Shqiptarët zbulojnë të kaluarën e errët duke gjurmuar viktimat e komunizmit

AFP / Gent SHKULLAKU

AFP | 7 maj 19

Pas vitesh rrëmimi nëpër arkiva, kaseta dhe pastaj shpatet e një mali mbi Tiranën, Jovan Plaku arriti të gjejë eshtrat e 13 vetave në pyllin ku ai beson se babai i tij u ekzekutua nga regjimi komunist në Shqipëri.

Një dekadë më vonë, pas përpjekjes vendimtare për të identifikuar viktimat, 45-vjeçari shpreson që më në fund do të marrë përgjigje nëse i ati gjendet ndër të gjeturit.

Të vdekurit e zbuluar në malin e Dajtit i shtohen më shumë se 5,000 të ekzekutuarve gjatë epokës komuniste. Fati dhe vendndodhja e shumë prej tyre mbeten mister, gati tri dekada pas rënies së komunizmit në vitin 1991.

Viktimat ishin kundërshtarë politikë, fetarë ose qytetarë të rregullt të raportuar për “tradhti”, “spiunazh” ose “sabotim” kundër regjimit paranojak të diktatorit Enver Hoxha.

Pas periudhës së rënies së komunizmit, Shqipëria ka hezituar ta hapë këtë kapitull të errët të historisë.

Ndaj kërkimi për të zhdukurit u është besuar përpjekjeve të palodhura të njerëzve të zakonshëm si Plaku.

AFP / Gent SHKULLAKU

AFP / Gent SHKULLAKU

Babanë e tij, Koço Plakun, e dënuan me vdekje dy vjet mbas arrestimit në vitin 1975 kur ai punonte inxhinier, me një gjyq me dyer të mbyllura.

I biri atëkohë ishte nëntëmuajsh ndërsa e ëma u detyrua të divorcohej për të shmangur internimin.

Me qëndrimin e vendosur për të zbuluar të vërtetën, Plaku më vonë arriti të gjejë fotografi dhe skica të gjyqit të babait të tij, si edhe një shirit filmik te hetuesisë prej 72 orësh.

Nga to mësoi se babanë ia kishin dënuar për “sabotim” dhe “spiunazh” si pasojë e disa grepave të peshkimit të dhuruara dikur nga një miku i tij rus – dhuratë e cila ngjalli dyshime pasi Tirana i kishte ndërprerë lidhjet me Moskën.

Ai intervistoi dhjetëra njerëz, madje doli ballë për ballë me ekzekutuesin e babait.

“Njeriu i vogël dhe trupngjeshur” ishte bërë një trajner i xhudos, thotë Plaku. Nuk mbante mend asgjë.

AFP / Gent SHKULLAKU

AFP / Gent SHKULLAKU

Pritje e gjatë

Me kalimin e kohës, Plaku piketoi malin e Dajtit si vendin e mundshëm ku ishte vrarë i ati i tij.

Së bashku me një burrë tjetër që po ashtu kërkonte babanë e vet të zhdukur, kaloi disa muaj duke gërmuar në mal, ku gjeti eshtra njerëzore, disa prej tyre të varrosura vetëm 60 centimetra nën tokë.

Kockat qëndrojnë në morg prej 10 vjetësh, në pritje të identifikimit.

Procesi më në fund po avancon me zbatimin në muajin nëntor të një projekti të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

AFP / Gent SHKULLAKU

AFP / Gent SHKULLAKU

Plaku, së bashku me rreth 30 veta të tjerë, ka ofruar mostrën e ADN-së për të parë nëse përputhet me babanë e tij.

Ai shpreson që më në fund ta “mbyllë këtë kapitull” të jetës dhe të mund të gjejë qetësi, të pi një cigare dhe të vendosë lule në vendin ku i ati iu qëllua me një plumb pas qafës më 28 qershor 1977.

“Ende dridhem kur kujtoj momentin” kur zbulova eshtrat njerëzore, thotë ai.

“Rikthimi i dinjitetit”

Projekti i ICMP-së vjen disa vjet pas hapjes për herë të parë për publikun të dosjeve të organit të përçmuar të regjimit, Sigurimit.

Drejtorja e arkivave, Gentiana Sula, e cila edhe vetë ka humbur gjyshin e saj, thotë se ajo e di mirë se si e kaluara mund të shndërrohet në fiksim për të afërmit që duan të heqin njollën të cilën regjimi i urryer ngjiti mbi të dashurit e tyre.

“Ata duan të sqarojnë fatin e tyre,” shpjegon ajo.

Luigj Ndou i ICMP-së gjithashtu tregon se e kaluara mund ta ndjekë një vend që përpiqet ta harrojë atë.

AFP / Gent SHKULLAKU

AFP / Gent SHKULLAKU

“Këtu nuk bëhet fjalë për të vdekurit, por të gjallët,” thotë ai.

“Flasim që t’u kthehet dinjiteti të gjithë atyre që u vranë vetëm pse mendonin ndryshe”.

Projekti i ICMP-së ka siguruar 400 mijë euro (450,000 $) nga donatorët ndërkombëtarë, por sërish mbetet i vogël dhe i fokusuar fillimisht në dy zona gjeografike.

Ndou thotë se ky hap i parë është i rëndësishëm, dhe shton se vullneti politik është thelbësor për vazhdimin.

“E di partia”

“Pse ishte kaq e lehtë ta vrisje dikë dhe është kaq e vështirë t’ua gjesh trupin?” pyet 63-vjeçarja, Elena Sallaku, e ulur në një apartament të vogël ku jeton me motrën e saj binjake dhe nënën e ve.

Familja e tyre ka një dekadë që kërkon përgjigje për babanë, Xhavitin.

Dy binjaket u kanë dhënë mostrat e ADN-së ekipit kërkimor të Dajtit, ndonëse dyshojnë që mes të zhgroposurve të jetë edhe babai i tyre.

Xhaviti punonte si inxhinier i trajnuar në Bashkimin Sovjetik, dhe u ekzekutua në verën e vitit 1977 në moshën 46-vjeçare.

Kur gruaja e tij, Irina, tanimë 86-vjeçe, pyeti se pse e kishin arrestuar, policia tha vetëm: “E di partia sepse!”

Elena kujton se me kokat ulur, binjaket dhe nëna e tyre iu desh të përgjigjen me “Rroftë Partia”.

AFP / Gent SHKULLAKU

AFP / Gent SHKULLAKU

Pas qëndrimit për disa vite jashtë vendit, gratë u kthyen në Shqipëri në vitin 2007, dhe që asokohe Irina ka ngulmuar për gjetjen e eshtrave të bashkëshortit të saj që të prehet pranë tij.

Kur u kthyen, Elena zbuloi në arkiva disa dokumente rreth babait, një nga të cilët ishte nënshkruar nga ish-gjyqtari që tani është profesor drejtësie.

67-vjeçari i tha AFP-së se nuk e mban mend vendin e ekzekutimit, detaj ky që nuk përmendet asnjëherë në dokumentet e kohës.

Ai shtoi se kishte shërbyer si gjyqtar i ri në një sistem ku “askush nuk mund t’i refuzonte urdhrat”.

Por i kujtoi fjalët e fundit të një prej dy burrave të ekzekutuar nga veprimet e tij: “Rroftë Partia, mos m’i ngacmoni vajzat!”.

Postime të ngjashme