Zyrë për gjetjen e të zhdukurve gjatë diktaturës

tezhdukur001

Personat dhe familjet që ende nuk e dinë se ku prehen eshtrat e të afërmve të tyre do të kenë tashmë në dispozicion Zyrën e të Zhdukurve, e cila do të merret enkas me gjetjen e personave të humbur gjatë kohës së komunizmit.

Lajmin e ka njoftuar Gentiana Sula, zëvendësja e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.Krijimi i kësaj zyre mbështetet në urdhrin e kryeministrit Edi Rama me nr. 244.

“Hapja e zyrës për Personat e Zhdukur pranë Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë është një hap mjaft i rëndësishëm i kësaj qeverie, jo vetëm administrative, por edhe moral, për të ndihmuar dhe lehtësuar kalvarin shumë vjeçar të familjarëve të të zhdukurve. Hapja e zyrës ka për qëllim që të fillojë një kapitull të ri në trajtimin e kësaj çështje kaq të ndjeshme, e cila gjer më sot është trajtuar në mënyrë sporadike dhe në mungesë të një qasje të koordinuar institucionale”, tha znj.Sula.

Gjithashtu ajo bëri të ditur se hapja e kësaj zyre do të ketë për qëllim të krijojë një databazë fillestare mbi këta persona të zhdukur, me të dhënat e tyre minimale si, emri, mbiemri, gjinia, vendi dhe data e lindjes, vendi dhe data ose (në pamundësi) viti i supozuar i zhdukjes dhe rrethanat e zhdukjes, si dhe të mbledhë informacione, të ndjekë dhe monitorojë proçesin e kërkimit dhe zhvarrosjes së personave të zhdukur, duke bashkëpunuar dhe koordinimin me institucionet e tjera përgjegjëse. Zyra do të bëjë edhe mbledhjen e dëshmive të ndryshme nga vetë ish të burgosurit, të cilët janë gjallë, si dhe familjaret e pushkatuarve me ose pa gjyq, është një ndihmesë e madhe për identifikimin e varrezave masive.

Aktualisht numri i përafërt i personave të zhdukur përgjatë viteve nga 29 nëntori 1944 deri në vitin 1991 arrin në 6.000 vetë. Ndërsa është evidentuar gjithashtu, se numri i varreve masive të pa identifikuar dhe pothuajse të pazbuluar asnjëherë shtrihet në të gjithë vendin në rreth 30 vënde ekzekutimi.

Postime të ngjashme