Si realizohej dekori në fushatat elektorale komuniste?

tirana ne votime

“Të gjitha votat për kandidatët e Kuvendit Popullor”, “Votat për Frontin Demokratik”, këto ishin disa nga thirrjet paraelektorale gjatë viteve të diktaturës. Dhe ashtu ndodhte: 99.9% e votave shkonin për Frontin Demokratik. E si mund të ndodhte ndryshe, kur ishte i vetmi kandidat në garë? Sot, sigurisht, historia ka ndërruar. Larushi flamujsh valëviten ditëve para fushate: të kuq, blu, rozë, violë… Në këtë fushatë të fundit për zgjedhjet parlamentare, e cila finalizohet sot në të gjithë Shqipërinë, fatmirësisht muret e pallateve e rrugët shpëtuan nga posterat e banerat me gjithfarë sloganesh e fytyrash të ngërdheshura e me dorë në zemër, thua se po dergjen për këtë popull.

Por patetizmi i fushatave është i trashëguar. Banera e fotografi kandidatësh mbushnin Shqipërinë socialiste të para ’90-s, edhe pse alternativa nuk kishte. Vetëm ngjyra e kuqe dhe parulla të miratuara nga Komitetit Qendror i Partisë. Isa Daja është një ndër specialistët veteranë të Dekorit të famshëm të Tiranës. Ishte fare i ri, 15-16 vjeç, kur nisi punë, në vitin 1971. Nga një punonjës i thjeshtë në ato fillime për të kaluar vit pas viti në poste drejtuese ka qëndruar aty deri në vitin 2012, kur u shkëput për të organizuar aktivitetin e tij privat.

Në harkun e dyzet viteve në këtë sektor, Daja kujton gjithçka duke e sjellë me detaje: Si u transformua dhe u përdor në vite Xhamia e Dine Hoxhës si ndërmarrje dekori, si realizohej dekori i kryeqytetit dhe i qyteteve të Shqipërisë me rastin e votimeve; cilët ishin personat që u besohej zbukurimi festiv. Nga piktorët, drejtorët, gratë punonjëse, bezja e kuqe, përgatitjet, atmosfera, vrulli, puna pa orar, pagesat e larta dhe kontrolli i vazhdueshëm nga Komiteti Qendror i Partisë për të mbajtur nën vëzhgim situatën e prag votimeve. Si përgatitej në heshtje qendra rezervë e votimit ku mund të shkonte Enver Hoxha e udhëheqës të tjerë të Partisë. Çfarë shkruhej në banerat, frika për të mos gabuar, deri në vështirësitë e parullave në gjuhën kineze.

isa-daja

Z.Daja, cila është historia e dekorit të Tiranës?

Dekori në përgjithësi dhe ai i Tiranës në veçanti ka funksionuar nga koha e mbretit Zog, pra ka traditë të hershme. Pas viteve ‘45, Dekori ishte i përqendruar në disa magazina në qendër të Tiranës, te Karapicët, mbrapa pastiçeri “Agimit”, në fillim të rrugës “Kongresi i Përmetit”, sot Rruga e Durrësit. Pastaj, në fund të viteve ‘60, me ndalimin e besimit fetar ai u vendos te xhamia e rrugës “Konferenca Peza”, sot Rruga e Kavajës, Xhamia e Dine Hoxhës. Për shumë dekada xhamia ka funksionuar dhe ka qenë qendra kryesore e Dekorit të kryeqytetit, i vetmi deri në vitet ‘90. Aty ishin rreth 20 punonjës, piktorë, marangozë, rrobaqepës, bojaxhinj etj.

Sa rëndësi kishte shkrimi?

Shkrimi kishte rëndësi shumë të madhe. Duke qenë se në ato vitet kishte mjaft analfabetizëm, ata që kanë punuar në krijimin e fillimet e tij ishin njerëz të shkolluar. Kujtoj Sedat Ohrin, Niko Bonatin, Pelash Toptanin, Filip Lulin, të gjithë të arsimuar, madje edhe jashtë vendit. Gjithçka kryhej me furçë me bojë vaji dhe kompjuteri i sotëm ishte një projektor që aplikohej për të zmadhuar germën. Ndërsa printeri ishte pistoleta, përdorimi i së cilës filloi më vonë e që shërbente kryesisht për stampa, parulla, portrete, flamurë. Ato ishin pistoleta italiane të të gjitha madhësive

Cilët ishin personat që kanë punuar aty?

Atë punë nuk e bënte kushdo. Aty kanë punuar njerëz të aftë, të nderuar, që edhe pse me “biografi jo të mirë” i është besuar dhe janë autorizuar ta ushtronin zanatin në një vend pune delikat si Dekori. Piktorët, nga Sedat Ohri, Niko Bonati, Pelash Toptani, Filip Luli, Hyqmet Hoxha, Ludovik Verra, Adnan Veseli (Halili), Leka Rrulla, Bedri Seferi etj., kanë dhënë një kontribut kolosal në këtë ndërmarrje. Kishte raste që për festa kombëtare, evenimente madhore angazhoheshin edhe piktorë të njohur si K. Kodheli, A. Oseku, E. Hila, Q. Prizreni, F. Mezini etj., kryesisht për portretet e udhëheqësve. Besoj periudha e votimeve ka qenë më e ngarkuara për ju.

Si organizohej pragfushata?

Dekori ishte i specializuar, por programi, porositë, orientimet i merrte nga Komitetet i Partisë se si do të organizohej e zhvillohej fushata e votimeve. Lyheshin me bojë pallatet, ndërtesat, fasadat, rrugët etj. Idetë për grafika, pllakatet e mëdha, i hartonte, projektonte dhe i aprovonte një komision me piktorë profesionistë, si Zamir Mati, Gjergji Marko të njohur në këtë fushë. Një parullë apo baner kishte maksimalisht 56 germa dhe një germë kishte vlerën prej 4 lekësh. Pagesat i mbulonte dhe i e kryente Komiteti Ekzekutiv dhe buxheti për dekorin nuk mbaronte asnjëherë. Ndërkohë lagjja kishte këndin e saj ku vendoseshin fotografi të udhëheqësve, madje edhe në rrugë kishte kënde të posaçme për reklamat e kohës, që ndryshonin sipas festave, ngjarjeve, si ato të 1 Majit, 28-29 Nëntorit etj.

Ka pasur raste që gabohej?

Asnjëherë! Nuk ekzistonte asnjë mundësi të gabohej. Duke qenë se kontrolli, përgjegjësia, frika, kujdesi në çdo germë, ishte e madh, shmangte çdo mundësi gabimi apo pakujdesie. Atë ndërmarrje e kanë drejtuar njerëz me shumë autoritet, të njohur e me eksperiencë, pasi këtij sektori i duhej një gjë e tillë. Drejtorët e përgjegjës të dekorit kanë qenë Hasan Alimerko, Nazif Ruli, Perikli Shomo, Bedri Seferi, Nazmi Hoxha, Burham Cami, Qemal Podgorica. Por ka pasur edhe shumë gra që nga dita e krijimit të tij, deri kur kanë dalë në pension si: Bardha Pilkati, Lume Toptani, Luiza Panduku, Angjelina Xhori, Premtika Plaku, Bukurije Daja, që kanë kryer funksione të ndryshme, nga piktore, punonjëse të stampës, rrobaqepëse etj. Pa harruar mjeshtrit M. Cali, L. Caushi, H. Katroshi etj.

Kishte ndonjë përkujdesje të veçantë për qendrën ku votonte Enver Hoxha?

Gjatë periudhës së votimeve, rëndësi kishte qendra ku do të votonte Enver Hoxha, pastaj Mehmet Shehu e Ramiz Alia. Për të tjerë udhëheqës nuk kishte këtë interes si me tre të parët, e në veçanti me Enver Hoxhën. Ndonëse dihej që ai votonte te Kopshti 31, afër Bllokut, deri kur ai nisej për të votuar, nuk u tregonte se ku do të shkonte, kjo lidhur me situatat politike të kohës, pasi mundej që në çastin e fundit ai ta ndryshonte qendrën e votimit, duke shkuar te Shtëpia ku u Themelua Partia, e cila duhet të ishte gati për gjithçka, siç e kërkonte protokolli në vendet ku shkonte Hoxha. Ne qëndronim gjithë natën në gatishmëri, deri në orën 6 të mëngjesit për të kompletuar qendrën ku papritur ai mund të shkonte.

Çfarë shkruhej, cilat ishin parullat tipike?

Në përgjithësi ato ishin standarde dhe nuk i shmangeshin formatit të kohës: “Të gjithë në votime”, “Të gjitha votat për kandidatët e Kuvendit Popullor”, “Votat për Frontin Demokratik”, “Një votë e popullit, është një plumb për armikun” etj. Me përfundimin e votimeve, materialet, banerat, parullat sistemoheshin në magazinë për të qenë të gatshme e për t’i përdorur në votimet e ardhshme. Për këtë aplikohej një libër, në të cilin në mënyrë të koduar vendoseshin numrat e banerave, që ato të mos humbisnin e ngatërroheshin për t’u gjetur pa problem kur të ishte nevoja

drejtues dekori

A kishte kontroll nga Partia?

Sigurisht që po. Instruktorë të Komitetit të Partisë vinin rregullisht në ndërmarrjen tonë të Dekorit dhe ndiqnin, udhëzonin për gjithçka, deri edhe që presja të mos ndryshonte. Tekstet vinin të përgatitura prej tyre, e duhej që një javë përpara gjithçka të ishte gati. Në dhomë ku do të votohej detyrimisht duhet të vendosej fotografia e Enver Hoxhës, një baner lidhur me votimin dhe kutia e votimit me foton e kandidatit që vishej me beze me ngjyrë të kuqe. Ndërkohë, në qendrën e votimit nga njerëz të besuar të lagjes organizohej e kryhej shërbim i vazhdueshëm vullnetar në 24 orët e fundit. Gjatë procesit të votimit nuk kishte as vulë, as shenja në gishta, nga ato që përdoren sot.

Kështu veprohej në gjithë Shqipërinë?

Ndërmarrje Dekori kishin të gjitha qytetet dhe për votime, kongrese, manifestime, festa, ardhje delegacionesh mobilizoheshin të gjithë, nga punëtorët, deri te piktorët e drejtuesit. Kur ishin zgjedhjet për në Kuvend, pra për kandidatët dhe deputetët e Kuvendit Popullor, dihej në vija të përgjithshme mënyra e zbukurimit të qyteteve, kryesisht me flamurë dhe me parulla kompletoheshin kryesisht rrugët kryesore, si Kinostudio-Kombinat, rruga “Kongresi Përmetit”, Lapraka, Bulevardi, shkollat, qendra pune, dikastere deri edhe në stadiume, mjedise sportive. Montimi, vendosja e tyre kryhej nga punëtorët e një reparti të ngarkim shkarkimit dhe në vendosjen e tyre shfrytëzoheshin rreth 100 kulla të shpërndara në qytete (kështu quheshin vendet që mbanin parullat) ku vendoseshin pllakatet gjigante, të cilët ndryshonin sipas fushatave.

Si organizohej puna?

Puna fillonte një muaj para ditës së votimit. Periudha e fushatës ishte pa orar, shumë e lodhshme, por edhe pagesat ishin të larta. Në ato kohë kemi arritur të marrim deri në 24 mijë lekë në muaj, që do të thoshte 4-5 rroga nga ajo normale. Si bazë tekstile për banera përdorej një copë e kualitetit të lartë që prodhonte Kombinati i Tekstileve “Stalin” dhe ai “Mao Ce Dun” në Berat. Quhej kabot, ishte e ashpër, përballonte çdo ndryshim atmosferik, me ngjyrë të kuqe, por edhe të bardhë për pllakate. Banerat ishin të gjatësisë nga 6 deri në 8 metra për ato që vendoseshin në rrugë dhe me gjerësi deri 90cm. Në kabotin e kuq shkruante me të bardhë, me një solucion që përgatitej me oksid zinku e vinovil, materiale që vinin nga Jugosllavia, pastaj nga Italia.

Si realizohej fotoja gjigante e Hoxhës?

Fotografia e madhe e tij, një kompozim i fotografit të njohur Petrit Kumi, stampohej në rripa letre fotografike me ngjyra në ATSH. Pastaj bëhej unifikimi i tyre që realizohej, duke i vendosur ato mbi një dok Berati, ku me shumë kujdes ngjiteshin me vinovil. Ky bashkim në përmasat 6 x 4 m krijonte një telajo të fortë, solide dhe rezistente ndaj kohës, duke u vendosur më pas në fasadat kryesore të qytetit që kërkonin hapësira të mëdha. Shkruhej edhe në gjuhë të huaj? Sigurisht, por gjithmonë në rastet kur në Shqipëri vinte një delegacion i huaj, apo në kongrese, ngjarje sportive në stadium apo pallat sporti, sidomos në kohën e miqësisë shqiptaro-kineze, apo evenimente ku ishin të pranishëm e të ftuar njerëz, personalitet nga vende të ndryshme të botës. Vështirësi kishte kur përgatiteshin parulla në gjuhën kineze. Përkthimi vinte nga qendra të autorizuara dhe për banerat kineze duhej treguar shumë kujdes në shkrim, pasi germat ishin të vështira dhe në mjaft raste punonim duke mos ditur se çfarë thuhej në to.

Nga syri i një specialisti të vjetër, si i vlerëson fushatat elektorale sot?

Fushata, në rastin konkret, për votimet në Parlament, në kohët e sotme ka ndryshuar. Ndonëse organizohet nga KQZja, ajo bëhet nga secila parti, si në aspektin financiar dhe atë organizativ. Në çdo qytet ka shumë pika dekori të specializuara, madje në Tiranë janë disa të tilla, të gjitha private dhe që u shërbejnë partive në fushatën që ato organizojnë. Sigurisht që nuk ka më banera shabllon, jo vetëm ngjyra të kuqe, por larmi ngjyrash provokuese, të ndezura, ka shumë materiale, mjete, duke filluar nga kutia, banerat etj. Nuk ka më vetëm një votim siç ishte ai për Kuvendin Popullor, por tani votimet kryhen edhe për zgjedhjet vendore. Ka postera, të cilat nuk ekzistonin atëherë, por nuk ka më Dekor që të varet nga Komiteti i Partisë, ai Ekzekutiv dhe nga Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale.

 

Burimi: http://www.panorama.com.al/si-zhvilloheshin-fushatat-zgjedhore-para-90-s-kush-i-miratonte-parullat/

 

 

Postime të ngjashme