Burgu i Spaçit, një memorie që s’mund të fshihet kurrë

Burgu i Spaçit

Nga Preng Cara

Burgu i Spaçit, një nga shëmbëlltyrat më të urryera të regjimit të egër që ka parë njerëzimi në diktaturë, u ndërtua në vitin 1968, në krahinën e Mirditës, vetëm një orë larg Milotit, përgjatë Rrugës së Kombit. Sot është i shpallur muze. I vendosur përqark një miniere të viteve 30-të, e hapur nga italianët, në një luginë të rrethuar mes malesh të larta për shfrytëzimin e mineralit të bakrit, u bë gjatë diktaturës varri e persekutimi çnjerëzor i të burgosurve politikë, të cilët jo vetëm se ishin të izoluar e të privuar nga liria, “kavje’’, por edhe të detyruar të punonin si skllevër të kohërave moderne në galeritë e vdekjes të një shteti burg në zemër të Europës.

Në vitet 1970, numri i të burgosurve në atë burg arriti deri në 1 400 vetë. Është me vend të përmendet Revolta e famshme e Spaçit, ku më 21 maj të vitit 1973, të burgosurit politikë, të dërrmuar nga punët e rënda, kushtet e këqija, ushqimi i mangët, dhuna fizike, psikologjike dhe shkatërrimi i orientuar e i komanduar i personalitetit njerëzor, shpërthyen në një revoltë të paparë masive, e cila do të jetojë gjatë në memorien kolektive se gjunjëzoi përkohësisht shtetin ideologjik të asaj kohe. Të burgosurit në kampin pothuaj të braktisur ato ditë nga rojat e frikësuar të burgut, dolën hapur me parulla të fuqishme kundër regjimit të Hoxhës, diktaturës së egër komuniste dhe ideologjisë marksiste-leniniste. Në atë revoltë dinjitoze u hodh për herë të parë parulla “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa’’, në kulmin e së cilës u ngrit flamuri kombëtar, i improvizuar me mjete të rastit pa yllin komunist.

Pas tre ditë përpjekjesh, revolta e Spaçit u shtyp me dhunë e gjak nga trupat dhe falangat ushtarake të një shteti nga më të egrit që ka njohur historia e diktaturës komuniste. Nxitësit e saj, organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë, u ndëshkuan me tortura e rritje të dënimit në birucat e burgut, dhe 4 prej tyre, si Hajro Pashai, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja u dënuan me pushkatim. Është rrëqethëse kur viziton burgun e Spaçit, pasi aty kupton se edhe pas 25 vitesh demokraci nuk mund të harrohet lehtë kalvari i vuajtjeve që kaluan të burgosurit e të persekutuarit politikë gjatë 32 viteve të dënimit në minierën e vdekjes. “Të persekutuarit politikë janë diamantet e një kombi. Ruajini në unaza zanash’’ [Oskar]. Kështu, ata, përveç privimit të lirisë bënin edhe punë të detyruar në minierën e bakrit.

Në galeritë e errëta e të lagështa të dënuarit punonim me turne, pa ndërprerje 24 orë, duke nxjerrë me krahë 7 tonë mineral. Kush nuk realizonte normën dënohej i lidhur këmbë-e-duar në qelitë e ftohta, në borë e acar. Në çdo rast ata ishin të survejuar, të censuruar, të përndjekur dhe të provokuar nga elementë të infiltruar për t’i mbajtur nën kontroll të plotë nga shkelësit e rregullave të kampit. Të afërmit që vinin për të takuar njerëzit e tyre bënin 7 km rrugë në këmbë, që nga Repsi në Spaç, sepse kamionët e transportit të mineralit e kishin të ndaluar t’i merrnin se konsideroheshin familje armike të popullit.

Në kodrën përballë burgut ka ende trupa të burgosurish që vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit dhe u varrosën si kafshë, fshehurazi, për të mos u gjetur kurrë. Vuajtja e të dënuarve në burgun e Spaçit ishte rezultat i akuzave të rënda të ngritura nga regjimi i Hoxhës, si agjitacion e propagandë kundër pushtetit, armëmbajtje pa leje, spiun e përkrahës i pushtimit fashist, kundër luftës Nac-çlirimtare, pjesëmarrës në grupazhe kundër regjimit, strehim diversantësh e lidhje me reaksionin e jashtëm. Një pjesë e të dënuarve politikë ishin intelektualë të kalibrit të parë, si shkrimtarë, ekonomistë, studiues, klerikë etj., si At Pjetër Mëshkalla [klerik], Hafiz Sabri Koçi [klerik], Fatos Lubonja [publicist, analist] etj.

Siç dihet, mbas viteve 90-të e deri në vitin 2012, burgu u la qëllimisht për t’u fshirë nga memoria kolektive, pa mbrojtjen e shtetit, dhe u shkatërrua pothuajse totalisht nga njerëzit e agjentët atmosferikë. Fatkeqësisht sot kanë mbetur disa rrënoja, gërmadha e ngrehina të përçudnuara, të zhveshura e të parrethuara, vetëm me disa tabela orientuese, por që mjaftojnë në qoftë se do të kishim përkrahjen shtetërore e respektin për atë shtresë të vuajtur gjer në palcë, për t’u përcjellë gjeneratave të reja ndjesinë emocionale të persekutimit komunist gjatë diktaturës në Shqipëri. Duke parë rëndësinë që ka ky burg për të transmetuar këtë pjesë të dhunshme të historisë, që ajo të mos përsëritët dhe ish-të burgosurit e ndërgjegjes të rehabilitohen nga shoqëria shqiptare, “Komisioni Drejtësi dhe Paqe i Shqipërisë” në bashkëpunim me organizatat gjermane “Renovabis” dhe “Maximilian Kolbe”, të cilave duhet t’u jemi mirënjohës, kanë marrë përsipër ruajtjen dhe kthimin e tij në muzeum.

Por siç dihet, shoqëria shqiptare pas kaq vitesh demokraci, fatkeqësisht ende ka mbetur mes demokracisë jofunksionale dhe një diktature të re. Varfëria në kulm, përballë një kaste që pasurohet çdo ditë. Burgu, çimkat dhe videoregjistrimet të kujtojnë kohën e hidhur të diktaturës. Të persekutuarit politikë ende nuk janë integruar plotësisht në shoqëri e as të përfaqësuar sa duhet në organet ligjvënëse a në strukturat shtetërore. Ata nuk kanë marrë të gjitha pronat dhe dëmshpërblimet e kohës së vuajtjes së dënimit, bile as statusin e minatorit të galerive të nëntokës, përballë organeve të drejtësisë, të prokurorisë e të gjykatave që drejtësinë ta shesin me para. Ku spiunllëku, maskarallëku , poshtërsitë, pengmarrjet, vrasjet me pagesë dhe grabitjet e bankave janë ngritur në institucion.

Ky është realiteti i hidhur shqiptar. Ndërsa shqiptaret vuajnë për bukën e gojës e mjerimi i tyre është këmbëkryq ulur, largimi i tyre nga sytë këmbët ka marrë përmasa apokaliptike. Kërkohet që të gjithë të jenë spiunë të njëri tjetrit për të qenë të nënshtruar, a thua se ky është shteti ligjor? Spiunllëkun e kemi në parlament, ku videot dhe përgjuesit kanë plasur skandalet e shekullit. Ato i kemi në organet e drejtësisë e të prokurorisë ku survejohemi non-stop të gjithë. Janë vendosur në makinat e ministrave, vip-ave dhe shtetarëve për të ditur së çfarë bëjnë e me kë flenë. Bisneseve u vihet këmba në fyt. Falë taksave të larta që s’i mbartin dot, u vihen edhe spiunë me pagesë që rëndojnë në xhepin e shqiptarëve. Kamerat kanë mbërthyer rrugët, bizneset, bile kontrollojnë edhe familjet tona non-stop, duke shkelur edhe të drejtat më elementare të lirive të njeriut, pavarësisht se ato mbrohen nga konventat ndërkombëtare të këtij lloji.

Ej, Shqiptarë, hapni sytë, diktatura nuk ka brirë, ajo është prezentë në çdo qelizë të jetës e ngjallet sa herë harrohet. Terrori, krimi i organizuar, trafiqet njerëzore e shpërthimet me telekomandë përveçse marrin jetë njerëzish, ato ngjallin frikë e panik në masën e gjerë qytetare. Burgjet janë kthyer në kryefjalën e ditës. Mbi 38 mijë qytetarë varfanjakë janë proceduar e burgosur për shkak të energjisë elektrike, shumë të tjerë edhe për shkak të ujit, ku paraburgimi është kthyer në mbipopullim, fatura financiare rëndon mbi pabukësit dhe skandalet e qeverisjeve, peshqit e mëdhenj e korrupsioni i paparë në historinë e këtyre viteve nuk zhbirohet as nga ndërkombëtarët. Le t’i kthehemi edhe një herë të shkuarës, për të parë se çdo të ndodhë me të ardhshmen.

Jemi dëshmitarë të një kohe më të errët e të dhunshme që kanë parë sytë e shqiptarëve në 46 vjet diktaturë. Fatkeqësisht, Shqipëria mbas çlirimit nuk mori rrugën e perëndimit por zgjodhi atë të lindjes e të diktaturës më të egër që ka njohur historia. Sipas statistikave të “Institutit të të Përndjekurve Politikë”, në shkallë vendi , që nga viti 1993 e në vazhdim, kemi 42 772 persona që kanë vuajtur në burgjet dhe kampet e internimi dhe që kanë pasur të drejtën e përfitimit të statusit të të përndjekurit politik. Janë 5 548 të pushkatuar, 273 të sëmurë mendorë në qelitë e errëta të hetuesisë, 14 563 të burgosur politikë, 987 të vdekur nëpër burgje dhe 21 401 të internuar e të vdekur nëpër burgje. Vetëm Mirdita kishte 1 360 vetë të goditur nga diktatura, nga të cilët 754 të internuar, 606 të burgosur, 77 shtëpi të djegura nga forcat e ndjekjes, 38 familje të shpallura kulak e 40 vetë të planifikuar të zhdukeshin pa gjyqe.

Jemi në shekullin e njëzetenjë dhe fatkeqësisht pas 25 vitesh, Shqipëria ende nuk ka një demokraci funksionale, sepse informaliteti ka mbytur gjithçka e shtetarët notojnë në pasuri marramendëse me llogaritë e tyre të mbyllura në bankat jashtë vendit. Populli është varfëruar në kulm, për shkak të politikave qorre të qeverisjes së radhës, e cila përmes një euforie të paparë fsheh çdo ditë realitetin objektiv, që është informaliteti më i madh i cili duhet dënuar me gjithë forcën e shpirtit. Siç shihet, vendi po shkon drejt një varfërie, kaosi të pakthyeshëm dhe të një diktature të re. Kush do ta ndalë atë? Kjo do të varet nëse shoqëria shqiptare në tërësi do të jetë e aftë për t’i dalë zot vetes e për të stopuar një neodiktaturë. Vetëm kështu do të realizohet aspirata e shqiptarëve, për t’u bashkuar si komb plot dinjitet me familjen e madhe Europiane.

Gazeta 55, 15 shkurt ’18

Postime të ngjashme