TETOR

tetor 1943

U themelua Partia Socialdemokrate shqiptare nga Musine Kokalari dhe Skënder Muço, si edhe gazeta “Zëri i Lirisë”.

10 tetor 1920

Partitë e para politike Më 10 tetor 1920 një grup deputetësh shpallën programin politik të “Partisë Popullore Kombëtare” të drejtuar nga Fan Noli, Ahmet Zogu, Eshref Frashëri, Luigj Gurakuqi etj. Rreth një muaj më vonë, në nëntor 1920 deputetë të tjerë shpallën krijimin e një force tjetër politike të quajtur “Partia Përparimtare Shqiptare” me drejtues figura të njohura të Veriut si Hoxhë Kadriu, Hasan Prishtina, Bajram Curri etj. Ishin në pakicë edhe Indipendentët. Kjo ndarje u “institucionalizua” kur një grup prej 18 deputetësh, të shpallur opozitarë dhe që përbënin gjysmën e Këshillit Kombëtar, dhanë dorëheqje duke kërkuar zgjedhje të reja. Pas zgjedhjeve të fillimvitit 1921, në Parlamentin shqiptar dominonin dy grupime kryesore politike: Partia Popullore dhe Partia Përparimtare.

16 tetor 1943

Asambleja Kombëtare shpalli shkëputjen e Shqipërisë nga Italia dhe zgjodhi Regjencën me Mehdi Frashërin, Pater Anton Harapin, Lef Nosin dhe Fuat Dibrën, që shpallën pavarësinë “relative” të Shqipërisë etnike, asnjanësinë në luftë e përbotshme, dhe mosndërhyrjen e autoritetit ushtarak gjerman në punët e brendshme.

17 tetor 1979

Humanistja shqiptare, Nënë Tereza, u nderua me çmimin NOBEL PËR PAQE, një ditë e shënuar për Kombin Shqiptar. Në çastin e marrjes së çmimit të madh, ajo tha, ndër të tjera: ”Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkuta dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

19 tetor 2003

Dita e Lumturimit të Nënë Terezës nga Papa Gjon Pali II. Nënë Tereza (Anjeze Gonxhe Bojaxhiu) u shpall e “Lumturuar” , si simbol i ndihmës, bamirësisë dhe respektit për “më të varfrit e të varfërve”, të cilëve ajo iu kushtoi krejt jetën. Kjo ditë është shpallur festë kombëtare nga shteti shqiptar kushtuar bamirëses shqiptare me famë botërore.

21 tetor 1943

Lufta e Brigadës së Parë Sulmuese, më 21 tetor 1943 në afërsi të Lushnjës, tek kodra e Cen Hasanit në fshatin Golem, kundër forcave nacionaliste të Isa Manastirliut dhe Tefik Cfirit. Mehmet Shehu shkruante: “U ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballistë: 172 robër dhe 10-15 të vrarë”. Pas betejës, Mehmet Shehu urdhëroi pushkatimin e 65 robërve. Ata që nuk i zuri plumbi, i theri thika e Dushan Mugoshës, zëvendëskomisarit të Brigadës I me pseudonimin Salë. Këtë masakër e pranon edhe vetë komandanti i Brigadës I Sulmuese në një letër-autokritike drejtuar Shtabit të Përgjithshëm.

21 tetor 2014

Në zgjedhjet që u zhvilluan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork, 21 tetor 2014, Shqipëria u zgjodh për herë të parë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNJ), me 176 vota. Gjatë vitit 2015, Shqipëria është zgjedhur edhe anëtare e Byrosë së KDNJ-së si dhe zëvendëspresidente e KDNJ-së.

25 tetor 1917

Liceu francez i Korçës apo Liceu Kombëtar i Korçës hapi dyert e tij më 25 tetor 1917 me vendimin e administratës së Republikës Autonome të Korçës. Në vitin 1921 ai u riemërua në Lice Kombëtar. Ishte një shkollë e mesme laike e nivelit europian, ku të gjitha lëndët jepeshin në gjuhën frënge me përjashtim të lëndës së gjuhës shqipe. Funksionoi plotësisht në vitet 1917-1939, dhe ndër profesorët mund të veçohen: Safet Butka, Sotir Papakristo, Abaz Ermenji, Kostaq Cipo etj.