Komunizmi përmes dokumentave arkivore

workshop-dok

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë organizoi më 17-18 shkurt 2017 workshopin “Komunizmi përmes dokumentave arkivore”. Në këtë workshop morën pjesë mësues të historisë nga Tirana dhe rrethet, drejtuar nga Dr.  Idrit Idrizi, studiues pranë Akademisë së shkencave të Austrisë.

Workshop-i nxiti debate interesante rreth dokumentave arkivore që mund të përdoren si  materiale mbështetëse gjatë orëve të mësimit. Dita e pare e workshop-it nisi pasditen e datës 17 shkurt për lehtësi të mësuesve që vinin nga rrethet. Drejtorja ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Dr. Jonila Godole shpjegoi në fjalën e saj përshëndetëse rëndësinë e workshop-eve me tema të tilla dhe vlerësoi  kontributin e mësuesve të historisë për të ndihmuar në disktutimin e frytshëm rreth dokumentave arkivore që mund të përdoren në një orë mësimore nga vetë ata, por edhe nga nxënësit.

E pranishme mes pjesëmarrësve, Fatmiroshe Xhemalaj, specialiste e historisë, e cila asistoi në drejtimin e workshop-it u shpreh : “Ky workshop është mjaft interesant sepse do të arrijmë nëpërmjet bashkëpunimit të prekim historinë me dorë, ta bëjmë atë faktike. T’ i nxisim nxënësit të lexojnë, intervistojnë, të prekin të shkuarën me anë të dëshmive”.

Më pas të gjithë pjesëmarrësit patën kënaqësinë të shikonin  dokumentarin “Kujtesa e një vendi që harroi të harronte”. Ky dokumentar i shërbeu diskutimit për rëndësinë e përdorimit të elementeve vizuale në orën e mësimit.

Pjesëmarrësit shprehën edhe ndjesitë që përjetuan gjatë shfaqjes së tij. Antonela Tako, mesuese historie në qytetin e Korcës u shpreh se nxënësit për shkak të kontakteve me brezat (gjyshërit) janë të prekur nga nostalgjia. Ata nuk arrijnë të bëjnë dot dallimin mes sistemeve dhe kjo gjë duhet rregulluar.

Dita e dytë e workshop-it ‘ Komunizmi përmes dokumentave arkivore” nisi nën drejtimin e Dr. Idrit Idrizi. Workshopi u zhvillua në tre seanca , puna e të cilave u realizua duke u ndarë në grupe. Mësuesit e historisë u ndanë në 4 grupe të vogla ku secili grup kishte materialet arkivore  përkatëse për tu diskutuar.

Materialet e përzgjedhura trajtonin tema të ndryshme si amnistia, internimi, gjyqi i të dënuarve etj. Gjatë tre seancave u diskutuan tre materiale arkivore. Pas njohjes së mësuesve me materialin e caktuar, drejtuesi i workshop-it Dr. Idriti drejtonte pyetje per diskutim. Disa prej tyre ishin: Çfarë ju duket e nevojshme për një tekst që të jetë i përshtatshëm për një orë mësimore? Cilat janë pjesët më të rëndësishme në tekstet e paraqitura për t’ jua përcjellë nxënësve? Cilat janë termat që janë të vështira për t’ u koncëptuar nga një nxënës?

Pas diskutimit brenda grupit, secili grup paraqiste para të gjithë pjesëmarrësve argumentimin e tij për secilin material arkivor. Në fund pjesëmarrësit dolën në përfundime si: që tekstet të ishin sa më të lehta për tu trajtuar me nxënësit duhet të kishin gjuhë të thjeshtë për tu kuptuar nga niveli i nxënësve të sistemit 9-vjeçar dhe të gjimnazit; brenda një materiali të trajtohen disa probleme, jo vetëm një prej tyre; të trajtohet problemi dhe jo të merremi me emra konkretë; nxënësit mund të punojnë në grupe, në formë projektesh, por edhe si detyre shtëpie, ku nxënësi të inkurajohet për të sjellë historitë e tij familjare.

Propozim tjetër nga mësuesit ishte edhe trajtimi i këtyre temave jo vetëm në lëndën e historisë por edhe në lëndë të tjera si ajo e qytetarisë, për pjesët ku flitet për ndërtimin e familjes në kohën komuniste. Synimi i këtyre diskutimeve është botimi i një libri me materiale ndihmuese për mësuesit dhe për nxënësit për të reflektuar më mirë për periudhën e komunizmit.

Postime të ngjashme