Unë Dëshmoj: Hysen Shehu

hysen shehu 3Hysen Shehu

Ka lindur më 14 prill 1951 në qytetin e Vlorës. Nuk kishte ardhur akoma në jetë kur të atin, Tefik Shehun e vranë pa gjyq si një ndër “22 atentatorët” ndaj ish-Ambasadës Ruse në 26 shkurt 1951. Babai i tij, Tefik Shehu ishte një i shkolluar në perëndim, me tre fakultete, ndërsa nëna e tij me origjinë kosovare kishte mbaruar studimet për skulpturë në Zagreb.

Sipas rrëfimit të Hysen Shehut, babai i tij ka qenë gjithmonë i gjurmuar  nga sigurimi i shtetit, pasi ishte një intelektual që kishte studiuar jashtë. Më 19 shkurt 1951, për shkak të dinamitit të hedhur në ish-ndërtesën e Ambasadës Sovjetike në Tiranë, hyjnë në shtëpinë Shehu, forcat e Sigurimit me thirrjen : “Familja Shehu, në emër të popullit jeni të arrestuar”. Më 26 shkurt 1951 Tefik Shehu pushkatohet bashkë 21 me intelektualë të tjerë pranë lumit Erzen.

Më date 1 mars 1951 rrethohet shtepia e Hysen Shehut. Oficerat e Sigurimit të Shtetit dhe ushtarë të armatosur hyjnë në shtëpinë e tij per të kryer zhvendosjen e familjes nga Tirana.  Ata shpërngulen në një magazinë në qytetin e Vlorës dhe humbin çdo pasuri që kishin në Tiranë.  Hysen Shehu ka lindur në internim, ku dhe kaloi 22 vite.

E ëma e Hysen Shehut, punoi për 38 vite në ndërtim gjatë internimit. Ka punuar në Sazan, Karaburun, Llogara, Porto Palermo etj. Duke qenë djali i vetëm që trashëgonte mbiemrin Shehu, Hysen Shehu me këshillë të nënës së tij nuk shoqërohej me të tjerë dhe vëzhgohej vazhdimisht nga familja e tij.

Me ndërrimin e sistemit qeverisës në Shqipëri, Hysen Sheu kërkoi informacione dhe takoi dëshmitarë të vrasjes të 26 shkurtit 1951. Ai filloi gërmimet për gjetjen e eshtrave të të atit të cilat zgjatën për 6 muaj. Nga dëshmitarë okularë Hysen Shehu mëson më pas se si ishte pushkatuar babai i tij bashkë me intelektualët e tjerë.

“Kur i vranë, i thanë një fshatari, nesër thuaj se janë vrarë disa kuaj të sëmurë.”

Në mes tyre kishte qenë edhe Sabiha Kasimati, e cila sipas dëshmitarit ishte qëlluar për herë të dytë pasi e kishin mbrojtur intelektualët me trupin e tyre.

  • 19 shkurt 1951 forcat e Sigurimit të Shtetit hyjnë me dhunë në shtëpinë Shehu.
  • 26 shkurt 1951 Tefik Shehu, babai i Hysen Shehut pushkatohet bashkë me 21 intelektualët të tjerë.
  • 1 mars 1951 familja Shehu internohet në qytetin e Vlorës.
  • 14 prill 1951 lind në internim Hysen Shehu
  • Pas viteve ’90 Hysen Shehu gjen eshtrat e babait, Tefik Shehut dhe 21 intelektualëve të tjerë.

 

VIDEO

Pjesa 1, “Pushkatimi  i babait që nuk e njoha dot…”

Pjesa 2, “Internimi i pamëshirshëm i familjes sime…”

Pjesa 3, “Si e përjetova luftën e klasave…”

Pjesa 4, “Rrëfimi nga një dëshmitar okular i datës 26 shkurt 1951…”