Të zhdukurit gjatë komunizmit dhe dilemat e marrëveshjeve

Jonila Godole

Nga Jonila Godole *

Marrëveshja e miratuar dy ditë më parë mes Këshillit të Ministrave dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) hap një kapitull të ri në përballjen tonë me të shkuarën. Marrëveshja ka të bëjë me kërkimin dhe identifikimin e eshtrave të të zhdukurve gjatë regjimit komunist dhe është një hap për t’u vlerësuar i një qeverie të majtë, e cila vazhdon të ketë lidhje politiko-morale me të kaluarën si paraardhëse të saj.

Megjithatë, kjo marrëveshje e mbajtur larg syve të publikut, ngre disa pikëpyetje lidhur me qëllimin dhe ecurinë e gjithë procesit në kompleksitetin e vet: E drejta e patjetërsueshme për të njohur fatin dhe vendndodhjen e familjarëve, e përfshirë në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) dhe e interpretuar në aktgjykimet e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut si e “drejta për hetim efektiv”, nënkupton hetimin e të gjitha rasteve individuale nga autoritetet tona. Sa mund të zbatohet kjo e drejtë në Shqipërinë e tranzicionit dhe veçanërisht nga një sistem gjyqësor “i kapur”? Përvoja botërore tregon se një proces i tillë mund të zgjasë për dekada të tëra, ndaj vullneti politik i autoriteteve është çelësi i suksesit. Ka qeveria shqiptare vullnet politik për t’i shkuar kësaj çështjeje deri në fund? Dhe me vullnet politik nuk nënkuptohet marketingu deklarativo-mediatik, por angazhimi dhe vënia në dispozicion e burimeve të nevojshme, kapaciteteve teknike dhe detyrimeve financiare që burojnë nga këto aktivitete.

Aktualisht thuhet se ICMP do të kërkojë kryesisht vendvarrimet në “Kazermën 313” pranë Dajtit (58 persona) dhe pranë ish-kampit të punës së detyruar në Ballsh (120 persona). Sigurisht është pozitive nëse do të identifikoheshin këto raste, por nuk është e qartë se si do të operohet me rastet e tjera, kur flitet për rreth 6 mijë të zhdukur gjithsej. Çdo të ndodhë kur ky projekt pilot të mbarojë misionin e tij, pasi të gjejë 180 trupat e parë? Si do të veprohet për të gjetur vendvarrimet që nuk janë të listuara? Cila do të jetë forma e bashkëpunimit me ish-zyrtarë apo funksionarë që janë ende gjallë dhe që i njohin vendvarrimet fillestare dhe varret e zhvendosura? Nëse mendojmë pozitivisht, ky proces do të mundësojë dhjetëra, qindra në rastin më të mirë mijëra identifikime. Por nëse për 8 vjet me radhë, nuk ka qenë e mundur të identifikohen eshtrat e 13 personave (zbuluar në 2010 në Dajt), kur pritet atëherë të mbarojë procesi i identifikimit të qindra e mijëra të tjerëve?

Kanë kaluar gati 30 vite nga rënia e diktaturës dhe kuptohet që një pjesë e mirë e përgjegjësve, të cilët kanë dijeni për vendvarrimet e të zhdukurve, nuk jetojnë më. Procesi i kërkimit të vendvarrimeve deri tani ka qenë gati inekzistent, dhe në ato pak raste kur ka ndodhur është marrë përsipër nga familjarët. A do të gjykohen për këto krime urdhëruesit e këtyre vrasjeve? A do të ketë masa konkrete për përgjegjësinë individuale dhe kolektive të atyre që urdhëruan dhe kryen krimet kundër njerëzimit? Pa kthimin e trupave të viktimave te familjarët dhe pa drejtësi nuk mund të ketë rehabilitim të plotë të viktimave. Pas kësaj, familjarët do të kishin të drejtën e memorializimit, ngritjes së monumenteve dhe vendosjen e pllakave përkujtimore për të afërmit e tyre në ato vende ku atyre iu kanë ndërprerë padrejtësisht jetën dekada më parë.

Një gjë është e qartë, me miratimin e Marrëveshjes, Qeveria Shqiptare nuk po i bën asnjë favor viktimave dhe familjeve të tyre – ajo thjesht po zbaton detyrimin ligjor kundrejt legjislacionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, edhe pse në mënyrë të pjesshme. Viktimat dhe familjarët e tyre nuk kanë nevojë për mëshirën e askujt, as të Qeverisë. Ato kanë nevojë për drejtësinë e munguar, dinjitetin e nëpërkëmbur dhe ne të gjithë kemi nevojë për garancinë e mospërsëritjes së atij regjimi. Sepse shoqëritë demokratike bazohen te parimet e respektimit të së drejtës, respektit të ndërsjellë dhe ballafaqimit real me të kaluarën si parakusht për një demokraci të qëndrueshme dhe të zhvilluar.

* Drejtore e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë

Panorama, 9 qershor ’18

Postime të ngjashme