“Vetëvrasja” e Jup Kazazit në kryengritjen e Postribës

jup kazazi

71 vjet pas kryengritjes antikomuniste në Postribë, arkivat dhe dëshmitarë të afërt vijojnë të nxjerrin në dritë fakte të reja që plotësojnë gamën e kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike, e cila u përkujtua dje në një aktivitet në Muzeun Historik Kombëtar, organizuar nga Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Veç fjalëve të mabjtura nga Drejtori i ISKS Agron Tufa, studiuesit Uran Butka dhe Çelo Hoxha, dhe gazetari Nebil Çika, në qendër të këtij aktiviteti, ishte referati i mbajtur nga Hamza Kazazi, djali i Jup Kazazit, nji prej martirëve që humbi jetën gjatë kryengritjes së Postribës.

Duke e pasuruar ngjarjen me shumë fakte të reja nga arkivat dhe dëshmitë e mbledhura prej tij, Hamza Kazazi bëri një skaner të kësaj ngjarjeje historike. Ai solli për të pranishmit një varg dokumentesh, të cilat u prezantuan në këtë akivitet edhe si faksimile por edhe të lexueara.

Sot sjellim disa prej dokumenteve kryesore prezantuar sot mbi kryengritjen e Postribës, aksionet e komunistëve dhe vetëvrasjen e Jup Kazazit, të cilën komunistët e shitën në popull sikur e zunë dhe e vranë ata vetë. Madje siç dëshmon një foto e cila është publikuar vitet e fundit, pas vetvrasjes forcat e Mbrojtjes së Popullit e morën kufomën e tij dhe e shëtitën nëpër qytet si një formë presioni dhe terrori.

Disa nga dokumentet mbi kryengritjen e Postribës

A.Q.SH. Fondi 14, Dosja 50, Viti 1945

Fq. 72/1

Komiteti Qarkor i PKSH per Shkodren

Nr. 503/1

13/9/1946

Komitetit Qendror te P.K.Sh. Tirane

Vazhdim i shkreses 503 dt.9.9.1946. Njoftime te reja rreth goditjes s’ilegaleve afer kazermave tona. . ..numri i atyrve qe kane marre pjese ne aksion nuk ka qene 50 por gati 300 vete nga katundet e komuneve Postribe e Gur’ i zi. Udheheqesi i aksionit del Jup Kazazi dhe rreth tij nje pjese e mire kulakesh, tipa kapadaijsh, tregtaresh te tatuar, oficerash te Zogut etj. Keta nuk ishin te gjithe te armatosur. Nga sa njoftohem ketyre situatave u eshte paraqitur situata e permbysur ketu, sikur gjoja Greku hyri ne Shqiperi, Englezi zbarkoi ne Durres e keshtu nuk mbetesh tjeter veç se te hynin ne Shkoder.

… ditet e fundit informohemi se te tilla aksjone do te behen gjoja ne Lesh, Koplik e gjeket.

Ne tashti kemi marre masat e para dhe goditjet tona vazhdojne si ne qytet si ne fshat; njekohesisht vazhdon demaskimi i kriminelit Jup Kazazi dhe demi qe ju erdhi fshatareve nga ky aventurjer. Eshte mire qe operacioni i rrepte kundra krereve e bajraktareve te Dukagjinit (e miqeve te tyre) te filloje sa me pare e te paralizohet Shllaku i cili perben nje krahe per Postriben. Njekohesisht vazhdojne masat ne qytet e periferi duke patur kujdes qe te goditen pronaret, tregtaret e tatuar, ish oficerat e Zogut se sa masa e varfer.

1.Komitetin Qarkor te Partise (Spiro Pano) Shenim: Dokumenti eshte kopjuar me dore nga originali ne Arkivin e Shtetit. Mbasi koha ne dispozicion ishte e kufizuar, eshte kopjuar pjesa kryesore qe ka lidhje me Kryengritjen e Postribës dhe rrjeshtat që mungojnë nuk i ndryshojnë kuptimin.

A.Q.SH.

Fondi 14, Dosja 62/1 Fq.

70 Komiteti Qarkor i PKSH per Shkodren

Nr. 10/12 Res.

3/10/1946

Komitetit Qendror te P.K.Sh. Tirane I.

Reaksioni dhe ne.

– …

Tashti del se reaksioni (koka e te cilit ne qarkun tone eshte kleri dhe prapa tij Int. Servis-i) ka marre lidhje me elementin parì te se kaluares, me njerez me influence, te prekur nga reformat, pronare, bajraktare, kapadainj, ish oficera te Zogut etj. dhe nepermjet ketyreve eshte munduar te ngreje fshataret e mesem e te varfer akoma kunder nesh. Duke hedhur parullen se situata po permbyset, ky Pushtet i ka ditet te shkurtra, Englezet po zbarkojne, Greket sulmuan ne Jug etj. Ky element parì mundi te genjeje fshataret e  Postribes e te Gurit të Zi e t’i hedhin kundra nesh. Perveç kesaj demagogjije, reaksioni ka perfituar dhe nga influenca qe ushtrojne Kazazet me shoke ne fshatrat e Shkodres po ashtu dhe nga mungesa e nje pune tone serioze ne keto fshatra. …

1.Komitetin Qarkor te Partise

(Spiro Pano)

Shenim: Dokumenti eshte kopjuar me dore nga originali ne Arkivin e Shtetit. Mbasi koha ne dispozicion ishte e kufizuar, eshte kopjuar pjesa kryesore qe ka lidhje me Kryengritjen e Postribes dhe rrjeshtat qe mungojne nuk i ndryshojne kuptimin.

Jup Kazazi. – Rrjedh nga shtresa e naltë, studimet i ka kryer jashtë. Në kohën e Zogut ka qënë emnue si sekretar i një Ministrije. Aktivitetin politik e ka fillue ma tepër me ardhjen e fashizmit Italjan, nga i cili emnohet Federal, Prefekt e ma von dhe Ministër i Partis fashiste në Shqipni.

Ka qënë një nga eksponentat e organizatës trathtare të Ballit Kombtar. Komiteti Qëndror i Ballit Kombtar e ka pas dërgue këtë si të deleguemin e tij në Qarkun e Shkodrës. Jup Kazazi, ka qënë në këtë Qark elementi ma i rezikshëm për Lëvizjen N.Ç.L. Ka qënë pengesa ma e madhe për përhapjen e frymës të Lëvizjes N.Ç.L. në krahina të ndryshme të Qarkut Shkodrës.

Ka bashkëpunuar me të gjithë reaksjonin e brendshëm për të shtypë e shue Lëvizjen e Popullit Shqiptar si p.sh. me fashizmin Italjan, ma von me atë gjerman, me qeverritë kuislinge të ndryshme dhe me çdo tjetër që ish armik i Lëvizjes N.Ç.L. Jup Kazazi lidhej ngushtë dhe me të huaj që ishin në vëndin t’onë gjat okupacionit si p.sh. me majorin Englez Nil etj, të cilët mbanin anën e reaksjonit. Me çlirimin e Shqipëris ky nuk largohet nga Shqipnija por mbetet n’arati me qëllim që të organizojë lëvizjen kundër Pushtetit të vendosun në fuqi. Në këtë drejtim ka ba mjaft tentativa.

Ka qënë organizatori i lëvizjes Janarit 1945-sës në Shkodër, kur Llesh Marashi sulmoji Koplikun me të cilin Jup Kazazi ishte në lidhje siç duhej dhe me kriminelë tjerë si Hasan Isufin i cili vrau partizanët në Belloj, gjat ilegalitetit ashtë vue në lidhje me shtresa reaksjonare të ndryshme si p.sh. me tregtarë, pronarë dhe intelektualë me qëllim që t’organizoheshin këto forca kundra Pushtetit. Jup Kazazi ka qënë një ndër nxitësit kryesorë të lidhjes që u ba në Shkodër më 9 Shtator. Të gjitha këto i pagoji me këtë (u-vra).

Nr. Extra

Shkodër 17/9/46

Tepër Urgjent

Drejtoris Sigurimit Shtetit

(Nestit)

Mbramë në ora dy mbas mesit të natës u zbulue në seksion se ku ndodhet Jup Kazazi. Në rrethimin që i bëmë shtëpisë dhe mbasi si e pa se neve e gjetëm bodrumin ku ishte mëshefur dhe s’kishte shpëtim, vrau vehten. Këtu popullarizohet se e vramë neve (në dokument nënvizohet me shkrim dore “Mirë”, që nënkupton se e mirartojnë). Kemi gjetur disa dokumenta, por ma të randësishmet do t’u a dërgojmë. ZOI THEMELI

Nr. 52/77 Rez

Shkodra më 6/VI/46

Tepër urgjent

Drejtori Mbr. Popullit

Gruaja e të burgosurit Bardhok Gjoka nga Mirdita e ardhur këto ditë këtu në Shkodër në muhabet e sipër i deklaroj nji shokut t’onë se Mark-Gjoni Marku është nisur në (datën 3.6.46) për në Dibër. Para se gjer të nisesh ka qëndruarë në katundin Kulme të Gerimit (Krujës), ku ka shtypur dhe disa trakte dhe i ka shpërndarë nëpër katunde. Kthimi i tij s’dihet kur bëhet, por duhet të ruhet kurora e kur soset dhe lani i lumit. Me (datën 28/5/46) në këto dy goja është siellë vërdallë gati gjysëm dite nji aroplan Engëles. Thuhet se ka hedhurë dhe pare. Me Markun në Dibër ka shkuarë dhe Jup Kazazi. Gruaja i ka marrë vesh nga nji familje e nji të arratisuri.

1.Shefin e Sek. M.P.

(Fadil Kapisuzi)

1.EXTRA SII.RES

SHKODËR 13.VI.45.

DREJTORIS M.P

Sot në mëngjesë forcat t’ona që ishin dërgue për të rrethuer Jup Kazazin po sa shkojnë në vendin e caktuarë përpiqen në rrugë me Jupin. U zue i gjallë i vëllajë i Jupit Hamiti. Jupi me nji tjetër mundën të shpëtojnë. Është plagosur dhe një nga ata por sdihet se kushë Jupi ose shoku tjetër. Gjurmimet vazhdojnë. Zoji Themeli

Nr. 542

Shkodër 1/5/45

Drejtoris M. P.

Sot u zu në katundin Beldice Halit Kazazi vëllai i Jup Kazazit ish kapiten Fashinazist shumë i poshtër. Ky u kap prej forcave të mbrojtjes me ndihmën e popullit.

Zoi Themeli

 

Burimi: http://shqiptarja.com/dossier/2711/dokumentet-e-sigurimit-si-u-vet-vra-jup-kazazi-pas-rrethimit-n–2-t–nat-s-439917.html

 

Postime të ngjashme