënt), shpresova se do më ballafaqonin me Lary Postin, kështu që do t’a nxirnja të vërtetën në shesh. Por mjerisht hetuesia nuk më ballafaqoi por përdori mënyrën e kërcënimit dhe premtimit duke më detyruar t’a fajsoi veten. Mund të kem bërë gabime por jo deri n’atë pikë sa të bëhem spiun.

Bedri besomë se thom të vërtetën. (firma) Nuk e kam besuar kurrë Bedri se një ditë do të detyrohesha të fajsoj veten për të shpëtuar nga torturat e tmerrshme. Por mjerisht kjo u vërtetua në vijim të një çpifjeje të bërë prej një njeriu të pa ndërgjegjshëm. U detyrova të marrë përsipër një njollë (spiun i amerikanve) pa e patur bërë as në ëndërr. Por të siguroi Bedri se edhe prej vet amerikanve dhe do lidhen marrëdhënie miqësore, mbasi pushteti ësht i popullit dhe po punon për popullin, dhe atëhere do të dali e drejta në shesh se kush ka qënë spiun, unë që vinja haptazi në Mision edhe duke ditur se gjurmohesha, apo të tjerët. Bedri, këtë të vërtetë hetuesia nuk deshi ta dëgjonte, por ti të paktën si burrë shteti, më beso se ësht e vërtetë. Ësht e vërtet se kisha simpathi për amerikanët, por kjo u kthye në urrejtje pse më bënë viktim të intrigës së tyre, dhe kur Toger Avniu më dha të firmonja një deklaratë, e firmova me gjith shpirt dhe sinqerisht pse do punonja me gjith fuqit e mija për Pushtetin mbasi e di veten të ndershëm. Bedri, po ia lë ndëgjegjes s’ate të më besosh në se thom të vërtetën apo jo. Dita do vijë kur e drejta do dali në shesh.

(firma)

Një histori e shkurtër mbi jetën e Larry Post

Lindur në Katundin Ziçisht – Bilisht, në maj 1915, i biri i Fotinisë dhe i Dhimitrit. Shkollën fillore e kryen në Ziçisht. Në vitin 1927–1930 punon në Tipografinë “CEKREZI” ­Tiranë. Në vitin 1930 merr bursë në shkollën Teknike Amerikane – Tiranë. Në vitin 1937 shkon në SHBA dhe regjistrohet në Universitetin “ILLINOIS” në degën e shkencave politiko–shoqërore. Diplomohet në qershor të vitit 1941. Deri në janar të vitit 1942 i papunë. Më 05.01.1942 deri në qershor të vitit 1943 punon si sekretar i Shoqatës “Shqipëria e Lirë” dhe drejtor i gazetës “LIRIA” në Nju­Jork. Në qershor të vitit 1943, me ftesë të z.Fransis CALLNEY shkon në Uashington në O.S.S. Nga shtatori 1943 deri më 21.10.1943, shkon me shërbim në Kajro pranë O.S.S dhe në fund të tetorit në Bari në shërbim të O.S.S si zëvendës i Major COON, deri sa erdhi FULCI.

I vendosur në vilën AZZON si përgjegjës, jo vetëm i materialeve dhe pajisjeve, por edhe i anëtarësimit të shqiptarëve dhe instruktor leksionesh. Në fund të tetorit 1944 niset në Shqipëri me Misionin shqiptar të Komandës së Përgjithshme të N.Çl. Bashkënxënës me Mehmet Shehun në shkollën teknike të Fulcit në Shqipëri, emigron në Amerikë në 1937­ën. Në vitin 1943 merr pjesë në O.S.S dhe fiton pseudonimin ”Larry“. Larry Post, ushtark i shërbimit sekret amerikan, me pagë majori, ishte Llazar Papapostoli nga Ziçishti i Korçës, jeta e të cilit do të merrte një rrjedhë tjetër, sapo ai vendosë të kthehet në Shqipëri në vitin 1944. Vetëm dy vjet më pas, momentin kur bota përfshihet nga Lufta e Ftohtë, ai izolohet, dënohet me dhjetë vjet burg, jeton i vetëm në qeli, kërcënohet e dhunohet, internohet, kurse Mehmet Shehu mban i vetmi kontakte të drejtpërdreja me të deri në fund të vitit 1974, ku dhe vdes në rrethana misterioze, ndërsa, zyrtarisht u publikua vdekje nga infarkti.

 

 

Burimi: http://shqiptarja.com/dossier/2711/torturat-n–hetuesi-shani-pse-pranova-si-agjent-i-amerikan-ve-418722.html

Postime të ngjashme