Emile Guinard: Si na ndiqnin këmba-këmbës agjentët e Sigurimit shqiptar

Nga Emile Guinard

Shumë miq të mi francezë shpesh më kanë pyetur ç’mund të bënte një konsull në Tiranë në vitet ‘70. Ata arrinin ta kuptonin emërimin e një konsulli të Francës në Kroaci ose në Leningrad, por në Tiranë?! E ndiej për detyrë t’u them atyre se sekretarja ime dhe unë s’kishim kohë të merrnim frymë.

Në Shqipëri

Kur arrita në Shqipëri mora në dorëzim punën time nga paraardhësi im: kisha në ngarkim regjistrimin e postës në arritje, të postës që nisej, dosjen e kronologjive, dosjen e trupit diplomatik të Tiranës, dosjen e Ambasadorit, klasifikimin e arkivave, çështjet konsullore, çështjet e pazgjidhura: koncesionet franceze të vajgurit në Shqipëri të shtetëzuara nga qeveria e të padëmshpërblyera, shkelja e ujërave territoriale nga turistë “të pandërgjegjshëm”, kalimi i hapësirës ajrore nga avionët francezë ndërmjet Korfuzit dhe Bregut të Jugut, dëbimin e atasheut ushtarak i deklaruar “persona non grata”. Kësaj liste i duhen shtuar misionet e interpretimeve dhe përkthimeve për të cilat isha marrë në fillim në punë, administrimin e njëqind studentëve shqiptarë bursistë të qeverisë franceze, zbulimin e kandidatëve “të dyshimtë” si Rektori i ri i Fakultetit të Historisë që mbante një letërnjoftim si student, një tjetër si “kërkues shkencor”, dhe një pasaportë diplomatike. Më binte gjithashtu të rregulloja çështjet e vizave, të pushimeve, porositë për artikuj ushqimorë në Itali etj. për pesë a gjashtë familje franceze që jetonin në Shqipëri; pagesën e pensioneve të të vejave shqiptare që ishin martuar me legjionarë francezë gjatë luftës, etj. Arritëm kështu në një botë ku “lodrat” në fushën e marrëdhënieve politike bëheshin nga njëra si dhe nga ana tjetër.

Prishja me rusët

Ishim në vigjiljen e Kongresit të XXII të P.K. të B.S. që vulosi prishjen përfundimtare të Shqipërisë me rusët dhe fillimin e një revolucioni kulturor shqiptar të frymëzuar nga revolucioni kinez. Ne jetuam mbylljen e kishave e të xhamive, shkatërrimin e tyre, ndalimin e çdo aktiviteti fetar, luftën e pareshtur kundër zakoneve “prapanike”, futjen progresive të Partisë në jetën ekonomike, shoqërore, private, mbylljen e një popullsie të tërë në një ideologji totalitare dhe antiperëndimore, mbylljen e plotë të kufijve për njerëzit e thjeshtë të vendit. Diplomatët kishin një regjim të veçantë. Ndalohej çdo lidhje me popullsinë, me përjashtim të kuadrove të ministrisë së Punëve të Jashtme të përgatitur posaçërisht. Ndalohej çdo zhvendosje përtej dyzet kilometrave nga kryeqyteti pa leje të posaçme, përgjim i vazhdueshëm nga agjentët e Sigurimit, detyrim për gratë e punonjësve të ambasadës të bënin pazarin vetëm në një dyqan të quajtur “Magazina diplomatike”, detyrim të shkoje te berberi i hotel “Dajtit”, agjent me patentë i Sigurimit dhe në çdo shtëpi të veçantë ekzistenca e aparaturave të dëgjimit të lidhura me centralin për njëzet e katër orë rresht në ditë.

Kontrolli punëtor

Njohja ime e gjuhës shqipe dhe leximi i gazetave dhe revistave të shumta të Partisë më lejonin të zbuloja “fletërrufetë” ose afishet e murit të kallëzimeve publike të imituara prej dazi-bahove kineze. Prandaj arrita të kuptoj më mirë vendosjen dhe zhvillimin e “kontrollit punëtor”, të “drejtësisë popullore” si dhe zbulimin çdo ditë nga Sigurimi të “armiqve të rinj të popullit” që furnizonin kampet e përqendrimit dhe minierat e Spaçit, Burrelit, Kërrabës, Maliqit, Karaburunit… Në këtë mjedis veçanërisht mbytës askush nuk ishte i sigurt, për këdo dhe çdo bisedë e çiltër ishte e pamundur. Kështu vlerësohej më mirë kuptimi i heshtjeve, i atyre që nuk thuheshin, i gjesteve të thjeshta të marrëveshjeve të heshtura e të kuptuarit pa folur. Me gjithë mbrojtjen relative të statusit tonë diplomatik, ne na konsideronin si spiunë potencialë dhe të trajtuar në përshtatje me të.

Incidentet

Në këto rrethana me të vërtetë armiqësore, mjedisi i Ambasadës së Francës nuk mund të ishte i qetë, aq më shumë se në katër vjet ne jetuam një varg incidentesh e katastrofash për të të ardhur keq. Më kujtohet vetura e një kolegu që fluturoi në një humnerë prej njëqind metrash, në malet e Veriut, për shkak të një kamioni ushtarak që me dashje nuk i la asnjë mundësi të qëndronte në rrugë, heqja një vit e lejes për të ngarë makinën, për Anne-Marian, dëbimi i atasheut tonë ushtarak të deklaruar “persona non grata”, dëbimi e radistit i dyshuar për lidhje me një fuqi të huaj, dëbimi i atij që e zëvendësoi pa ndonjë arsye të fortë. Atë kohë ndodhi gjithashtu ushtrimi i dhunës mbi të ngarkuarin tonë me punë në çastin e “ndërprerjes normale të qëndrimit të tij” me 1968, pasi kishte qëndruar katër vjet në Shqipëri. Ky incident solli me vete një raport të gjatë prej dymbëdhjetë faqesh në ministrinë franceze të Punëve të Jashtme. Ndërsa ish nisur për Paris, disa kilometra larg kufirit, në rrugën për në Elbasan, vetura e tij u arrit nga veturat e Sigurimit e njerëzit që ishin brenda e urdhëruan të zbriste, e shpunë me forcë në një hotel të qytetit ku gjatë gjashtë orëve u mor në pyetje të pareshtura, të shoqëruara me kërcënime dhe goditje. Ai u detyrua t’u përgjigjej shumë pyetjeve mbi secilin prej nesh dhe për veprimtarinë e tij “antishqiptare”! Gjatë pyetjes, një oficer shqiptar i tregoi çelësat e dyta të zyrës së Ambasadorit, të portës së rezidencës, të kancelarisë, të kasafortës, me një fjalë, ne qemë plotësisht të kontrolluar, por të paktën e morëm vesh! Morëm urdhër nga Parisi të digjnim të gjitha arkivat, të gjitha telegramet që ndodheshin në kasafortë e të ndërronim çdo javë kombinimet për hapjen. Por veç këtyre, qeveria franceze nuk mori asnjë kundërmasë.

Përgjimet

Duhej me çdo kusht të qëndronim në Shqipëri ku vetëm tri ambasada perëndimore (Turqi, Itali, Francë) ishin akredituar dhe nja pesëmbëdhjetë ambasada socialiste. Po edhe këto të fundit nuk trajtoheshin më mirë nga ne. Jugosllavët kishin maksimumin e përgjimeve dhe të dëbimeve; para arritjes sonë, atasheu kulturor çek kishte vrarë veten, këshilltari turk ishte hedhur nga dritarja, bullgarët rregullisht dëboheshin e vinin pas gjashtë muajsh, ambasadori i Polonisë u deklarua “persona non grata” në përgjigje se edhe polakët kishin vepruar kështu ndaj ambasadorit shqiptar në Varshavë. Ambasada e Guinesë kishte qenë mbyllur për arsyen se mbas qëndrimit të saj një vit në Shqipëri, punonjëset e reja shqiptare të kësaj ambasade kishin lindur fëmijë “të zinj”! Këta të paktën sigurisht kishin pasur kontakte me popullsinë!

Ambasadori na vdiq në duar, mjekët refuzuan ndihmën e parë

Në tetor 1968, vdekja e ambasadorit tonë, Shkëlqesisë së Tij, Yves Pinauldt, pas një infarkti, i braktisur nga mjekët shqiptarë që refuzonin të kujdeseshin për të para se të mbërrinin kuadrot e partisë të ngarkuar për të vëzhguar çdo mjek që punonte në ambasada, i acaroi mjaft marrëdhëniet. Kjo çmenduri fanatike na dëshpëronte pa masë sepse Franca nuk kishte ndonjë qëndrim të prerë të pafavorshëm ndaj Shqipërisë ndërsa në konsullatë unë isha i ngarkuar të trajtoja njëqind bursistë shqiptarë të qeverisë franceze. Konstatoja se kjo mori përuljesh e poshtërimesh nuk bënte veçse të tërbonte kolegët e mi e t’i nxiste të shfaqnin shpejt a vonë kundërshtimin e tyre të thellë ndaj kësaj qeverie të kapur nga ksenofobia e nga një mani spiunimi të shfrenuar. Vetëm prania e fëmijëve tanë në shkollat e Tiranës na tërhiqte një “dashamirësi” relative të autoriteteve dhe prandaj munda kështu të kuptoja më mirë situatat që kolegëve të mi u përplaseshin me furi e i duronin me zor.

Parullat kundër SHBA-ve dhe BS-së

Më ndodhte të takoja turistë, sidomos marksistë-leninistë francezë, belgë, zviceranë, më marksistë se Marksi. Harronin përgjithësisht të na njoftonin për arritjen e tyre, por vinin të na takonin kur kishin ndonjë problem (humbje pasaporte, vjedhje materiali, sëmundje etj…); njohja ime e gjuhës me jepte disa avantazhe kundrejt kolegëve të mi ose bashkëqytetarëve në hall. Kisha kënaqësi t’u përktheja kureshtarëve përmbajtjen e ndonjë parulle që hijeshonte stadiumet dhe malet, ose banderolat shumë të mëdha që prisnin turistët perëndimorë në hyrje të plazhit të Durrësit: “Vdekje imperializmit amerikan!…” Për turistët që vinin nga vendet e Lindjes ishte: “Vdekje revizionizmit sovjetik!” Këto shërbenin në fillim për të krijuar atmosferën! Kishte ditë kur të gjitha gazetat i kushtonin faqe të tëra luftës kundër Perëndimit, Europës “dekadente” etj. Në çaste të tilla nuk duhej çuditur nga agresiviteti rrethues, nga heshtja e menjëhershme e partnerëve tanë të zakonshëm e nga qëndrimi armiqësor i fëmijëve kundrejt nesh. Në këtë vend, jeta shoqërore dhe jeta shkurt ecte me ritmin e politikës, të deklaratave provokuese të udhëheqësve ose të “etheve” prej zellit proletar.

Zyrtarët abuzonin me emrin e Enver Hoxhës

Shqipëria ishte “Kalaja e pamposhtur” buzë Adriatikut. Atë e kishin smirë gjithë vendet e Europës që e kishin rrethuar, të tërbuar nga sukseset e saj… Aty e kishin burimin një mori ndodhish të përditshme kuptimplota: partnerët tanë të ministrisë që nuk pranonin kurrë një bisedë private, ndalimi për çdo mjek shqiptar të hynte në një familje perëndimore pa qenë i shoqëruar nga një anëtar partie, refuzimi i një prej këtyre mjekëve t’i jepte ndihmën e shpejtë Ambasadorit, përgjimi i vazhdueshëm i te gjithë diplomatëve, kontrolli sistematik dhe i rregullt i banesave e i valixheve të turistëve në hotelet Dajti, Adriatik ose Tirana, futja në çdo familje e një guvernanteje që varej nga Sigurimi dhe e ngarkuar të spiunonte familjen në fjalë, gjë që i kushtoi të ngarkuarit tonë me punë, shumë i afruar me të ose i tërhequr nga hiret e saj, të binte brenda rrjetës së agjentëve të Sigurimit ditën e ndërprerjes së qëndrimit të tij më 1968. Në këtë kategori futej edhe roli i veçante i “drejtuesve” të Albturizmit të ngarkuar me turistët e huaj, që ishin nën kontroll të vazhdueshëm, dhe që duhej, në shpjegimet që jepnin, të zinin në gojë katër ose pesë herë emrin e shokut Enver Hoxha, rolin e madh të marksizëm-leninizmit, sukseset e mahnitshme të planit të “tejkaluar” çdo vit me dyqind ose treqind për qind. Është e vërtetë, të paktën në dukje, se në atë kohë, ekonomia shqiptare sikur ecte, po për një vrojtues të stërvitur misteri qëndronte në ndihmat e konsiderueshme internacionaliste ruse e kineze, në punën e papaguar të “vullnetarëve” në sistemin e ujitjeve, në plantacionet, në ndërtimin e hekurudhave ku dha jetën një vajzë e re pesëmbëdhjetëvjeçare, Shkurte Pal Vata, në kantierin e Rrogozhinë-Fierit, në të njëjtën kohe heroinë kombëtare dhe skllave e punës së detyruar. Duhet përmendur gjithashtu tharja e kënetës së Maliqit dhe e fushës së Myzeqesë nga “armiqtë e popullit” dhe puna e detyruar e tetëdhjetë e pesë mijë të burgosurve politikë në minierat e bakrit, hekurit, nikelit, qymyrit të Spacit, Burrelit, Rubikut, Krrabës etj. Shkurt, përdorimi i metodave të vjetra teknike të shokut Stalin, që patën aq sukses në kampet e përqendrimit në Siberi, ose në tokat e virgjëra të Kazakistanit.

Sigurimi na ndiqte brutalisht

Më vjen ndërmend një anekdotë kuptimplotë e mjedisit ku jetonim. Gruaja ime dhe unë qemë vazhdimisht të ndjekur ditë e natë jo nga një përgjim i matur e i rezervuar si bëhet në Perëndim, por nga një ndjekje e drejtpërdrejtë, brutale, që dekurajonte çdo nismë ose kuriozitet të dëmshëm. Në përgjithësi, mbi të gjitha, kishim marrëdhënie të mira me ata që na ndiqnin. Gjatë katër vjetëve arritëm të njiheshim. Ata gëzoheshin kur merrnim makinën, se në atë rast ata hipnin Fiat-in e tyre blu e na ndiqnin natën me drita të fikura. Dendur në mbrëmje, për të thithur pak ajër të pastër të kryeqytetit më të pandotur nga pikëpamja ekologjike ta Europës, bënim ndonjë shëtitje më këmbë. Një mbrëmje, meqë Anne-Marie nuk mund të më shoqëronte, dola vetëm dhe pata përshtypjen e çuditshme se nuk isha i ndjekur, gjë jashtë normales së përditshme, prandaj për herë të parë në jetën time në Shqipëri, pata frikë dhe i trembur u ktheva në shtëpi. Tirana, natën, që nga ora njëzet, ishte një qytet i shkretë. Kalimtarët e rrallë që takoja, ecnin rrëzë mureve e shpejtonin hapin sa shihnin një të huaj. Na kishte qëlluar që edhe ditën, me makinë, të pyesnin ndonjë për rrugën, dhe kalimtari që zbulonte numrin tonë diplomatik largohej sikur të kishte parë djallin. Vetëm në fshatra na sqaronin veçanërisht barinjtë e maleve, me buzëqeshjen e tyre të gjerë, por nuk jam i sigurt nëse dinin të lexonin apo jo. Sidoqoftë ne do t’i kujtojmë gjithmonë barinjtë shqiptarë me feste të bardhë e me setrën prej lëkure dhie, personazhe të harruar ndërmjet qiellit dhe tokës në këtë vend të “shqiponjave”. Të lodhur nga ky mosbesim e nga ato telashe të kota, nganjëherë diçka na shtynte të bënim të dështonin ato keqfunksionime të atij oktapodi policor e politik që e kishte emrin “Sigurim”.

Marrë nga “Shqiptari i Italisë”
Gazeta Ballkan, 5 mars ’18

Postime të ngjashme