UET Press sjell burgun e Kurt Kolës

kkola1

Kurt Kola, simboli i vuajtjeve që shkaktoi regjimi komunist shqiptar, vjen me një rrëfim të jetës së tij “Në Shqipërinë burg”, një rrëfim për vuajtjen, për lirinë dhe forcën njerëzore. Libri, botim i UET-Press, u promovua para pak kohësh në hollin e Universitetit Europian të Tiranës, me praninë e shumë prej bashkëvujatësve të Kolës në burgjet e kampet e komunizmit.

Kurt Kola është kthyer në një simbol të krimeve të komunizmit. Babai i tij Bilal Kola, një prej përfaqësuesve të lartë të partisë Lëvizja e Legalitetit, i cili kishte strehuar dhe bashkëpunuar me misionarët ushtarakë britanikë, në Shqipëri, gjatë Luftës së II Botërore, u vra, ndërsa familja e tij u internua, u burgos që kur Kurti ishte akoma fëmijë, dhe përjetoi një kalvar vuajtjesh deri në vitin 1991, kur regjimi totalitar ra.

“Libri me kujtime i zotit Kurt Kola, titulluar “Në Shqipërinë Burg”, është një rrëfim i gjatë, i detajuar i kalvarit të dhimbshëm, të mundimshëm dhe tragjik, të familjes së Bilal Kolës Senior dhe i të gjithë parësisë intelektuale, patriotike të Shqipërisë Tradicionale. Bilal Kola, bajraktari krenar i Macukullit në Mat, u vra pabesisht me dorën e komunistëve jugosllavë, dha jetën për të mbrojtur krenarinë e njeriut të lirë, duke qëndruar deri në fund me dinjitetin e shqiptarit të ndershëm dhe të papërkulur. Ndërkohë, familja e tij, bashkëshortja Vasha, fëmijët, mes të cilëve Kurti i vogël 9-vjeçar, përcollën një jetë të tërë epope, nëpër kampet e shfarosjes në masë të Shqipërisë Komuniste dhe u përfshinë në grupin e familjeve që nuk do të duhej ta shihnin kurrë lirinë, as në Burgun e Madh të Hapur të “Shqipërisë së Lumtur Socialiste”, shkruan ndër të tjera Romeo Gurakuqi në parathënien e këtij libri.

Kurt Kola nuk i fshehu emocionet e momentit kur jeta e tij dorëzohej si një rrëfim në duart e lexuesve. Duke shprehur mirënjohjen për miqtë e pranishëm dhe për Universitetin Europian të Tiranës, që e nxiti dhe mundësi botimin e librit, ai tha se ky rrëfim nuk arrin ta sjellë të gjithë atë që panë dhe hoqën shqiptarët në komunizëm.

“Kjo është një punë gjysëm shekulli se aty unë kam dhënë, një nga mijëra e mijëra histori të burgosurve të komunizmit. Çdo i burgosur ka një dramë dhe një histori më vete, pastaj gjithë ata intelektualë të ekzekutuar  që nga 44 dhe deri nga rënia e diktaturës. Pra edhe sikur ne të bëhemi shkrimtarë në rangjet e Shekspirit, nuk mundemi t’i themi ose t’i pasqyrojmë ashtu siç ne i kemi parë, ashtu siç i kemi hequr”.

Më tej ai theksoi se ka bërë me këtë libër aq sa mundet ‘si një detyrë për ta lënë si dëshmi të brezave që vijnë”.

Për të treguar dramën e një njeriu që jeton si i përndjekur politik Kurt Kola u mjaftua vetëm me një frazë: “Ne e thonim atje, o Zot mos na sill afër njeriun që unë dua më shumë, sepse kishim frikë se atë njeriun që e duam më shumë po të na e sillnim aty do ta urrenim në fund. Pra të tilla ishin kushtet në atë sistem. Ai e ktheu Shqipërinë krejt në një burg, futi gjithë popullin në burg, por prapë unë jam përpjekur që të lë një dëshmi për një diktaturë që nuk e kanë njohur brezat e rinj. Ata duhet të dinë se ishte diktatura më e egër në të gjithë lindjen komuniste”.

Një nga bashkëvuajtësit e Kolës, ish-i përndjekur politik, Dine Dine, tha se “nuk ka të ardhme pa treguar të shkuarën, brezat që vijnë duhet ta njohin vuajtjen dhe të vërtetën, duhet të njohin e të dënojnë krimet e komunizmit. Kjo është një dëshmi e rrallë, është e vërteta që depërton tek të brezat, është e vërteta që duhet thënë kudo dhe gjithmonë që të mos harrojmë”.

Një tjetër mik i Kolës, ish- i përndjekuri politik, Eduart Ypi, duke e vlerësuar për kurajon për ti shkruar kujtimet në një libër tha se ai e kaloi jetën në luftë.  “Kurt Kola nuk është i përndjekur, ai është një luftëtar dhe gjithë jeta e tij ka qenë një luftë e pandalshme. Ai ishte dhe mbetet një personazh i rëndësishëm, si në komunizëm dhe pas tij”, u shpreh Ypi.

UET, projekti për të dëshmuar kujtesën

Botimi i librit me kujtime të Kurt Kolës vjen si pjesë e disa botimeve, e një projekti më të gjërë të UET dhe UET-Press, për të dëshmuar kujtesën e krimeve të komunizmit. Admistratori i UET-it, Henri Çili, e konsideroi  Kurt Kolën si një personalitet të rrallë sepse i ka mbijetuar me dinjitet, nder dhe me një lartësi morale të admirueshme të gjitha kohëve dhe ka ditur të jetë njeri i lirë dhe të ndërtojë lirinë e tij.

Libri i tij botohet në kuadër të shumë botimeve të tjera të kësaj natyre dhe projekteve akademike që ky universitet ka inicuar në këtë drejtim.

“Universiteti Evropian i Tiranës ka kënaqësinë të thotë sot se kemi bërë disa botime të kësaj natyre ose kemi ndërmarrë disa projekte që të kemi një koleksion dhe do të kemi dhe disa projekte të tjera pikërisht me gjurmë, dëshmi dhe rrëfime për historinë nga disa personaliteteve të shquara. Kemi librin e Amik Kasoruho, kemi librin e Spartak Ngjelës, Aleksandër Meksit, librat e Blendi Fevziut, librat e autoreve të tjerë shqiptarë dhe plane të tjera në kuadrin e projekteve tona publike dhe kërkimore për të dëshmuar kujtesën”, theksoi Çili./dritare.net/

 

Postime të ngjashme