Vrasjet në kufij në 1990 i bënë ushtarët që kishin turp të vishnin uniformat

IMG_7422_cr

Përgatiti për IDMC: Erblin Vukaj

Viti 1990 ishte viti që shkundi themelet e komunizmit në Shqipëri dhe një nga shtyllat e para që u rrëzua qe ushtria kufitare. Trysnia e ndryshimeve që po ndodhnin në vendet e Lindjes nxorën në pah fytyrën e vërtetë të regjimit, që për të mbrojtur pushtetin “popullor” – atë kohë – nga njëra anë shfaqej kinse po demokratizohej dhe nga ana tjetër terrorizonte qytetarët me masa represive. Pra ky ishte komunizmi në të vërtetë. Një sistem i rremë, i pamoralshëm që nuk njihte kode nderi. Një sistem përbuzës, dredharak, tinëzar me në krye kriminelë me uniforma shteti.

Të gjitha këto u panë qartë në vitin 1990. Shembulli konkret është përgjakja e kufijve edhe pse vetë Ramiz Alia kishte dekretuar shfuqizimin e ligjit që “arratisjen” e cilësonte “tradhti ndaj atdheut”.

Qindra ishin të vrarët në pak muaj, ndërsa përpjekjet për t’u arratisur nga ai ferr qenë shumëfishuar. Por vlen të thuhet se, në atë valë të trazuar, situata nuk ishte ndër më të “përsosurat” as në radhët e pushtetit. Një nga shtyllat më kryesore të regjimit, ushtria, u vu nën kritika për faktin se të arratisurit ishin edhe prej radhëve të tyre dhe nga ana tjetër po vërehej një lloj stepjeje për të “kryer detyrat e Partisë”.

Në muajin nëntor të vitit 1990, sektori ushtarak njoftonte Byronë e Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë duke raportuar se ushtarët e kufirit ishin përfshirë në “tendenca pacifiste” dhe “mungesë të ndjesisë së alarmit”.

Përmes një shkrese prej 5 faqesh theksoheshin problemet, ku krahas atyre të rëndomta – ikje pa leje, fyerje, grindje apo mos respektim urdhrash – radhitej edhe i ashtuquajturi “keqkuptim” apo “keqinterpretim” që lidhej me ndryshimet e ligjeve, siç ishte ndryshimi i bërë për “kalimin e kufirit”. Në shkresë thuhet se sektori ushtarak kishte kryer “punë sqaruese”. Sigurisht, asnjë fjalë për vrasjet në kufi. Qoftë edhe me terminologjinë ushtarake, “asgjësim”. Kjo sepse për “sektorin ushtarak” qe bërë detyra dhe siç thoshte lirisht Alia në diskutimet me vartësit e tij “ushtari të vret”.

Interesante janë të dhënat ku prej forcave të kufirit, në ato 11 muaj të vitit 1990 – shkresa është raportuar më 5 nëntor – ishin “arratisur” 32 ushtarë, “kryesisht në Greqi” dhe që “80 për qind e tyre” e kishin kryer arratisjen pas “mësymjes” në ambasada në Tiranë. Pjesa më e madhe e këtyre rasteve ishte kryer nga ushtarë, të cilët ishin në vitin e parë të shërbimit të tyre. Më tej sektori ushtarak tregon se në “mbi 170 raste” ushtarët largohen nga vija e parë e kufirit, për në thellësi, dhe ky veprim sipas analizës së kryer, bëhet për “rehati, për t’iu larguar postave të vështira”. Kjo lloj shmangieje mund të shpjegohet edhe me momentin tejet të rëndë që po shënohej në kufi. Vrasjet kishin trazuar jo pak qytetarët, të cilët po shfaqnin gjithmonë e më shumë urrejtjen e tyre ndaj sistemit.

Nga konteksti i raportimit kuptohet se ushtarakët kufitarë po vuanin opinionin e keq që ishte përhapur tashmë, kjo sidomos në Shkodër. Atje situata qe trazuar shumë sidomos pas rasteve tejet të rënda të vrasjeve të dy adoleshentëve Pëllumb Pëllumbi dhe Marjan Ndoja në mesin e muajit qershor. Nga shkresa kuptohet se tanimë ushtarët kufitarë përpiqeshin t’i shmangeshin mbajtjes së uniformës në jetën e përditshme, kjo si duket për të mos u ndeshur me reagimet e qytetarëve të acaruar.

Në shkresë, sektori ushtarak e shtjellon këtë sjellje thjesht si “mungesë dëshire”. “Ka kufitarë të cilët kanë një mungesë dëshire për t’u paraqitur si kufitarë në mjediset jashtë reparteve e postave të tyre. Bile kjo shkon deri aty sa disa prej tyre, kur ikin me leje ndërrojnë edhe këpucët, për të mos u dalluar se shërbejnë në kufi.” Krisja e marrëdhënies mes ushtarakëve dhe popullsisë në fshatrat pranë postave kufitare mund të kuptohet nga fakti se në këtë periudhë aktivitetet e përbashkëta që zhvilloheshin me banorët u pakësuan.

Duke lexuar këtë raportim të sektorit ushtarak, kuptohet diçka më shumë se ç’bëhej në strukturat kryesore të pushtetit komunist në vitin 1990. Njëra prej këtyre strukturave, ushtria kufitare, ishte drejt shthurjes dhe shkaku kryesor ishte fakti se ushtarët u përdorën për të përhapur terror në popull. U urdhëruan për të vrarë qytetarë të pafajshëm dhe në momentin kur kjo duket se mori tiparet e një krimi shtetëror, të rinjtë nuk e donin më uniformën edhe pse për 45 vite qenë indoktrinuar me ideologjinë se ajo uniformë kishte çliruar Shqipërinë dhe kishte ndërtuar socializmin e vërtetë dhe unikal në botë.

Postime të ngjashme