U liruan nga amerikanët por u ekzekutuan nga komunistët

Kole Berisha dhe Spiro Ruço

Nga Kastriot Dervishi

Gjenocidi mbi proamerikanët e Shqipërisë të dënuar me proceset e viteve 1946-1948, është një ndër projektet e mia të ardhshme. Përveç intelektualëve që në mënyrë të natyrshme ishin proamerikanë, në këtë listë regjimi futi të gjithë antifashistët (një pjesë e të cilëve disa ishin me bindje të majta, si p.sh. Sinan Gjoni, themelues i qarkorit komunist të Vlorës), por që regjimi fashist i dërgoi për të vuajtur dënimin në Itali. Me ardhjen e aleatëve në Itali, këta u liruan nga burgjet nga amerikanët. Vetëm për këtë fakt, regjimi komunist i dyshoi të gjithë si “agjentë” amerikanë. Aktiviteti i tyre antifashist, u interpretua si aktivitet “spiunazhi”, pavarësisht se mbi të nuk sillej ndonjë fakt në Shqipëri.

Por ndaj tyre u vu një goditje e përgjithshme dhe e pashembullt. Me përjashtim të Qazim Hoxhës (shkoi në Munih), Osman Shehit (në JugosIlavi), Haxhi Brajës e Selman Xherbutës, të 31 personat e kursit të SBS-së kaluan në një goditje të pamëshirë. Në fakt goditja që iu dha këtij grupi kishte më shumë se çdo gjë qëllimin për të zhdukur personat më të mundshëm proamerikanë brenda Frontit, për ta lënë këtë organizatë thjesht në një fasadë të rehatshme për Partinë Komuniste të Shqipërisë. Personi kryesor këtu shënohej “Lari Post” (Llazar Papastoli), i cili mendohet si “qendra” drejtuese e grupit shqiptar të trajnuar atje. Në prag të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, në tetor 1944, grupi i përgatitur zbriti në fshatin Kakome (fshat që do të bëhej problematik shumë vite më vonë në kohën e demokracisë për ndërtimin e një fshati turistik), duke u shpërndarë në repartet e ndryshme të ushtrisë.

S’ka dyshim se misioni i të trajnuarve në Bari do të ishte kurdoherë injektimi i guximshëm i një regjimi demokratik në vend dhe, kuptohet, nuk do të ishte në aleancë me armiqtë historikë të Shqipërisë. Këtu qëndron edhe filozofia e goditjes së pamëshirshme të këtij “grupi”. Sigurimi ishte i prerë për të ndërmarrë goditje ndaj “grupit” madje duke i akuzuar paraprakisht për akte diversioni, vjedhje dokumentesh sekrete, dhënie informatash te amerikanët dhe rolin ndërmjetës ndaj asaj që mund të konsiderohej si pozitë ndaj regjimit në Shqipëri. Sigurisht prova për këto nuk kishin, por gjërat i kishin vendosur. U organizuan disa procese. Të gjitha arrestimet u bënë në vitin 1946. Të pandehurit qëndruan shumë të izoluar në hetuesi. Njihemi sot me një prej këtyre proceseve, dënimin me vdekje të Kolë Berishës, Sinan Gjonit dhe Spiro Ruços.

Kolë Berisha

Kolë Berisha në hetuesi

Kolë Berisha në hetuesi

I biri Gjonit dhe Mrikës, 41 vjeç, lindur në Shkodër e banues në Tiranë, arrestuar më 9.1.1946. Kishte mbaruar liceun e Korçës në vitin 1928, me profesion gazetar. Deri në vitin 1939 punoi në gazetat apo revistat, si: “Telegraf” (të Kostë Çekrezit), “Vatra” (të Timo Dilos), “Diana” (të Medin Begos), “Shqipëri e Re” (të Mihal Xoxes që dilte në Kostanea), “Gazetës së Korçës”, “Arbënia” (të Nebil Çikës), duke qenë gjithnjë redaktor. Në fillim të vitit 1943 arrestohet prej italianëve dhe bashkë me nënën e adoptuar, Merushe Topulli, burgoset në Bari të Italisë. Atje lirohet prej amerikanëve në tetor 1943. Më tej e dërguan në kampin nr.1 në Bari që drejtohej më shumë prej britanikëve sesa prej amerikanëve. Në këtë kamp erdhën edhe shqiptarë të tjerë antifashistë të liruar nga burgjet.

Në këtë kamp gjendej edhe Llazar Papastoli (Lari Post) me kombësi shqiptare dhe shtetësi amerikane. Ky u propozoi që të shkonin në Villa Azzona që e kishin amerikanët sepse atje jetohej më mirë, e prej andej do kalonin në Shqipëri. Ashtu bënë. U bashkuan Merushe Topulli, Adem Derhemi, Riza Leka dhe Qazim Hoxha (babai i këngëtares Ana Oxa). Pasi u morën katër ditë me rregullimin e vilës, erdhi grupi i dytë i përbërë prej këtyre personave: Galip Hatibi, Spiro Ruço, Vasil Llazari, Leko Peleshi, Vahi Furrxhiu, Asllan Halla, Luman Çelmeta, Qani Katroshi, Fadil Kërtusha, Ali Alija, Hamit Grykshi, Satamat Stamatidhi, Alush … (nga Çamëria), Koço Gjika, Alush Sejko, Prenk Shkoreti, Nazmi Reka, Osman Shehi, Shate Dulla, nga Kavaja. Më vonë erdhën nga Siçilia: Sinan Gjoni, Hasan Reçi, Niko Kovaçi, Spiro Dhima dhe Foto Vesha.

U formua një këshill që kryesohej prej Hasan Reçit, ku bënin pjesë Kolë Berisha, Spiro Ruço dhe Galip Hatibi. Këta u bënë ndërlidhës të shqiptarëve dhe amerikanëve. Këta të fundit kërkonin që grupi kur të kthehej në Shqipëri të udhëhiqte qëndresën kundër pushtuesit. Për këtë arsye, ata bënë kurse radiotelegrafike dhe sabotazhi të udhëhequr nga Llazar Papastoli dhe Fultz-i. Në fillim erdhi Ismail Karapici, i cili shoqëroi një mision amerikan që erdhi në Vlorë. Më pas u nisën Hasan Reçi, Niko Kovaçi dhe Foto Vesha. Thotë se kanë nënshkruar nga një deklaratë bashkëpunimi me ushtrinë amerikane deri në mbarim të luftës.

Pas kërkesave të tyre, më 15.4.1944 janë nisur të gjithë për në Shqipëri, me përjashtim të: Ali Alisë, Adem Dërhemit, Riza Lekës, Qazim IIoxhës, Koço Gjikës, Et’hem Belulit. Kola ka dashur të niset me Merushen nëpërmjet Jugosllavisë, por nuk ka mundur dot për arsye fizike e shpirtërore. Për këtë arsye qëndroi në Bari. Këtu mban mend se ka ardhur nga Roma, Petro Marko, për të organizuar një mbledhje me shqiptarët e mbetur në Itali. U krijua një komitet ku bënin pjesë profesor Sharra, Sotir Kuneshka dhe Kolë Berisha. Në këtë gjendje, më 17.9.1944 ka ardhur në Bari një mision ushtarak shqiptar i kryesuar nga Ramadan Çitaku e zëvendës Halim Budo. Këta qëndruan për 25 ditë në shtëpinë e Kolës. Njëkohësisht punoi në mision me lajmet. Me mbylljen e misionit, mbërriti në Tiranë më 10.5.1946. Në gjyq, hodhi poshtë procesverbalin pasi tha se ka qenë i sëmurë me 41 gradë.

Sinan Gjoni

Sinan Gjoni

Sinan Gjoni

I biri i Islamit dhe Mines, vjeç 36, lindur në Tragjas dhe banues në Tiranë, i pamartuar, nëpunës, arrestuar më 19.4.1946. Ish-drejtor i shtypshkronjës “Bashkimi”. Ishte arrestuar nga fashistët më 20.4.1942, dënuar me vdekje më 7.9.1942 dhe dërguar në Itali për të vuajtur dënimin në ishullin e Shën Stefanit. Ka vuajtur dënimin së bashku me shqiptarë të tjerë, si: Hasan Reçi, Nikolla Bruka, Ndue Nikolla, Ndue Gega, Haxhi Braja dhe dy minoritarë. Po ashtu kishin qenë edhe disa dënuar ordinerë, emrat e të cilëve nuk i mbante mend. Pyetet prej nëntogerit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Nikolla Paskali.

U liruan nga burgu nga amerikanët më 13.9.1943. Lirimin e kreu një komision i përbërë prej 6 vetash, 3 amerikanë dhe 3 jugosllavë ish-të burgosur por që shërbenin në ushtrinë amerikane. Ishin grumbulluar në Palermo nga amerikanët. Pas një qëndrimi një muaj e gjysmë këtu, në kamp dhe në një shtëpi, u nisën për në Bari të veshur me uniforma të ushtrisë amerikane, së bashku me Hasan Reçin, Spiro Dhimën, Nikolla Kovaçin, Ndue Nikollën, Ndue Gegën, Haxhi Brahjen, dhe Koço Dhimën. Në Villa Azzona u takua për herë të parë me Llazar Papastolin. Në korrik 1944 u kthye në Shqipëri.

Spiro Ruço

Spiro Ruço në hetuesi

Spiro Ruço në hetuesi

I biri Mihalit dhe Kristinës, 27 vjeç, lindur në Shalës të Kolonjës, banues në Tiranë, kishte kryer 6 klasë teknike (4 në bujqësi dhe 2 në inxhinieri, diplomuar në vitin 1934) arrestuar më 12.4.19146. Ishte internuar më 3.3.1942 nga fashistët nga Shqipëria në Bari. Ka qenë bashkë me: Hasan Reçi, Galip Hatibi, Zenel Hekali, Petro Bullati, Qamil Islami, Ibrahim Çoku, Nikolla…, Ahmet Spahia (ngelur në Itali), Kapllan … (nga Vlora), Ramazan Bellalla. Më vonë kanë ardhur: Kolë Berisha, Merushe Vasil Llazari, Pavli Margariti. U liruan në fund të tetorit 1913. Nga burgu, së bashku me Qamil islamin, Vasil Llazarin, Pavli Margaritin dhe Ahmet Spahiun, u morën nga britanikët dhe u çuan në kampin e Tarantos.

Pak ditë më vonë i çuan në një kamp tjetër (në origjinal shkruhet Karbunarë të Italisë, por duhet të jetë diçka tjetër), edhe ky i drejtuar nga britanikët. Këtu erdhën Galip Hatibi, Foto Vesha, Qani Katroshi, Vadil Kërtusha, Nazmi Mitraku, Jakup Kalaja, Vasil Greku, Nesti Orogollaj, Irfan Asanaj (të gjithë nga Brindizi) dhe disa të tjerë të dënuar për çështje ordinere. Në këtë kamp gjetën edhe Ismail Karapicin. Ky i fundit dhe Kolë Berisha ikën nga kampi e shkuan në vilën e përmendur më lart. Nga vila janë larguar më 10.4.1944 fillimisht në Napoli e pastaj prej këtu me avion për në Vis të Jugosllavisë. Pas një udhëtimi të gjatë, diku nga fundi i vitit, ai dhe Galip Hatibi u bashkuan me brigadën e 3-të diku në kufirin shqiptaro-malazez. Në mars 1945, ai dhe Galip Hatibi, për të keqen e vet, mbërritën në Tiranë.

Gjykimi

Çështja u gjykua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës e përbërë nga major Gjon Banushi, kapiten I Avdul Hakiu, kapiten I Shaban Rezha, duke pasur pranë ndihmësprokurorin kapiten Faik Minarollin. Procesi u hap më 30.1.1948, pra gati 2 vjet pas hetuesisë. Me vendimin nr.85, datë 11.3.1948, Gjykata Ushtarake e Garnizonit të Tiranës i deklaroi fajtorë në bazë të neneve 10, 17 të ligjit nr.368 “Mbi organizimin e gjykatave ushtarake”, dhe i dënoi me vdekje. U la në fuqi me vendimin nr.121, datë. 20.3.1948, Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë nga major Niko Ceta, kapiten I Nexhat Hyseni dhe kapiten II Mustafa Iljazi.

Të pandehurit akuzoheshin se kishin marrë pjesë në kurset e spiunazhit në Bari dhe ishin vënë në shërbim të SBS-së, që udhëhiqeshin prej Fultz-it dhe Llazar Apostolit. Pas kësaj ishin përfshirë në repartet partizane. Në dosje ka akuza, por nuk ka prova.

  • Sinan Gjoni akuzohej se kishte kryer kursin e spiunazhit në Villa Azzona të organizuar prej SBS-së, për nënshkrimin e deklaratës së besnikërisë, për lidhje me Lari Postin, Fultz-in etj.
  • Spiro Ruço akuzohej se pas ikjes së Hasan Reçit i shërbeu spiunazhit amerikan.
  • Kolë Berisha akuzohej se si radiotelegrafist ishte vënë në shërbim të SBS-së, gjë të cilën e kishte vazhduar në misionin ushtarak në Bari. Në Shqipëri i kishte vijuar lidhjet me amerikanët e gjoja kishte dhënë informata me karakter ushtarak, politik e ekonomik.

Në seancën e fundit, ata deklaruan si më poshtë:

  • Spiro Ruço: Isha militant komunist i orëve të para. Për sa akuzohem nuk janë të vërteta. Kam qenë i ndershëm dhe ndershmërinë time nuk e barazoj me vdekjen. Gabime mund të kemi bërë, si në Itali, ashtu edhe në punën e sotme.
  • Sinan Gjoni: Mua nga imperializmi më ndan një oqean i madh; nuk kam qenë agjent i tyre. Gabime kemi bërë në Itali, porse qëllimi jonë ishte të ktheheshim sa më parë në vendin tonë.
  • Kolë Berisha: Nuk kam qenë agjent, unë isha i burgosur dhe në Itali kemi bërë gabime, por kërkoj mëshirë se jam i sëmurë.

Ekzekutimi

Ekzekutimi u krye më 22.3.1948, në prani të prokurorit Petrit Hakani, të deleguarit të seksionit të brendshëm të qytetit të Tiranës Maqo Pecani, drejtorit të burgut të armiqve të popullit Thanas Bimi. Fjalët e fundit të tyre tregojnë sa pa lidhje ishte akuza. Ndonjë vdiq me bindje se ishte komunist. Ndonjë tjetër nuk e dinte ende se Titos po i mbaronte respekti në Shqipëri.

Fjalët e fundit

  1. Kolë Berisha: Rroftë pushteti. Të rrojë partia dhe të shkojë drejt fitoreve më të mëdha. Rroftë shoku Stalin, mareshali Tito dhe shoku Enver. Për pushtetin unë kam punuar. Për familjen, le të mendojë pushteti.
  2. Sinan Gjoni: S’kam asgjë të përbashkët me reaksionin. Rroftë partia e revolucioni.
  3. Spiro Ruço: Agjent nuk kam qenë dhe as kam menduar. Kam qenë vetëm komunist dhe kam shërbyer për këtë deri në fund. S’kam pasur asgjë të përbashkët me reaksionin.

Gazeta 55, 21 mars ’18

 

Postime të ngjashme