Stani: Hapja e dosjeve proçes i vonuar

Lazer Stani, duke folur gjate nje ceremonie festive te organizuar me rastin e 25 vjetorit te themelimit te gazetes Rilindja Demokratike, RD, organ i Partise Demokratike./r/n/r/nLazer Stani, speaks during a festive ceremony organized to mark the 25th anniversary of the founding of the Democratic Revival newspaper, RD, an organ of the Democratic Party.

Nga Valeria Dedaj

Procesi i hapjes së dosjeve është një ndër nismat më të diskutuara në Shqipëri. Por, çuditërisht ky proces, nuk është aq fort i diskutuar nga viktimat, të cilët duhet të kërkojnë të njohin xhelatët e tyre, sesa nga individë që nuk janë të papërfshirë drejtpërdrejtë. Këta të fundit “në të mirë” të kësaj nisme publikojnë vazhdimisht materiale arkivore, që trajtohen si e vërteta përfundimtare rreth një ngjarje të caktuar. Por a mjafton kaq? Çfarë ndodh realisht me një dosje? Si sigurohen këto materiale që publikohen? A duhet lexuesi t’i marrë, si të mirëqena plotësisht? Përse më të kritikuarit për krimet e komunizmit janë artistët dhe shkrimtarët? Cila është puna që duhet të bëjnë historianët për hapjen e tyre etj., janë vetëm disa çështjet, që shkrimtari dhe publicisti Lazër Stani trajton në këtë intervistë për gazetën “Shekulli”.

Zoti Stani, fillimisht do donim të dinim se cili është mendimi juaj për hapjen e dosjeve në Shqipëri?

Hapja e dosjeve të ish- policisë sekrete të diktaturës, Sigurimit, është një proces i vonuar, i zvarritur në kohë, aq sa duket se nuk do të ndodhë kurrë, ose edhe në ndodhtë, do të jetë i pjesshëm, periferik, aq më tepër që arkivat, siç thuhet, janë abuzuar, dëmtuar, keqtruajtur, me qëllimin e vetëm që të fshihet e shkuara kriminale, monstruoziteti i një regjimi shtypës, vrasës, i pamëshirshëm, çnjerëzor. Kam qenë nga të parët që kam firmosur një peticion së bashku me Visar Zhitin dhe intelektualë të tjerë ku kërkohej hapja e dosjeve që në vitet nëntëdhjetë, ashtu siç u veprua në disa nga vendet e Lindjes ish- komuniste, si në Gjermaninë Lindore, Çekosllovaki, Poloni, Hungari etj., por rezistenca për moshapjen e dosjeve ishte shumë e madhe, gjithmonë shpikeshin argumente të ndryshëm për t’i mbajtur të kyçura këto dosje. Shkurt; mungonte vullneti për hapjen e dosjeve, sepse në të vërtetë mungonte vullneti për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara diktatoriale.

Në dy momente vendimtare të historisë tonë, ne na ka munguar guximi si popull të shkëputemi përfundimisht nga e shkuara: pas shkëputjes nga Perandoria e rrënuar Osmane, ne u përpëlitem shumë vite midis të shkuarës dhe projektit të së ardhmes europiane të kombit shqiptar. Njëjtë u sollëm edhe pas përmbysjes së diktaturës. Na mungoi guximi të shkëputemi një herë e mirë nga diktatura, ndaj gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit përpëlitemi midis të shkuarës diktatoriale dhe të ardhmes demokratike, duke u sunduar nga diktatorë të vegjël, që sillen e veprojnë si pashallarë, politikisht të dëmshëm dhe qesharakë në përmbajtje. Pikërisht për këtë mendoj se hapja e dosjeve është një hap i rëndësishëm për shkëputjen nga e shkuara. Ne duhet të kemi aq guxim si shoqëri sa t’i thërrasim gjerat me emrin e vet: të zezës t’i themi e zezë dhe të bardhës e bardhë.

Duket sikur procesi i hapjes së tyre (dosjeve) është kthyer në mision në vetvete, edhe kjo jo aq shumë nga viktimat, që kërkojnë të njohin xhelatët e tyre, por nga individë të caktuar (të papërfshirë drejtpërsëdrejti), të cilët publikimin e materialeve arkivore, e konsiderojnë një arritje të madhe personale. Çfarë mund të na thoni ju rreth kësaj, mendoni se publikimi i materialeve arkivore të personazheve publikë mund të bëhet nga kushdo?

Nuk ka patur deri tani hapje të dosjeve të policisë sekrete. Janë publikuar dëshmi periferike, kryesisht, materiale të marra nga Arkiva e Shtetit, që nuk përbëjnë ndonjë sekret. Natyrisht mes tyre është botuar edhe ndonjë raport i përgatitur nga Sigurimi Shtetit për udhëheqjen e lartë të partisë, për individë, ngjarje apo fenomene të caktuara, që gjithsesi dëshmojnë aspekte të kriminale të diktaturës, absurdin dhe marrëzinë e regjimit në të cilin kemi jetuar. Por gjithsesi kutia e zezë e dosjeve mbetet e pahapur.

Dokumentet janë fakte historike dhe historia si shkencë ka shumë për të bërë që të zbardhet gjithë e vërteta e frikshme e diktaturës. Por shkenca e historisë tek ne, për fat të keq, ende përpëlitet midis dogmatizmit dhe pasionit politik. Por si dogmatizmi, ashtu edhe pasioni politik, nuk të shpien tek e vërteta historike, përkundrazi të hallakatin; deformojnë dhe fshehin të vërtetën. Azem Shkreli, duke iu drejtuar poetëve shkruante vargjet: “Poetët duhet ta kenë një Perëndi/ dhe tjetër s’ka të vërtetën”. Historianët shqiptarë që kanë trajtuar periudhën e Luftës së Dytë dhe pasluftën, pra diktaturën, ende nuk e kanë zbuluar këtë perëndi, Perëndinë e Të Vërtetës, ndaj studimet e tyre dhe librat e botuar janë të dyshimtë. Mendoj se këtu nuk ka vend për protagonizëm, por për profesionalizëm, besnikëri ndaj fakteve historike dhe përkushtim ndaj të vërtetës.

Bie në sy, por materialet që bëhen publike kryesisht u përkasin artistëve, shkrimtarëve dhe rrallëherë individëve, që mund të kenë pasur funksione të rëndësishme shtetërore asokohe. Përse mendoni ju se ndodh kjo?

Është një histori e vjetër kjo, e pistë dhe e poshtër, që zë fill menjëherë pas shembjes së diktaturës. Arkitektët e dhunës dhe të regjimit diktatorial fërkonin duart, ndërsa shtypi mbushej me shkrime dhe akuza për shkrimtarët dhe artistët, sikur ata të na paskëshin qenë demonët e të keqes. Të dalë nga makthi i diktaturës edhe vetë shkrimtarët u bënë pjesë e kësaj loje të djallëzuar, u mobilizuan kundër njëri-tjetrit, u përfshinë në fushata poshtëruese, të nxitur edhe nga dobësitë e tyre si njerëz: smirat, zilitë, rivalitetet, armiqësitë e fshehta. Duke qenë emra publikë, shkrimtarët gjithnjë tërheqin vëmendjen, lexuesi gjithmonë është i etur të dijë sa më shumë rreth jetës së tyre. Dhe u arrit deri aty sa u krijua ideja krejtësisht e gabuar se diktaturën në Shqipëri e kanë ndërtuar dhe mbajtur në këmbë shkrimtarët dhe artistët, çka nuk është aspak e vërtetë. Vetë shkrimtarët dhe artistët kanë qenë shënjestra e lakmuar e Sigurimit të Shtetit, gjithmonë të përgjuar, gjithmonë të mbajtur nën mbikëqyrje, qoftë nga struktura të posaçme policeske, qoftë nga aparatçikët dogmatikë partiakë, që mbronin me besnikëri vijën e partisë. Diktatura në Shqipëri zuri të instalohej me vrasje shkrimtarësh në hapat e parë të saj: Vinçens Prenushi dhe at Anton Harapi ishin viktimat e para të pafajshme. Janë me dhjetëra poetët, shkrimtarët dhe artistët e arrestuar, burgosur, ekzekutuar në vitet e diktaturës. Në vitet e para u burgosen emra të njohur, si Musine Kokalari, Arshi Pipa, Petro Marko, Kasem Trebeshina, Pjetër Arbnori, u vazhdua me Frederik Rreshpen e Visar Zhitin dhe me dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Të tjerë poetë u ekzekutuan, si Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka për ta mbyllur me varjen e një poeti në grahmat e fundit të diktaturës -Avzi Nelës.

Pra në ferrin e krijuar nga diktatura shkrimtarët dhe artistët ishin on target, por edhe brenda këtij ferri, poetë dhe shkrimtarë krijuan poezi dhe proza dinjitoze, që mbetën një thesar i rëndësishëm për kulturën shqiptare. Është e lehtë t’i gjykosh sot në liri veprimet dhe sjelljet e njerëzve që jetonin me qafën në gërshërë. Dhe, për fat të keq, ashtu kanë jetuar shkrimtarët dhe artistët shqiptarë, edhe ata që dukeshin të përkëdhelur nga Partia. Sigurisht, si në çdo komunitet tjetër, edhe këtu pati individë që u thyen nga presioni, apo bashkëpunuan vullnetarisht me organet e represionit, u bënë palë me sigurimin, direkt ose indirekt morën pjesë në krime. Hapja e dosjeve gjithsesi, do t’i japë fund një amoraliteti abuziv ku gjithkush mund të akuzojë gjithkënd. Dhe në fund dua të shtoj se zhvendosja e skenës së krimit nga bodrumet e errëta të policisë sekrete dhe zyrat e zymta të zyrtarëve të lartë të shtetit komunist në tryezat e shkrimtarëve është një orkestrim djallëzor për të fshehur të vërtetën e krimeve të komunizmit në Shqipëri dhe një alibi që eksponentët e diktaturës i bëjnë të shkuarës së vet.

A mendoni se këto materiale duhet, që të studiohen imtësisht nga studiuesit e fushës dhe historianët para publikimit të tyre? Dhe a mendoni se kemi ne njerëz, që janë të përgatitur për këtë proces në vendin tonë?

Mendoj se nuk duhet të ketë më censurë, abuzim me sekretin që sjell fshehjen e të vërtetës. E vërteta, cilado qoftë ajo, sado e dhimbshme dhe e frikshme, do ta çlirojë shoqërinë nga ankthi, i shërben shëndoshjes së saj, rikthimit te kodet dhe vlerat morale, pa të cilat nuk ka kuptim një shoqëri njerëzore dhe ku ne kemi humbur vërtet shumë. Ende dyshoj se kemi elita shkencore, që mund të bëjnë ekspertizën, duke iu bindur vetëm ligjeve të shkencës, tërësisht të pavarur nga ndikimi i politikës, aq më të për që jeta tek ne dhe karriera e secilit individ është e varur prej politikës me një mijë fije të dukshme dhe të padukshme. Por gjithsesi diçka mund të bëhet sidomos nga gjenerata, që nuk është e mpleksur drejt për drejt me diktaturën, me shërbime të kryera ndaj saj.

Një shoqëri që nuk ndëshkon krimin, vazhdon të mbetet një shoqëri e kriminalizuar

Procesi i hapjes së dosjeve po trajtohet si ndarje me të shkuarën. Mendoni se, kjo gjë do të ndikojë tek individët e përfshirë vetëm moralisht, apo do të ketë impakt edhe në historinë e periudhës komuniste?

Nuk shikoj ndonjë përpjekje serioze për t’u ndarë me të shkuarën. Asnjëherë në këto vite nuk ka patur një përpjekje të tillë, ngaqë pushtetet politike të pas nëntëdhjetës janë ushqyer nga rrënjë të ngulitura thellë në të shkuarën diktatoriale. Duket sikur edhe ligji për hapjen e dosjeve më shumë është bërë nën presionin ndërkombëtar, se sa nga vullneti i brendshëm për hapjen e dosjeve, ndaj dhe gjithçka zvarritet pafundësisht. Lustracioni që nuk u bë kurrë, krijoi mundësinë që individë të inkriminuar, eksponentë të shpallur apo të fshehtë të diktaturës të ruanin pushtetin e tyre, privilegjet e tyre. Gjithsesi hapja e dosjeve krijon mundësinë për të kuptuar më mirë ferrin në të cilin jetuan shqiptarët për pesë dekada dhe lehtëson punën e studiuesve që duan t’i bëjnë autopsinë diktaturës. Ky është një impakt pozitiv gjithsesi.

A mund të arrijnë shqiptarët, që edhe pas hapjes së dosjeve, të ndahen me të shkuarën, pa përsëritur të njëjtat gabime në formë tjetër, apo ideja e ndarjes me të shkuarën është thjesht propagandë politike? Dhe mëritë personale do të thellohen më tepër?

Pak mëri dhe konflikte kemi prodhuar në këto vite, edhe pse dosjet nuk ishin të hapura? Bashkëjetesa me krimin e pandëshkuar, bashkëjetesa më të keqen krijon konflikte të vazhdueshme. Ndarja me të keqen, sjell shëndoshjen morale të shoqërisë, paqen shpirtërore dhe sociale. Vetëm eksponentët e sigurimit dhe të diktaturës janë përpjekur ta paraqesin hapjen e dosjeve si një minë me sahat, që do të shkatërronte vendin, thjesht dhe vetëm për të ruajtur lëkurën e vet faqe njerëzisë, ndërkohë që vazhdojnë të mburren edhe sot e kësaj dite më bëmat e tyre të liga. Ata që e interpretojnë hapjen e dosjeve si një rrezik për konflikt social, mendoj se janë avokatë djallëzor të diktaturës dhe krimeve të saj, ku edhe vetë janë të implikuar në një mënyrë, ose në një tjetër. Unë asnjëherë nuk e kam parë një rrezik të tillë.

Gjatë dy viteve të fundit në vendin tonë hapur disa muzeume, në të cilat ekspozohen materiale arkivore (dosje), të cilat diktohen si të asaj periudhe. Por, a mendoni se mjaftojnë këto materiale të shkëputura rastësisht ose jo, të paplota për ngjarje të caktuara, që t’i mundësojnë siç duhet brezit të ri të njoh të vërtetën?

Janë nisma pozitive, por gjithsesi të pamjaftueshme. Brezi i ri, sipas të gjitha sondazheve të kryer, është pothuajse i painformuar për të shkuarën kriminale, për diktaturën.

Në dosjet përkatëse normalisht do të jetë emri i personave, që kanë spiunuar dhe që kanë firmosur në dosjet e sigurimit, si bashkëpunëtorë, qoftë edhe pa dëshirë. Por a mendoni se nëpërmjet hapjes së këtyre dosjeve, duhet  të bëhen publike edhe emrat e rekrutuesve të spiunëve të sigurimit?

Është e vërtetë se shumë njerëz janë rekrutuar në kushte presioni të jashtëzakonshëm, janë bërë spiunë nën trysni të tmerrshme, por ka dhe të tjerë që janë bërë bashkëpunëtorë për përfitime të ndryshme, ose thjesht, sepse ishin keqbërës. Diktatura mbështetej mbi të keqen, shfrytëzonte dobësitë dhe karakterin e keq njerëzor dhe kur këto nuk mjaftonin bënte presione dhe kërcënime monstruoze. Jo të gjithë ishin të fortë, të pathyeshëm. Por gjithsesi bashkëpunimi me të keqen është një akt i dënueshëm, pavarësisht rrethanave. Sigurisht, është normale që krahas emrave të spiunëve të bëheshin publikë dhe emrat e rekrutuesve të tyre, por me sa duket nuk kanë për t’u mësuar ndonjëherë as të parët, as të dytët.

Ka shumë figura të njohura, që kanë qenë bërë dëme në atë periudhë (me imponim ose jo), ndërsa sot vazhdojnë të kenë funksione publike. Si duhet trajtuar kjo kategori? A duhet që të kërkojnë falje?

Falja nuk është e mjaftueshme, ndonëse me sa di askush nuk ka kërkuar falje deri më sot. Shkatërrimi i jetëve njerëzore nuk mund të kalohet me një: “Më fal”. Është drejtësia ajo që duhej ta thoshte fjalën e saj rast pas rasti. Në Rumani, vazhdojnë të dënohen nëpërmjet proceseve gjyqësore të rregullt eksponentë të diktaturës, që kanë kryer krime ndaj jetës së qytetarëve të pafajshëm. Në Shqipëri nuk di asnjë rast ku drejtësia të ketë vepruar. Dhe një shoqëri që nuk ndëshkon krimin, vazhdon të mbetet një shoqëri e kriminalizuar. Kjo, pak të thuash, është e frikshme.

Dhe së fundmi, a e shihni të domosdoshme, që kjo periudhë e pandriçuar me fakte nga historianët, duhet të jetë pjesë e kurrikulave arsimore?

Ka një paradoks të turpshëm: në tekstet e historisë të shkollave nëntëvjeçare u mësohet nxënësve me dy-tre faqe tekst industrializimi (shkatërrimi) socialist i vendit dhe vetëm me një paragraf diktatura dhe krimet e komunizmit. Në fakt vetëm vitin e fundit ka patur një përpjekje për të informuar nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës nëpërmjet leksioneve të hapura të organizuara nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Por kjo gjithsesi nuk është e mjaftueshme: tekstet e historisë që mësohen në shkollat tona duhen rishkruar.

Burimi: http://shekulli.com.al/stani-shkrimtaret-shenjestra-e-lakmuar-e-sigurimit-te-shtetit/

 

 

Postime të ngjashme