Si ia kopjoi sovjetikëve medaljen “Nënë Heroinë” regjimi i Hoxhës

Medalja "Nënë Heroinë" në Shqipërinë Socialiste

Përgatiti për IDMC: Erblin Vukaj

Kur u propozua nga regjimi i Hoxhës, medalja “Nënë Heroinë” kishte rreth 10 vite që jepej në Bashkimin Sovjetik. Atje kjo medalje qe krijuar që më 8 korrik 1944 për t’i dhënë privilegje nënave me shumë fëmijë ose atyre që ishin të veja nga të rënët në luftë. Kjo medalje jepej në ditëlindjen e parë të fëmijës së dhjetë dhe duhej që me patjetër nëntë të tjerët të ishin të gjallë ose të rënë në beteja. Rrethanat e vështira prej nga dilte Bashkimi Sovjetik prej Luftës së Dytë Botërore – mbi 20 milionë të vrarë – e shtynin shtetin të gjente mënyra për të shtuar popullsinë, kurse pjesa tjetër e privilegjeve ishte thjesht propagandë, sikundër në Shqipëri.

Më 13 mars 1954, në cilësinë e Kryetarit të Presidiumit Popullor, Haxhi Lleshi i propozonte Enver Hoxhës krijimin e dy medaljeve “Hero i Punës Socialiste” dhe “Nënë Heroinë”. Në shkresën sekret Nr. 79 drejtuar Kryeministrisë, Lleshi tregonte se medalja për “nënën” ishte mjaft e përhapur në Bashkimin Sovjetik. Për ta bërë edhe më bindës propozimin, në shkresën e tij Lleshi shtonte se këtë urdhër “kanë filluar ta japin edhe në shtete të demokracive popullore”. Ai saktësonte se i duhej dhënë nënave që “kanë lindur, rritur dhe edukuar 10 fëmijë”.

Është absurde ajo që Lleshi shkruan në shkresë:

“Duke pasur parasysh se në të ardhmen do të jetë më kollaj rritja e 10 fëmijëve, mbasi gjendja ekonomike do të përmirësohet vazhdimisht, mëjtojmë se dhënëja e urdhërit “Nëna Heroinë” do të jetë me vend.”

Letër e kryetarit të Presidiumit Popullor, Haxhi Lleshi

Letër e kryetarit të Presidiumit Popullor, Haxhi Lleshi

Urdhri do të formohej zyrtarisht më 2 tetor 1955 dhe – ashtu si disa medalje të tjera – do të ishte identik me atë të Bashkimit Sovjetik. Një pllakë bronzi në formë pentagoni do të kishte sipër një yll – pak më të madh se ai i modelit sovjetik – dhe të njëjtën formë kapjeje por me një kornizë më pak të stilizuar të shkrimit “Nënë Heroinë”.

Medalja "Nënë Heroinë" në Shqipërinë Socialiste

Medalja “Nënë Heroinë” në Shqipërinë Socialiste

Medalja "Nënë Heroinë" në Bashkimin Sovjetik

Medalja “Nënë Heroinë” në Bashkimin Sovjetik

Përmes nxitjes me privilegje – pothuajse vetëm morale dhe biografike – popullsia e Shqipërisë arriti një hov të jashtëzakonshëm ku brenda dhjetëvjeçarit 1950–1960 u shtua me mbi 400 mijë njerëz – nga 1 218 900 persona në 1 625 300. Sikurse Open-Data do të nxirrte si konkluzion në një studim të saj, popullsia e Shqipërisë deri në vitin 1972 “u dyfishua” nga ajo që ishte në vitin 1945.

Por edhe pse këto shifra janë të pakontestueshme, asnjë fakt nuk e dëshmon dot “parashikimin” e Lleshit se deri në vitin 1965 Shqipëria do të përmirësohej ekonomikisht sa ta kishte të lehtë të “rriste nga 10 fëmijë”. Asnjëherë nuk u arrit kjo gjë. Gjithmonë “Nënat Heroinë” ishin nga zonat rurale, jo urbane. Në zonat rurale lindja e fëmijëve shihej edhe si një mundësi për të shtuar krahun e punës. Numri i “Nënave Heroinë” erdhi në rënie, aq sa pas vitit 1980, kushti për t’u vlerësuar me medalje do të reduktohej në minimumin 8 fëmijë.

Postime të ngjashme