Tri vaktet e të dënuarve, në burgjet e komunizmit

takimi2

Nga Valeria Dedaj.

Ish- i burgosuri politik, Gjeto Vocaj, rrëfen vuajtjet që ka kaluar në burgjet e komunizmit, pasi takoi Enver Hoxhën. Mësuesi i matematikës dëshiron, që t’u kushtohet më tepër vëmendje objekteve të komunizmit, që brezi i ri të mësojë të vërtetën për atë periudhë.

Kësaj here dëshmia për brezin e ri erdhi nga një mësues, jeta e të cilit do të ndryshonte plotësisht në vitin 1962. Bëhet fjalë për Gjeto Vocaj, autorin e librit “Takim fatal me diktatorin”. Ai rrëfeu në ambientet e COD në kryeministri kujtimet e tij, pas takimit që bëri me diktatorin Enver Hoxha, pasi kishte shkruar shkrimin “Fëmijë jo i zakonshëm” në gazetën “Mësuesi” për aftësitë matematikore të një fëmije 6-vjeçar nga Dukagjini. Takimi u moderua nga Fatmira Nikolli (gazetare). Të pranishëm në diskutimin që bëri paneli, i cili u dëgjua me vëmendje edhe nga brezi i ri ishin Luigj Martini (studiues) dhe Simon Mirakaj (anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit).

Mësuesi i matematikës, i cili mban edhe Urdhërin “Naim Frashëri” rrëfeu ndër të tjera dje, se si trajtoheshin të burgosurit. Sot, thotë ai, çdo objekt kujtese, është zhdukur. “Unë isha në të njëjtin kapanon me 180 veta. Shtretërit ishin dykatësh dhe dita-ditës ne ngjisheshim me njëri-tjetrin. Përgjegjësi i kapanonit na përcaktonte vizën se deri ku duhet të shtriheshim, derisa nisëm që të flinim në brinjë”. Kjo gjë ka qenë shumë e tmerrshme tregon mësuesi.

Ndërsa, shton më tej se ushqimi ishte i përcaktuar. “Ka qenë gjenocid më vete kjo pjesë. Përditë vdisnin njerëz. Ndërsa, ata mendonin: Një armik më pak”. Ushqimi ndahej në mënyrë të tillë, që të burgosurve t’ua merrte shpirtin dalëngadalë. “Burgje ka pasur dhe ka në të gjithë botën, por burgu komunist dhe kampet e përnderimit në Shqipëri kanë thyer rekorde në shfarosje. Atë pjesë, që kishte pak forcë fizike i fusnin nëpër miniera që të punonin. Ndërsa, pjesa tjetër që ishin më të fuqishëm i çonin në vende të tjetra.

“Për mëngjes kishim lëngë më ujë të nxehtë; që i hidhnin brenda bishta qepësh. Ndërsa, të gjithë kazanit i hidhnin një dorë oriz dhe krip. Në drekë ishte njëjta gjë, vetëm se nuk i hidhnin oriz, por makarona. Për në darkë vetëm çajë pa sheqer”.

Mësuesi, i shpallur armik i popullit, me hetim, spiunim, dërgim të familjarëve në kampet e punës së detyruar, dënim me burg e internim sot pas 25 vitesh rrëfen se edhe pse ai mundi që t’i indetifikonte informatorët e sigurimit, kundrejt tyre nuk ka asnjë mllef, përkundrazi hakmarrja më e madhe e tij për ta ishte një libër dhuratë për secilin.

Studiuesi Luigj Martini dje gjatë takimit u shpreh se në këtë libër flitet për një tmerr, që ka ndodhur realisht. Libri flet për një periudhë të tmerrshme për popullin, që zor se brezat do ta kuptojnë. Autori bën një autopsi regjimit të kohës, se çfarë do të thotë që të jetosh i përgjuar dhe që t’i kesh të gjithë njerëzit të përgjuar. Brezi i ri duhet që të mësojnë historinë siç ka qenë. Ndryshe rreziku është që diktaturat të harrohen dhe të përsëriten”.

Ndërsa, Simon Mirakaj (anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Sigurimit të Shteti) thotë se, edhe në burg kërkohej që të bëhej lufta e klasave. “Ajo që të vret dhe të irriton sot, (ky duhet të jetë irritim i përbashkët), është se në rast se ne nuk e kuptojmë se çfarë ka qenë Enver Hoxha dhe kasta e tij e komunizmit, e keqja nuk do të zhduket kurrë! Nuk është puna që të luftohet komunizmi, që t’u bëhet qejfi të përndjekurve, por që të njihet brezi i ri me atë periudhë siç ka qenë dhe demokracia të konsolidohet”.

Ndërsa, për rëndësinë që ka ruajtja e këtyre objekteve të komunizmit Mirkaj thotë se, jeta ka fillim dhe fund. Ato që do “të flasin” janë objektet! Por, për fat të keq këto janë duke u shkatërruar, sepse politika nuk ka interes për to. “Kemi 25 vite që i përmendim këto objekte, por politikanët tanë nuk i shtynë kureshtja, të shkojnë në Spaç për t’i parë. Fillimisht shkoi që t’i shihte ambasadori amerikan, pra shkoi Presidenti i vendit”, thotë Mirakaj.

Burimi: http://shekulli.com.al/tri-vaktet-e-te-denuarve-ne-burgjet-e-komunizmit/

Postime të ngjashme