Të zhdukurit nga komunizmi në Shqipëri

2

Nga Mimoza Dajçi

New York, Dhjetor 2016

Me anë të një thirrje OKB, i tërheq vëmendjen autoriteteve shqiptare se, duhet të sigurojnë më shumë shpërblim për familjet e 6000 njerëzve të zhdukur gjatë rregjimit komunist në Shqipëri. Ky lajm u bë i njohur pas vizitës një javore në Shqipëri nga Drejtuesja e OKB-së, Znj. Houris Es-Salmi. “Ka ardhur koha – tha ajo – që Shqipëria të kthejë këtë faqe të dhimbshme të së kaluarës. Zhdukja e personave të zhdukur fillloi në vitin 1944 pas ardhjes në fuqi të diktaturës komuniste e deri më 1991. Të gjithë personat e zhdukur dhe familjarët e tyre citon të ketë thënë Zj. Salmi kanë të drejtën e dëmshpërbilimit, mirëkuptimit, rehabilitimit, dhe garancisë për mos përsëritje të këtyre krimeve”.

Shpresojmë që këto thirrje si dhe të tjera të komunitetit ndërkombëtar të fillojnë të zbatohen në Shqipëri, por si “hallvë” e ftohtë. Si e pabesueshme, pasi koha ka treguar të kundërtën. Atje janë shumë probleme që janë lënë qëllimisht “në harresë” e vendi mbulohet akoma nga kaosi, krimi i organizuar, apo krimi brënda familjes. Edhe pse Shqipëria kaloi diktaturën më të egër në Europë, përsëri akoma qeveritë e saj nuk kanë shlyer dëmshpërblimet për ish të burgosurit dhe internuarit politikë, ku një pjesë e mirë e tyre po largohen nga kjo botë me shpirt të vrarë e copëtuar, pa marë atë shumë që u takonte nga torturat e vuajtjet e rënda që kaluan nëpër birucat, burgjet e kampet e përqëndrimit nga rregjimi makabër i diktaturës komuniste.

Eshtë hapur një biçim muzeu tunel – bunker i nëndheshëm i ish qeverisë komuniste në Tiranë, por ajo nuk pasqyron plotësisht aq sa janë në të vërtetë plagët e dramat që i janë shkaktuar mbi kurriz, pa drejtësisht popullit tonë nga ai rregjim mostruoz, i cili sa më shumë të ishte zgjatur aq më shumë viktima do të kishim akoma më shumë të dënuar politikë do të kishim. Të gjithë do të kishim kaluar nëpër atë gijotinë, do të vdisnim si në një gropë të madhe gëlqereje që vlonte mes spiunimeve dhe letrave anonime. Një zinxhir i tërë i shërbente kohës së kuqe në Shqipëri, ishte krijuar industria e spiunazhit, vrasjeve, zhdukjeve, ku vëllai denonconte vëllanë, nëna dhe babai djalin, gruaja burrin e kështu me rradhë.

Sa vjen koha e fushatave qeveritë zgjidhin minimalisht thesin, fillojnë e u hedhin një kafshatë parash ish të dënuarve politike dhe vetëm kaq. Janë 50 vite mizori, plagë e drama pa fund, kush duhet ti kompesojë, paguajë e riparojë përveç qeverive që shkojnë e vijnë për oreks të tyre e aspak për mjeranin popull. Flet bota, thirrje OKB, Amerika, shkruan KE, por kush e dëgjon, e kush e zbaton. Askush. Çdo “thirrje” në vesh të shurdhër.

Duke lexuar me vëmendje Raportin e OKB-së mes të tjerave shkruhet se, në Shqipëri deri në këto momente nëpër gjykata nuk ka arritur asnjë rast i zhdukjes me forcë. Ndoshta si autore e këtij shkrimi nuk mund ti marr të gjitha përgjegjësitë, por një rast e njoh shumë mirë, ka qenë im atë (ndjesë pastë) që ka pas hapur gjyq vite më parë në Gjykatën e Tiranës për vëllanë e tij të pushkatuar pa gjyq, vrarë e zhdukur nga Shefqet Peçi me kompani e akoma nuk i gjenden eshtrat, ndërkohë që edhe Komisioni Tri Palësh në Shqipëri e deklaron të pushkatuar pa gjyq, se ashtu ka ndodhur në të vërtetë, e nuk i dihet varri. Hapeni dosjen e tij në Gjykatën e Tiranës e keni, Rasim Memet Dajçi quhet, është bash vëlla gjaku i tim eti. Nëse doni fakte më shumë ja u dergoj unë. Por mos flisni e deklaroni pa përgjegjësi, se në dyert e gjykatave në Shqipëri nuk është hapur ndonjë gjyq për të zhdukurit e diktaturës komuniste. Po xhaxhai im ky hyn?

 

burimi :https://www.voal.ch

Postime të ngjashme