Visar Zhiti: Instalimi i komunizmit – institucioni i parë ishin burgjet

vzhiti02

Rreth shkrimit

Ky është fragmenti i dytë i shkëputur nga “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, një vepër kurajoze e Visar Zhitit, botuar pak vite më parë, ku një pjesë e mirë i kushtohet metodave të dhunshme të regjimit për të siguruar jetëgjatësinë e tij dhe akteve kriminale që u kryen nga komunistët në Shqipëri në momentet kur po instalohej ky regjim.

Mjaft pikant në këtë pjesë të “Panteonit” të Zhitit është argumenti që ai sjell për burgjet, si institucioni i parë që ngritën komunistët ende pa ardhur mirë në pushtet dhe se si vijuan më tej të funksionojnë përgjatë viteve të gjata të diktaturës. Për lexuesit tanë e sjellim të plotë këtë fragment shkëputur nga “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar” e Visar Zhitit, në vijim të shkrimit të djeshëm.
Ad.Pe.

Institucioni i parë: burgu.

Pa mbaruar Lufta e Dytë Botërore, ende pa u çliruar, Shqipëria nisi me dënimet vrasje, pushkatime.

Institucioni i parë që u ngrit, ishte burgu. Në kujtimet e një bashkëvuajtësi, P. V., që e kaloi jetën burgjeve dhe internimeve, tregohet për arrestimet që bënin partizanët, kur nuk kishin marrë pushtet. Mbi një qerre krijuan qelinë e parë ambulante.

Përfytyroj ecjen e zvargur të asaj qerreje, gjithnjë duke u zmadhuar, duke u bërë makina e diktaturës, që do të përkryhej si një gijotinë e hatashme.

Është Hark Triumfi thoshte Partia dhe poetët e saj do të nguteshin kush e kush t’i kushtonte poemën më të bukur, duke e krahasuar presën e gijotinës, që binte “pa ia da” mbi kokët e njerëzve, me vezullimet e diellit.

Nekromania ideologjike nisi me masakër. Por së pari duhej vrarë At Gjergj Fishta, patjetër, poeti homerik, e fundmja lahutë e botës, ndërkohë dhe satiristi më i madh në Ballkan, akademik në Itali, i propozuar dhe për çmimin “Nobel”, studiues, polemist, kritik, arkitekt, piktor, politikan. Mos ishte gjë kundër komunizmit, të atij që na vinte nga sllavët, të cilët i kishin nxjerrë pengesa kombit tonë, që donin të copëtohej, të zhbëhej? Ah, Fishta kishte vdekur që gjatë luftës. Atëherë të vritej i vdekur, pavdekësia e tij. Fitimtarët ia thyen varrin në një kishë të Shkodrës, që e shndërruan në kinema a pallat sporti, dhe eshtrat u dha urdhri të hidheshin në lumin Drin. Dhe ashtu u bë. Por ka zëra tani që thonë se nuk u zbatua ai urdhër i kobshëm.

Dhe pranë hendekëve të pushkatimit u vunë shkrimtarë të tjerë, të shkollës Veriore të Klerit Katolik, u rrafshua akademia e tyre e kulturës dhe e atdhetarisë. Do të pushkatoheshin ministra të qeverive të mëparshme, dhjetëra. Dhe, kur të mbaronin ata, do të kalohej te ministrat e mëpastajmë, tek të tyret. Por do t’i kujtojmë më pas.

Duhej filluar nga e para, duke mohuar mijëvjeçarët. Të mbylleshin burgjeve mbartësit e së kaluarës, ata, të asaj kulture që do të shndërrohej në qëndresë, që pengonte. Do të dënoheshin dhe shkrimtari i romanit të parë shqiptar, dhe shkrimtarja e parë grua, dhe autori i librit të parë me kritika, dhe kompozitori i operës së parë, piktorë, dhe…

Themelet e ndërtimeve në vend, e veprave më të rëndësishme, pothuaj të gjitha: aeroporte, stadiume, pallate banimi, tharje kënetash, uzina, miniera, brezare, kudo e kudo, janë hapur me të burgosur, madje dhe vetë burgjet, me punën e tyre të papaguar kurrë, duke mbetur kështu i shkelur përgjithmonë edhe parimi themelor i socializmit: shpërblimi sipas punës. Në fakt ka ndodhur dënimi sipas punës, asaj pune që i shërbente ardhmërisë.

Aradhë shkrimtarësh dhe artistësh, vit pas viti, do t’í vinin në rresht, me pranga, për në burgje, në minierat e vdekjes. Dhe do të pushkatonin herë pas here, edhe do të varnin.

* * *

…nisën zhgënjimet, rënia shpirtërore dhe rrënimi i traditave, i ekonomisë, i karakterit dhe i moralit njerëzor etj., etj., dhe pas prishjes me Jugosllavinë, më pas dhe me shtetin më të madh komunist, Bashkimin Sovjetik, dhe më në fund me shtetin tjetër me popullsinë më të madhe në botë, Kinën, gjithmonë për shkaqe të mbështjella me parime, politikë e doktrinë, që në fakt fshihnin etjen për sundim, vendi u vetëmbyll, mbeti pa horizonte, si me piktura të hequra, të ndaluara, artet u asfiksuan tërësisht prej totalitarizmit dhe letërsia mbeti pa lidhje, as me vetveten, me pjesët e tjera të saj, aq sa të përhiteshin vëllezërit siamezë, njëri gjithmonë i vdekur për tjetrin.

Kur Shqipëria socialiste u mbyll dhe u bë si një kështjellë kafkiane, kur, për gjysmë shekulli, shtypej gjithçka për të ndërtuar një utopi dhe eksperimentohej monstra e njeriut të ri – kur njeriu më shumë është i vjetër dhe i ri vazhdimisht, i shenjtë dhe djall – teksa prisheshin me radhë vlerat në kulturë e kudo dhe historia shpjegohej si zhvillim i luftës së klasave, që, po e përsërit, është luftë civile në kohë paqeje, sipas meje, ishte e detyruar të ushtrohej në arte vetëm metoda e realizmit socialist. Do t’i këndohej komunizmit, që s’dihej si do të vinte, me dhunë patjetër, me poema e romane, kushtuar partisë dhe diktatorit, pa lejuar të merreshe realisht me realitetin. Duhej krijuar një realitet tjetër, jo ai magjepsësi që krijon arti, por siç e donte partia, politika e saj, një si lumturi e lemerishme, absurde dhe vrastare, që duhej besuar si ndërtim e i një jete të re.

Dhe kështu shoqëria bëhej më e keqe, e egër, e pacivilizuar, që shpellat prehistorike i zëvendëson me apartamente të ngushta, baraka e biruca. Duke tromaksur kolektivitetin e vetvetes, shoqëria absolutisht nuk zgjidhte asgjë të rëndësishme, veçse inkriminohej edhe më, kurse shteti besonte idiotërisht se, sa më i keq të ishte, aq më i fortë do të bëhej. Dhe i duhej kjo dukje. Një shtet njerëzor do të vetëndihej si i dobët, humbanak. Pra më mirë mosarsyetimi se arsyetimi, madje dhe furia e shkalluar për të hyrë në kafkat e të tjerëve, qoftë dhe duke i thyer ato.
Pra dhunë gjenerale për të gjithë dhe dhunë e veçantë, e çuar deri në torturë. Rendi i torturave, zoologjia e saj, panik, shtypje, ankth, kthetra, dhëmbë, pranga, libër, propagandë, dënime, u bënë gati dhe u vësulën me sy të kuq, qiklopikë.

Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com

Postime të ngjashme