Shkodra, qyteti që rendte pas erërave antikomuniste

dhjetor-90-4-640x427

Bashkëbisedim me një nga pjesëmarrësit e demonstratës së parë antikomuniste në Shqipëri, Dede Kasneci.

Të padukshëm përtej vijës perëndimore të Murit të Madh, për shkak të kufirit që ndizej nga shkëndija elektrike, turma qytetarësh të pjesës lindore ishin mbledhur të dëgjonin Reganin, me shpresën se altoparlantët do ta dërgonin zërin e tij edhe në anën e tyre. Ndaj kjo ishte arsyeja përse Regan, iu drejtua drejtpërsëdrejti e personalisht, liderit sovjetik, Mikhail Gorbaçovi më 12 qershor të vitit 1987 me thirrjen e fuqishme: Mr. Gorbaçov, Open that GATE! Padyshim vendimtare ishte gatishmëria e të gjithë liderëve të Europës Lindore. Përjashtim nga kjo histori që po shkruhej bënte veç Rumania.

Edhe më e veçuar mbetej ende Shqipëria. Sepse më shumë se sa çdo gjë tjetër, gjithçka kish të bënte me njeriun e atëkohshëm, në aspektin individual, më shumë se sa kolektiv, ishte se ai duhet ta pranonte edhe në kokën e vet shembjen e Murit në jetën e tij. Kjo ishte gjendja psiko-sociale e po aq shpirtërore në Bllokun e Lindjes në fillim të vitit 1989. Historia e revolucionit në Europën Lindore nuk u shkrua në Uashington. Më shumë se sa me fuqinë ushtarake amerikane, studiuesit e huaj e lidhin këtë me ngritjen e Gorbaçovit, kombinuar me shembjen ekonomike të sistemit sovjetik dhe kontrastin e mprehtë që shihej në raport me të gjitha dinamikat që zhvilloheshin në Europën Perëndimore.

Pasi kishe dëgjuar atë që po ndodhte në atë pjesë të botës që nga fillimet e vitit ‘88 e deri në fundin e ‘89, do të kuptoje se gjithçka dukej se vraponte pas një kopeje të madhe shpendësh në shtegtim. Në këtë pikë, shpejtësia e njëllojtë e ndryshimit ishte kthyer brenda vetes, në një forcë shtytëse drejt ndryshimit vetë. Ajo që po ndodhte në një vend përsëritej thuajse menjëherë në një vend tjetër. Në harkun kohor të një nate, Europa Lindore u kthye duke iu nënshtruar e tëra jo aq një procesi gjeografik se sa metafizik, një mase plazme në lëvizje, në një kaleidoskop rrotullues që të verbonte në një mënyrë të habitshme nga rrufetë e pandalshme të një shkëlqimi dritash nga një botë e re.

Nuk mund ta imagjinoje dot – shkruajnë të huajt në shënimet e tyre, se si jetonin shqiptarët në fund të viteve ’80. Se deri në çfarë varfërie ekstreme i solli kokëfortësia e një klike aparatçinjsh sundimtarë. Gëzimet e jetës ishin të pakta. Ata as nuk mund të qeshnin më. Propaganda e fortë ndaj regjimit nuk kish krijuar më shumë se një figurë idilike për ta adhuruar. Ai ishte Enver Hoxha! Prej gati një çerekshekulli vendi jetonte nën themelet e një vizioni të vetëm, atë të një Shqipërie të Enver Hoxhës që udhëhiqej vetëm nga Ai.

Lufta e Ftohtë ishte si një sistem me forcë shtytëse. Inercia ishte një gjendje truri e përgjithshme. Psikologëve iu pëlqen të thonë se ne e nënçmojmë forcën e zakonit por të jetosh gati 45 vjet nën këtë gjendje mendore, d.m.th. me Lindjen në kokë kundër Perëndimit, ata ose ne, kjo mbetet një nga burgosjet më të errëta që i bëhet trurit. Që këndej shumë vite më vonë, nuk ishte e vështirë të shihje si shumë nga ne i kish shpëtuar asaj që po ndodhte, të gjitha ndryshimeve të vogla në të cilat bota po lëvizte. Por megjithatë mbrëmjet e dimrit të viteve ’89-’90 do të mbeten në kujtesën e atij brezi si mbrëmjet më të ndezura në shpirtrat e brengosur e të tronditur të shqiptarëve të thjeshtë, emocionin që gulçon ende, se diçka po frymonte në eter.

Në janar të vitit 1990, në Shkodër ishte zhvilluar e para protestë e organizuar për të rrëzuar bustin e Stalinit. Fillimisht ca trakte jo për herë të parë në Shqipëri kundër regjimit komunist shpërndahen mistershëm në kryeqendrën antikomuniste. Më 14 janar të vitit 1990 organet e Punëve të Brendshme në Shkodër shkruanin se “elementi armik” i nxitur nga ngjarjet antikomuniste në Europën lindore dhe “nga propaganda e shfrenuar e shpifëse e reaksionit të jashtëm” kish rritur aktivitetin kriminal kundër regjimit komunist.

Kjo është një nga ngjarjet e para të nisjes së çarjes komuniste. Ajo u shoqëruara me arrestime të shumta dhe me procese ndaj pjesëmarrësve ose atyre që cilësoheshin si organizatorë të këtyre lëvizjeve. Më 13 janar 1990, Sigurimi i Shtetit e merr këtë informacion duke shtuar se në shesh do të dalin rreth 200 – 300 vetë para bustit të Stalinit. Ai madje ka informacion se organizatorë të kësaj veprimtarie ndër të tjerë janë Ded Kasneci dhe Flamur Elbasani. Po çfarë tregon vetë Dede Kasneci për ngjarjen, tani pas 25 vitesh nga ndodhia e saj, njeriu që u arrestua menjëherë pas shfaqjes në demonstratë e që u dënua së bashku me shokë të tjerë mbrëmjen e 14 janarit të vitit 1990?

dede-kasneci-320x320Kush jeni ju? Dhe si identifikoheshit në komunizëm? Cila ka qenë familja juaj atëherë kur në Shkodër ndodhën trazirat e janarit të vitit 1990?

Unë quhem Dede Kasneci. Gjatë regjimit komunist, kam qenë një fukara i shkundur, kam punuar në hidrocentral. Me grua, me fëmijë me i mbajt me bukë. Kurrgjë mbas shpirtit, ashtu duke vuajtur tërë jetën e jetës. Më kanë çuar në internim për sjellje të padenjë në shoqëri. Atëherë, kur Muri i Berlinit kish rënë dhe të gjitha shtetet e Europës Lindore e hoqën qafe komunizmin, u kam thënë miqve të mi, pasha Zotit, mbetëm gjithë jetën në komunizëm, po ne kur po lëvizim. Andaj po të më dëgjoni mua duhet të bëjmë diçka, duhet me lëvizë. Jemi çuar, kemi shtyp traktet, i kemi shpërndarë, edhe kemi dalë në qendrën e Shkodrës. Dhe kështu ndodhi historia e trakteve, në janar të vitit 1990.

Çfarë përmbajtjesh kishin traktet që i shpërndatë ju?

Traktet i shtypëm dhe i shpërndamë në qytetin tonë Shkodër, në Vaun e Dejës, në Malësinë e Madhe, në Bushat e Velipojë me thirrjen më datë 11 janar të mblidhen në një demonstratë antikomuniste. Traktet pasi u shpërndanë mobilizuan policinë dhe Sigurimin e Shtetit. Snajperët u vendosën kudo, në Drejtorinë e Policisë, 5-6 të tjerë u vendosën në Hotel Turizëm, ja atje lart në majë. Po ashtu, ata u vendosën edhe te godina të tjera. Një plumb mjaftonte dhe udha e mbarë i qoftë çdokujt.

Në fakt, a u grumbulluan shumë njerëz?

Më datë 11, siç ishte parashikuar, nuk u grumbulluan njerëzit. Gjithçka ndodhi më datë 14 dhe jo pak, por u mbush i gjithë sheshi.

Si e kujtoni ju atë ngjarje?

Ajo ngjarje, për mua ka mbetur e pashlyer në kujtesë. M’u duk se sikur o Zot u çliruam, kur pamë gjithë atë popull që doli aty. Kish ardhur dita e madhe me e zhduk stalinizmin prek kësaj toke. Donim të rrëzonim bustin e Stalinit që ishte vendosur nga komunistët në qendër të Shkodrës. Por ajo punë mbeti, nuk u bë. Erdhën përforcime nga forcat e Policisë në Tiranë dhe njerëzia u shpërnda. Ata filluan të thërrisnin largohuni, largohuni për shkak të ndonjë marrëzie të fundit të pushtetarëve komunistë.

Si u sollën forcat e policisë me ju?

Në mbrëmje kanë ardhur në shtëpinë time, forcat e Policisë në Tiranë. Hapën derën dhe doli gruaja ime me dy fëmijët para. Në shtëpi hynë 5 vetë me automatikë. Në kokë kishin kapuça të zinj ndërsa m’u drejtuan e më thanë: je i arrestuar. U thashë se çfarë kam bërë që po më arrestoni? Në atë kohë kisha djalin rreth 3 vjeç. Shtëpinë e kam në katin e dytë, e kapa djalin prej krahësh dhe hipa në dritare. Iu drejtova me hakërrim: Jashtë të gjithëve, se ndryshe sa të jem gjallë, do kem vaj dhe kërceva në çimento. Më kapi një nga ata dhe më tha, Ded, Ded qetësohu, nuk kemi punë me ty. Uluni poshtë u thashë, se për krye të fëmijëve, kërceva jashtë me gjithë djalë dhe mbyta veten. Më pas ata u ulën poshtë, dhe i them gruas futja shulin derës. Pak më vonë, zbrita poshtë dhe më rrëmbyen e më lidhën këmbë e duar dhe që aty drejt e në Tiranë.

Ku në Tiranë?

Në birucë, sigurisht në birucë. Atje vjen drejtori dhe u thotë vartësve të tij, merreni këtë egërsirë dhe lidheni këmbë e duar. Lërini vetëm një paketë cigare dhe një shkrepëse që të ndezë cigare dhe të mos ia hapë kush derën nga ora 6 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes. Por iu ktheva dhe i thashë, për Zotin mor drejtor, kam frikë se nuk do kalojë 24 orë pa të bërë me qenë ti këtu, ku jam unë. Mirë, mirë tha. Pasha kryet e tërë fëmijëve kam mbetur aty, kaloi ajo natë dhe kam marrë të gjitha rrobat, i kam grumbulluar dhe u kam vënë shkrepësen. I dogja të gjitha. Dera ishte e mbyllur dhe tymi dilte veç prej sportelit. Presioni u rrit shumë nga tymi e qeshë duke vdekur brenda. Pastaj dëgjoj një automatik. Ishte roja e rrethimit. Alarm tha, se u dogjëm brenda. Pas kësaj erdhën dhe hapën derën. Më kanë marrë prej aty dhe më çuan drejt e në spital psikiatrik. Më vendosën një kokore në kokë dhe pastaj mes torturave deri sa më dënuan me burg politik e më dërguan në burg të Kosovës, në Dumre të Lushnjës ku ndenja rreth 16 muaj.

Ju ngjarjet e studentëve i keni përjetuar në burg apo jo?

Unë kam qenë me Kurt Kolën dhe Fatos Lubonjën në burg. Edhe aty nuk donim të rrinim rehat. Ndaj një ditë i them një polici që të më kryejë një porosi dhe ai ma kryen. Bëj gati një letër të shkruar drejtuar Papa Gjon Palit dhe ai ma poston. Letrën ma shkruan Fatos Lubonja se unë nuk dija ta shkruaja. Për letrën u fol në Rai 1 e Rai 2, si dhe për demonstratën e 14 janarit. Ramiz Alia i kishte deklaruar Perëndimit që i kam lënë të lirë të gjithë të burgosurit politikë, por ne ishim rreth 16 të tjerë që ishim ende në burg. Unë, Isuf Alushi që e kanë vrarë, Kurt Kola dhe Fatos Lubonja, të cilët jemi liruar të fundit. Pas rreth dy a tri javësh kanë ardhur rreth 20 vetë nga Tirana. Më kërkojnë mua. Isuf Alushi thërret nga qelia dhe u thotë nëse e prekni kush me dorë këtë njeri për shpirt të nënës, me kokë në çimento kam për t’iu prit. Jo s’kemi punë me të, vetëm duam ta pyesim. Më kërkuan detaje për letrën se si dhe me kë e kisha dërguar në postë. U thashë se unë jam dënuar me burg dhe s’kam pranuar asgjë, jo më t’iu dëshmoj të tilla fakte. Komisari që e shoqëronte bëri me kokë nga drejtori i policisë dhe më në fund ai m’u drejtua me një frymë e më tregoi të shkoja drejt shokëve për t’u thënë se të gjithë ne tashmë ishim të lirë, do të dilnim pra nga burgu. Dolëm në grup dhe njëri pas tjetrit iu drejtuam hyrjes së burgut. Aty na prisnin Azem Hajdari, Pjetër Arbnori dhe një person tjetër. Ka qenë data 29 mars e vitit 1991.

Burimi: http://www.albanianpost.eu/2015/10/06/shkodra-qyteti-qe-po-rendte-pas-ererave-antikomuniste/

 

Postime të ngjashme