Stathi Cehaef, mësuesi grek i arrestuar në Durrës

historia-e-mesuesit-grek-ne-durres

Nga Artur Korriku

Në vitin 1971 në Durrës u krye një arrestim i bujshëm i cili shkaktoi tronditje në qytet. Ishte arrestuar Stathi Cehaef, mësuesi poliedrik i shkollës së mesme të muzikës “Mujo Ulqinaku”. Megjithëse arrestimi i tij u krye në mënyrë sekrete nga organet e Sigurimit të Shtetit të Tiranës, edhe ata që pyeteshin rreth tij ,porositeshin me përgjegjësi që për ato probleme që ishin biseduar të ruheshin në sekret të plotë.

Por përsëri në qytet u përfol se ishte arrestuar një agjent i rrezikshëm, i cili përveç veprimtarisë së spiunazhit kundër vendit tonë, kishte punuar në mënyrë perspektive për të kompromentuar dhe rekrutuar më pas të rinjtë, të cilët ai i afronte përmes formave të ndryshme komprometuese, me qëllim që kur të vinte momenti të rekrutoheshin për llogari të shërbimeve sekrete të vendeve të lindjes. Për këtë veprimtari, në hetuesi në Tiranë, sipas statistikave të dosjes hetimore, janë shoqëruar rreth 40 të rinj të moshave 15 deri në 20 vjeç nga qyteti i Durrësit, shumica ish nxënës të tij.

Agjenti i arrestuar ishte Stathi Cehaef i ardhur në Shqipëri në fund të viteve ’40 nga Greqia, në kohën kur ndodhën të ashtuquajturat provokacionet e gushtit. Cili ishte Stathi Cehaef dhe si u vendos ai në Durrës. Stathi Cehaef ishte lindur në Kallamata të Greqisë në vitin 1922.Ai ishte fëmijë i  Kostandinit dhe Andronikës. Në rininë e tij ai fillimisht punoi në një studio personale fotografie që i përkiste të atit të tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, sipas dëshmisë së dhënë nga ai vetë pas arrestimit,  është rekrutuar nga shërbimet sekrete gjermane të Abëerit, gjatë kohës kur ai po ndiqte kurse të mësimit të gjuhës gjermane të organizuara nga ky shërbim i zbulimit ushtarak të Gjermanisë naziste.mesuesi grek

Dhe më pas, format e grumbullimit të informacionit prej tij kanë qenë pikërisht kurset me të rinjtë. Pas lufte, Stathi është marrë në bashkëpunim nga shërbimet e tjera, të cilat e “gjuajtën” atë nga arkivat që u mbetën në duar. Ai u rekrutua si agjent i shërbimeve partnere anglo-greke dhe, duke qenë mjaft i talentuar në gjuhët e huaja, një karakteristikë mjaft e lakmuar për një zbulues potencial, synohet të hidhet në bastionet lindore. Për këtë në vitin 1949 përgatitet për ta dërguar në Shqipëri si agjent dhe prej këtej do të gjendej mundësia që të hidhej në Republikën Demokratike Gjermane, me perspektivë kalimin e tij në Bashkimin Sovjetik.

Në vitin 1949, në periudhën e njohur si periudha e zhvillimit të provokacioneve greke të gushtit të këtij viti, ai vjen si ushtar grek dhe kur formacioni i tij ushtarak sulmohet nga forcat tona, ai, sipas porosisë së dhënë, dorëzohet si rob lufte. Qëndron pak kohë në një kishë në zonat kufitare ku i kishin grupuar robërit dhe me pas dërgohet në Lushnjë, ku ishte ngritur edhe kampi i grumbullimit të tyre. Në periudhën kur ndodhej në Lushnjë, ai rekrutohet nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar dhe dërgohet për t’u stërvitur në Noe të Krujës në fshehtësi të plotë, sipas kritereve të shërbimeve inteligjente të asaj periudhe, për t’u përgatitur si agjent i Shqipërisë, me perspektivë për ta dërguar më pas si zbulues në Republikën Federale Gjermane. Pas rekrutimit dhe stërvitjes, ai dërgohet si student i gjuhës ruse në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Pikërisht kopertura e tij si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, i lejoi të vepronte për vite të tëra i pashqetësuar për llogari të shërbimeve të tjera të huaja, në rolin e agjentit të shumëfishtë.

Poliagjenti
Gjatë periudhës së mëvonshme, Cehaef kontaktohet nga zbulimet lindore dhe rekrutohet prej tyre si agjent i shërbimeve sekrete sovjetike. Rekrutuesi i tij, sipas deponimit të Stathit ne hetuesi, është oficeri i shërbimit sekret gjermanolindor Leopold Zajder. Për shkëmbimin e informacionit, ai mbahet në lidhje nga përfaqësuesi tregtar i Çekosllovakisë së asaj periudhe, Ëashek, që punonte si specialist i hekur nikelit në Ndërmarrjen Minerale të Eksportit në portin ë Durrësit, MINERALIMPEKS. Ndërkohë, sipas dëshmisë së tij dhe të informacionit të zbulimit shqiptar, shërbimet sovjetike e kishin kaluar atë në dispozicion te qendrës së zbulimit që e zhvillonte veprimtarinë e vet për llogari të Komandës së Traktatit të Varshavës.

mesuesi grek 2

Rekrutimi i të rinjve 
Stathi ndërkohë ishte stabilizuar si profesor në shkollën e muzikës. Ishte mjaft i talentuar dhe zotëronte njohuri të gjuhëve te huaja. Ai zotëronte 7 gjuhë ndërsa kishte njohuri në rreth 22 të tjera. Gjuha e fundit që ai po mësonte, para arrestimit, ishte gjuha kineze. Stathi Cehaef deponoi pas arrestimit se, sipas porosive të dhëna nga shërbimet lindore, ai mbante lidhje me të rinjtë dhe i përpunonte nëpërmjet komprometimit me sende të ndryshme që në atë kohë ishin tabu në vendin tonë, për të krijuar me pas kushte për t’i rekrutuar nga shërbimet përkatëse.

mesuesi grek 3Në bazë të porosive të dhëna nga “Qendra” për punën perspektive me të rinjtë, Stathi mblidhte në banesën e tij, një dhomë në katin e 4-të të një pallati në Durrës që njihet si pallati i Dovanëve, të rinj të moshave nga 15 deri 20 vjeç, me pretekstin e kurseve të ndryshme që zhvillonte me ta. U servirte atyre pije të huaja si Whisky, Campari, Martini e të tjera, apo cigare të markave Marlboro, Pall Mall, Dunhill etj që në atë kohë ishin të ndaluara në vendin tonë. Gjithashtu i tregonte revista të ndryshme deri te ato pornografike që ndaloheshin me ligjin e asaj kohe.

Numri i të rinjve të cilët frekuentonin kurset muzikore dhe ato të gjuhëve të huaja të Stathit  ka qenë relativisht i lartë, por hetuesia, për shkak të bujës së madhe që kishte shkaktuar në popull kjo ngjarje, nuk i mori të gjithë në pyetje, por është mjaftuar vetëm me hartimin e listave të tyre të marra nga deponimet e Stathit si dhe listën e paraqitur nga pyetjet e të rinjve rreth tij, lista të cilat janë inkuadruar me pas që të dyja në dosjen hetimore të Cehaefit. Një pjesë e tyre kanë dalë si dëshmitarë në gjyqin e zhvilluar në Gjykatën e Durrësit. Në dosje gjithashtu përshkruhet sesi Stathi Cehaef kishte krijuar lidhje me mësues, intelektualë të ndryshëm, mjekë, dhe së bashku zhvillonin agjitacion e propagandë kundër pushtetit komunist. Gjithashtu kishte një aktivitet të gjatë kontrabande me çekët, polakët dhe mallrat që i merrte i shiste në Durrës

Tregimi i një ish nxënësi të Stathit
Luan Jaupi, tashmë 64 vjec,ka qenë nxënës i Stathit në ato vite.Ai tregon se ishte regjistruar në kursin e kitarës në pallat të kulturës,kurs të cilin e drejtonte Stathi Cehaef. Jaupi ka dëshmuar në gjyqin e zhvilluar ndaj mësuesit të tij.

mesuesi grek 4

Kur dhe si e keni njohur Stathin?

Stathin e kam e njohur në vitin 1970.Në atë kohë vendosa të mësoja kitarën dhe u regjistrova në kursin e Stathit në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu”. Ai drejtonte kursin e kitarës dhe mandolinës. Isha 16 vjeç në atë kohë. Ai dinte të luante në të gjitha instrumentat, piano, violinë, kitarë etj,. Veç tyre ai njihte shkëlqyeshëm një numër të madh gjuhësh të huaja e për këtë arësye drejtonte edhe kurse për mësimin e tyre.Unë u regjistrova në gjuhën Esperanto. Këtë kurs ai e drejtonte në shtëpinë e tij që ishte një dhomë e vogël në një pallat në qytetin e Durrësit. Ai kishte lidhje me punonjës të huaj,kryesisht nga vendet e lindjes si çekë, polakë dhe gjermano-lindorë, të cilët ishin vendosur në Durrës për aktivitete ekonomike në bazë të marrëveshjeve që vendi ynë kishte me vendet e tyre. Prej tyre ai siguronte pije, cigare, çokollata, cëmçakizë e të tjera sende që mungonin në vendin tonë në atë kohë. Gjithashtu po prej tyre ai siguronte edhe revista ku bënin pjesë edhe revistat pornografike që pëlqeheshin nga të rinjtë. Ai ishte i abonuar edhë në një numër revistash shqiptare të asaj kohe si”Ylli”,”Në Shërbim të Popullit”,”Shkenca dhe Jeta” etj.Unë si koleksionues që jam i bleja krejtësisht numrat e ndonjë reviste të të gjithë vitit.Ai dinte të fitonte para.

Pijet, cigaret, revistat jua servirte të rinjve kur ata shkonin të ndiqnin kurset në banesën e tij. Duke qenë një ndër nxënësit e tij kujtoj sesi i prisnim me gërshërë nga revistat pornografike fotot e femrave lakuriqe dhe jua tregonim fshehtazi shokëve tanë. Më vonë mësova se kjo ishte strategji e tij për të rekrutuar të rinj me qëllim spiunazhi. Në vitin 1971 Stathi u arrestua nga organet e sigurimit të shtetit. Sëbashku me të u arrestuan edhe Mark dhe Terezina Dema, burrë e grua. Në gjyq ata dolën ne vitin 1972. Unë u thirra në atë proces me cilësinë e dëshmitarit pasi kasha blerë prej tij disa mallra të huaja.

Më konkretisht pata blerë prej tij një radio dore të markës “Cosmos M”. Radion ma sekuestruan në degën e brendëshme duke menduar se mund të shërbente si radio transmetuese por pas disa muajve ma kthyen sepse rezultoi se ishte radio e thjeshtë. Pata blerë gjithashtu prej tij një ventilator zyre. Nuk dëshmova për revistat porno dhe pijet e cigaret e huaja, megjithëse sigurimi i kishte marrë vesh këto gjëra nga të tjera burime gjë që u reflektuan edhe në akuzën e ngritur ndaj tij.

Gjykimi i Stathit
Në korrik të vitit1972 ka nisur procesi  gjyësor ndaj Stathi Cehaef.Trupa gjyqësore përbëhej nga  Kryetar Arzen Leskoviku dhe anëtarë Sopot Rustemi dhe Pask Bacja. Hetues ishte Llambi Gjoni. Në këtë proces dëshmuan rreth 17 të rinj. Organet e asaj kohe kishin në dispozicion listën e plotë të dëshmitarëve në hetuesi si dhe në gjyq, ashtu si dhe listën e të rinjve kandidatë për rekrutim ,të cilën Cehaefi e kishte paraqitur për miratim. Nga ky gjyq Stathi Cehaef u dënua me 25 vjet burg me akuzën për:

– Spiunazh
– Agjitacion e propagandë në bashkëpunim me persona të tjerë.
– Kontrabandë
– Pornografi

Në periudhën e burgimit ai nuk është keqtrajtuar në hetuesi. Policë shërbimi, por edhe të burgosur, kanë deklaruar se kur erdhi një periudhë kohe në burgun e Degës së Punëve të Brendshme në Durrës , për të gatuhej në mënyrë të veçantë. Atij i dërgohej ushqim special. Madje mbahej nën kontrollin e mjekut për arsye se ishte i sëmurë me diabet,luks që nuk e kishin të burgosurit e tjerë.

Kujtimet e një oficeri 
Rreth veprimtarisë së Stathit, një oficer i shërbimit shqiptar të kundërzbulimit me përvojë disavjeçare pune kundër shërbimeve të huaja në sektorin e Turizmit, ka hedhur në letër disa kujtime të cilat sjellin edhe disa nga metodat e ndjekura për ta vënë nën kontroll aktivitetin e tij armiqësor kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Ai thotë se Stathi Cehaefi ka qenë një nga agjentët më të spikatur të fuqive të huaja që kanë zhvilluar veprimtari të suksesshme në vendin tonë. Ai kujton se për të grumbulluar të rinjtë, Stathi shfrytëzonte autoritetin e madh që kishin mësuesit e asaj periudhe tek nxënësit dhe prindërit. Aktet që u konstatuan më vonë kanë qenë produkt i këtij mirëbesimi, pasi prindërit nuk shqetësoheshin nga shoqëria e nxënësit me një mësues.

Oficeri tregon se shenjen e parë të dyshimit për Stathi Cefaefin, organet e kundërzbulimit shqiptar e morën nga një prind, i cili denoncoi faktin se mësuesi kishte filluar të interesohej mbi transportin që zhvillonin anijet e Flotës Tregtare. Personi që denoncoi, K. XH. kishte qenë oficer, komisar i një grupimi baterish kundërajrore dhe me pas kishte kaluar në flotën tregtare. Menjëherë sapo i biri i  kishte treguar se çfarë kishte biseduar me mësuesin e të rinjve, ai kërkoi takim me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme dhe e denoncoi mësuesin.

“Denoncimi, kujton oficeri tashmë në pension, u ruajt i fshehtë dhe që atëherë Cehaefi u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë. Gjatë kësaj periudhe ai u ndoq, u fotografua dhe u incizua. Atij i u dokumentuan takimet agjenturore edhe me polakët, çekët, etj. Shkëmbimin e informacionit e bënin në shkallën e brendshme të ish PTT- së 5-katëshe të asaj periudhe të Durrësit. Njëri ulej, tjetri ngjitej dhe në shkallë, kur nuk kishte asnjë njeri, shkëmbenin zarfat”.

Në stafin e afërt të tij, me kombinacion u fut edhe një agjent i Sigurimit te Shtetit. Me pas ai u përpunua edhe me dy të tjerë, babë e bijë. “Kur u arrestua Stathi, hetuesia kërkonte që të merrte në pyetje agjentin me të bijën, por duke qenë bashkëpunëtorë të sigurimit, u desh ndërhyrja e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së rrethit, shokut Iljaz Reka, kujton oficeri shërbimeve, me qëllim që të lejohej pyetja dhe me pas ballafaqimi hetimor para të cilit Stathi, me gjithë inteligjencën që e karakterizonte, mbeti i zbuluar”. “Një periudhë kohe ai u nënvleftësua nga punonjësit e sigurimit, duke menduar se ishte njeriu i tyre, më pas ishte ai që i nënvleftësoi ata se sa të aftë ishin, dhe nga kjo pësoi disfatë”, shkruan oficeri.

Arrestimi 
Stathi u arrestua më 5 nëntor, 3 ditë para festës së themelimit të Partisë Komuniste, pasi kishte arritur në organet e shërbimeve sekrete, një e dhënë se po organizohej diçka me rastin e festës…Nga të gjitha ato kurse që ai kishte organizuar me të rinjtë, na bëri përshtypje në kontrollin e banesës fakti se ai si vegël pune në shtëpi kishte pasur vetëm një violinë…Dhe një broshurë në përkthim e sipër mbi jetën e Rikard Sorges.

Ish-oficeri i shërbimeve kujton se ai ishte mjaft i zgjuar dhe i studionte njerëzit shumë mirë përpara se të gjente pikat e tyre të dobëta. Një violinisti shumë të talentuar i kishte premtuar që ta dërgonte për studime në Francë, por kjo nuk u arrit sepse informacioni mbi ç’kërkonte ai kishte ardhur paraprakisht dhe kjo e dogji atë pasi nuk u fut në listë fare. Për dikë tjetër interesohej t’i dilte e drejta e studimit, madje edhe shpenzonte për t’i ndihmuar të rinjtë në nevojë. Interesimi kryesor i tij mbetej njohja me fëmijë të oficerëve dhe kuadrove kryesore me perspektiva studimi dhe karriere. Ai kishte krijuar lidhje deri me femije të njerëzve që bënin pjesë në shtresat e larta të nomenklaturës komuniste.

Fundi i agjentit
Stathi ka vdekur në vitin 1978 në burgun e Ballshit, gjatë periudhës kur ai punonte në bibliotekën e këtij burgu dhe merrej me përkthimin e literaturës profesionale nga shërbimet e huaja, për Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë… Raporti mjeko-ligjor përcakton si shkakun e vdekjes një atak kardiak, por ky është edhe misteri i fundit i spiunit  që shumëkush mund ta dëshironte të vdekur.

Ai mbeti agjenti më i përfolur në Durrës, për metodat e  komprometimit që ka përdorur  me të rinjtë. Në këndvështrimin e oficerëve të shërbimeve sekrete shqiptare që janë marrë me aktivitetin e tij armiqësor kundër vendit tonë, mbetet një agjent nga më të suksesshmit që kanë pasur veprimtari spiunazhi në Shqipëri. Atëhere u tha se Stathi u varros brenda burgut por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë shkëmbyer me ndonjë agjent që i interesonte vendit tonë e që mbahej nga shërbimet e vendeve fqinje.

Burimi: http://shqiptarja.com/dossier/2711/historia-e-m-suesit-grek-n–durr-s-q–u-rekrutua-nga-sh-rbimet-e-huaja-460309.html

 

Postime të ngjashme