SHKURT

4 shkurt 1944

Masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë, e organizuar nga ministri i Brendshëm Xhaferr Deva, pas një atentati që komunistët i bënë atij për ta vrarë. Sipas historiografisë së mëparshme, u masakruan për hakmarrje 84 qytetarë të Tiranës, ndërsa sipas Prokurorisë së atëhershme u vranë 12 vetë. Një masakër e ekstremit të djathtë.

11 shkurt 1933

Greva e parë në Shqipëri, e organizuar nga sindikata e punëtorëve të nxjerrjes së naftës në Kuçovë, kundër shoqërisë italiane AIPA që e kishte nisur shfrytëzimin e naftës qysh nga viti 1928, kur u shpua pusi i parë i naftës.

17 shkurt 2008

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte kurorëzimi i një përpjekjeje të gjatë e të mundimshme kombëtare, i luftës liridashëse të popullit shqiptar të Kosovës, i ndërhyrjes çlirimtare të NATO-s kundër spastrimit etnik nga ushtria serbe e Millosheviçit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës që u kurorëzua me Deklaratën e Pavarësisë të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

18 shkurt 2006

U nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian (MSA). Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dhe marrjen e statusit kandidat potencial për anëtarësimin në BE, perspektiva evropiane e Shqipërisë është e pakthyeshme.

20 shkurt 1991

Rrëzohet nga qytetarët protestues të Tiranës shtatorja e Enver Hoxhës në sheshin Skënderbej, pas përleshjeve me ushtrinë dhe policinë e shtetit, duke shënuar kështu rënien e regjimit gjysmë-shekullor komunist dhe rënien e kultit të diktatorit.

21 shkurt 1922

Opozitarizmi i parë politik në parlamentarizmin shqiptar nis me deklaratën e 21 shkurtit 1922, nënshkruar nga Fan Noli, deputet i “Vatrës” dhe Kristo Kirka e Loni Kristo, deputetë të Korçës (që bënin pjesë në Partinë Popullore të kryesuar nga Fan Noli). Këta deputetë dhe disa të tjerë si Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjahu, Bahri Omari, Shefqet Daiu etj. u shkëputën nga Partia Popullore që kishte fituar zgjedhjet dhe krijuan opozitën demokratike kundër qeverisjes së Xh. Ypit, A. Zogut etj. Debatet parlamentare të kësaj kohe janë nga më demokratiket në Shqipëri dhe periudha 1920-1924 më e shënjuara në historinë e parlamentarizmit shqiptar.

26 shkurt 1951

Në mesnatën e 26 shkurtit 1951 u pushkatuan pa gjyq dhe pa faj 22 intelektualë të shquar të Tiranës dhe të Shqipërisë, me vendim të Byrosë Politike të KQ të PPSH, me pretekstin e të ashtuquajturës “Bomba sovjetike”, një sasie vogël dinamiti hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Propaganda fajësoi për këtë organizatën antisovjetike, por që s’kishte asnjë lidhje me të pushkatuarit. Njëzete dy intelektualët e pafajshëm, mes tyre dhe Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë shqiptare, u ekzekutuan në breg të lumit Erzen, ku u groposën në errësirë dhe fshehtësi në një varr të përbashkët. Familjet e tyre u internuan në kampet e përqendrimit të Tepelenës, Vlorës etj.

27 shkurt 1967

Si pasojë e fjalimit të E. Hoxhës më 27 shkurt, dhe letrës sekrete të tij, ku jepte orientime për luftën e pamëshirshme kundër fesë, nisi fushata dhe lufta e hapur kundër besimeve fetare, kundër klerit dhe institucioneve fetare, e kamufluar si “nisma revolucionare e rinisë”. U mbyllën dhe u shkatërruan 2 169 objekte fetare, u dhunuan e u burgosën klerikët, liria e besimit dhe Shqipëria u shpall nga regjimi si i vetmi vend ateist në botë. Pas kësaj, me një dekret të Presidiumit të qeverisë u konfiskuan të gjithë pasuritë e komuniteteve fetare. Objektet e kultit, pasuritë e tjera dhe llogaritë bankare u konfiskuan nga shteti. “Gjendja e arkave dhe llogarive rrjedhëse të të gjitha institucioneve fetare deri në fund të muajit mars të vitit 1967 ishte 1 959 307 (lekë të reja). Krahas kësaj ato posedonin edhe bagëti, vreshta, ullinj, bahçe etj. ndërsa përllogaritet që kjo pasuri (përveç asaj në llogaritë bankare, arrinte deri në 6 milionë lekë të reja, nga ku 2 150 000 lekë, i përkisnin vetëm teqeve bektashiane.