Shqipëria 7 vjet në NATO, një arritje e shënuar

imgnato

TIRANË, 4 Prill/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Shqipëria feston sot 7-vjetorin e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO).

Në aktivitetin e organizuar në sheshin ‘Nënë Tereza’, ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si dhe Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu.

Aktiviteti ishte i hapur edhe për qytetarët, të cilët panë nga afër mjetet dhe pajisjet më të reja të Forcave të Armatosura, ndërsa  Bashkia e Tiranës ka dekoruar qytetin me flamuj.

Në paradë u ekspozuan disa nga asetet e Forcave të Armatosura, të Forcës Tokësore armatimi i ri, të Forcës Detare gomone dhe polumbarë dhe mjete të tjera të detarisë.

Nga Forca Ajrore, u prezantuan 3 helikopterë, 2 Cougar dhe 1 i shëndetësisë. Nga Policia Ushtarake u paraqitën mjetet e blinduara, si dhe do ë ketë një ekspoze të mjeteve dhe pajisjeve të tjera në FA.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, gjatë çeljes së aktivitetit, tha se hyrja në NATO ka qenë një eveniment mjaft i rëndësishëm i historisë së vendit tonë.

“Sot ne mendojmë për integrimin e plotë në Bashkimin Europian. Sot ne kujtojmë rrugën që kemi ecur për t’u integruar plotësisht në NATO”, tha Veliaj, i cili njoftoi se shumë shpejt do të mbahet dhe asambleja parlamentare e NATO-s në vendin tonë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se në këto 7-vite janë rritur breza të cilët nuk mund të kuptojnë butaforzimin anti-NATO  që mbarte politika jonë e para viteve 90’.

“Unë kam qenë mjaft i vogël, por më kujtohet qartë se si parakalonin Forcat e Armatosura shqiptare në këtë shesh për t’i treguar NATO-s, që nuk duhej ngatërruar me ne, pasi Shqipëria ishte një mburojë e pastër anti-NATO”, tha Veliaj.

Ai gjithashtu sqaroi se në kuadër të kësaj historie, e cila tregon një realitet tërësisht tjetër nga ai që është sot, “kemi vendosur hapjen e një muzeu me tunelet nëntokësore që ka sot në nën-dheun e Tiranës, muze i cili do të nis tek bunkeri i ngritur në krah të Ministrisë së Brendshme, për të kujtuar se si Shqipëria kaloi nga një vend anti-NATO, në një vend anëtarë të NATO-s dhe dëshirën e plotë për integrimin e plotë në Bashkimin Europian”.

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati u shpreh krenar për ecurinë e vendit tonë.

Sipas kryediplomatit shqiptar, anëtarësimi me të drejta të plota i vendit tonë në NATO është plotësimi i një boshllëku 60-vjeçar në këtë aleancë. “NATO është bashkësi e vlerave dhe standardeve më të mira qytetare. Kur Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në NATO, shumë kush në vendin tonë u ndje krenar, teksa jashtë territorit tonë pati skepticizëm, pasi vlerësonin se si ka mundësi një vend kaq i vogël arrin të jetë pjesë e një aleance kaq të madhe, por ne treguan se kemi mbështetur këtë aleancë me të gjitha kapacitetet tona ”, tha Ministri i Jashtëm.

Ai shtoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është përmbushje easpiratave tona kombëtare, jo vetëm në fushën e sigurisë, por projektit euroatlantik që ka vendi ynë.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, duke marrë fjalën me ketë rast tha se, jemi së bashku sot për festuar përvjetorin e 7 të anëtarësimit te Shqipërisë në NATO, si një nga ditët më të rëndësishme për popullin dhe vendin tonë, që na jep mundësinë e së ardhmes, për më shumë siguri dhe paqe.

“Shqipëria si një nga kombet më të vjetër të kontinentit nuk mund të mos ishte pjesë e NATO-s. Rruga që Shqipëria mori për t’ju bashkuar NATO-s ishte e qartë”, u shpreh Kodheli.

“Vendi ynë i pranishëm sot në sajë të këtij anëtarësimi, që nga viti 2002 , me misione të paqes dhe sigurisë, duke iu bashkuar koalicionit ndërkombëtar në luftë kundër terrorizmit. Ne patëm edhe një humbje, kapiten Voglin, sakrificë që na bën të përulemi para ushtarakëve” tha ministrja e Mbrojtjes, ndërsa theksoi se, shqiptarët në uniformë shërbejnë me përkushtim në çdo mision.

“Shqipëria gjeneron paqe, siguri dhe stabilitet”, theksoi ajo. Duke u ndalur në paqen në rajon, Kodheli theksoi se, në këtë drejtim “Shqipëria ka marrë një rol primar me donacionet ushtarake. Qeveria ka bërë shumë reformë për modernizimin e FA-ve. Falënderoj për këtë rrugëtim, qeveritë e SHBA-ve, Turqisë, Greqisë, Italisë, Gjermanisë e Britanisë. Falenderim për të gjitha ata që e kanë bërë të mundur anëtarësimin në NATO. Falenderoj Forcat e Armatosura, faktorin politik,  administratën shqiptare dhe shoqërinë”.

“Shqipëria dhe NATO kanë nevojë për njëra-tjetrën për të ruajtur vlerat tona, për të mbrojtur të ardhmen tonë”, deklaroi Kodheli.

Ne vitin 2009,  Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

Duke u bërë palë e këtij traktati dhe shtet anëtar i NATO-s,  Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke  avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

E vlerësuar si faktor stabiliteti ndër vite në rajonin e Ballkanit, tashmë me një rol vendimmarrës, Shqipëria renditet përkrah partnereve te saj ne përballimin e sfidave te sigurisë globale.

Me misionet e saj ushtarake, vendi ynë është i rreshtuar në mbrojtje të paqes dhe lirisë në Irak e Afganistan, ç’ka u vlerësua edhe në samitin e Çikagos në majin e vitit 2012.

Burimi: ATSH, /e.xh/ /a.g/

 

Postime të ngjashme