Si u vodh vepra e Sabiha Kasimatit pas pushkatimit të saj

sabihakasimati

Sabiha Kasimati ka qenë ihtiologia e parë shqiptare. Një shkencë e vështirë, por njëkohësisht e domosdoshme dhe e re për vendin tonë në vitet ‘40. E para që studionte faunën e ujërave të ëmbla dhe kishte eksperimentuar deri te kryqëzimet embrionale të peshqve. Madje ajo ishte e para që kishte bërë edhe universitetin në një degë që deri atëherë nuk kishte studiuar asnjë shqiptar, Ihtiologji.

Në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit te Torinos, ku ajo studionte i kërkuan të qëndronte për të punuar, sepse ishte diplomuar shkëlqyer dhe u dallua për zotësi e aftësi të veçanta shkencore, dhe Sabihaja u kthye ne atdhe, pa e ditur se e priste martirizimi. Historia e saj tragjike është bërë prej vitesh e njohur, por vepra e saj ende nuk është mbledhur dhe nuk është botuar as nga Akademia e Shkencave, as nga institucionet e tjera.

Një pjesë e veprës së Kasimatit ka mbetur në arkiva dhe pjesa tjetër që është përdorur për studime shkencore është ribotuar, por e përvetësuar nga persona të tjerë. Në vitin 1955, shteti komunist ribotoi veprën e dr.Sabiha Kasimatit, jo me emrin e saj, por me emrat e rusit Anatolij Poljakov dhe të dy studiuesve fillestarë: Ndoc Filipit dhe Ndoc Rakajt. Në një simpozium të dy vjetëve më parë u premtua mbledhja dhe botimi i veprës, vendosja e autorësisë së vend, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Është e kuptueshme se pas pushkatimit, vepra e Kasimatit që i kushtoi asaj 10 vjet studime nuk mund të flakej nga diktatura sepse ishte e dobishme për ekonominë dhe shkencën shqiptare, por asaj iu mohua pronësia mbi veprën, emri. Zbulimet e saj shkencore u përvetësuan nga emra të tjerë. Cilët ishin autorët dhe në cilat kushte iu grabit krijimtaria shkencëtares së talentuar Sabiha Kasimati?

Studiuesi Uran Butka, ish i dënuar politik i pyetur nga “Shqiptarja.com” tha se u veprua në këtë mënyrë. “Vepra e Kasimatit i duhej shkencës shqiptare dhe universiteteve. Ndaj për ta maskuar librin akademikët i vunë si emër të parë emrin e një rusi anonim, Anatolij Poljakov, i cili nuk ekzistonte dhe emrat e dy autorëve shqiptarë, qe sapo kishin nisur të bënin kërkime shkencore, Ndoc Rakaj e Ndoc Filipi, të cilët me këtë vepër morën edhe tituj e doktorata dhe vijuan ngjitjen në karrierë në veprimtarinë e tyre pedagogjike dhe shkencore”, ka deklaruar Butka ne simpoziumin ku u premtuar rikthimi dhe botimi i veprës me emrin e autores së vërtetë.

Nuk ka asnjë shenjë, asnjë fjalë, asnjë ndjesë nga Akademia e Shkencave për këtë ribotim, që para dy vjetësh kur u zhvillua simpoziumi shkencor.

Burimi: http://shqiptarja.com/Kulture/2730/vepra-e-sabiha-kasimatit-butka-ja-si-e-vodh-n-akademik-t-406464.html

 

Postime të ngjashme