Dedë Gjomarkaj, në litar në vend të të birit

Nga Fatmira Nikolli për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë

vijon nga Pjesa IPjesa II, Pjesa III dhe Pjesa IV


“Po i çonin për t’i pushkatuar dhe duhej që diku të kalonin një lumë. Ata janë përpjekur të heqin opingën që të pinin ujë me opingë, sepse duart i kishin të lidhura me tela. Policët shoqërues nuk i kanë lënë të pinë as ujë. Mund të kuptoni se çfarë ju bë atyre.”

Në gusht të vitit 1949, Filip Gjomarkaj ishte 5 vjeç. Me të atin në burg si ish-oficer ai jetonte me të ëmën, gjyshin dhe xhaxhain në Ndërshen të Oroshit në Mirditë. Bardhok Biba u vra më 7 gusht. Dy ditë më pas, më 9 gusht, në orën 2:00 të natës, shtëpia e Gjomarkajve rrethohet.

“Gjyshi im, Dedë Prengë Gjomarkaj, ndodhej në shtëpi. Ata i ranë derës dhe gjyshi tha ‘kush jeni ju, se nuk e hap derën në këtë orë’.

Në krye të forcave të përndjekjes ishte kryetari i këshillit, Llesh Kaçi, i cili i tha gjyshit: “‘Hape se jam unë me policinë!’ Ata erdhën, hynë brenda dhe i thanë gjyshit ‘bëhu gati!’ Gjyshi u vesh dhe deshi të na përqafonte, por nuk e lanë. Deshi të vinte pak duhan në çibuk, por as për këtë nuk e lanë. Nga fshati ynë morën edhe 4–5 veta të tjerë,” kujton Filip Gjomarkaj.

Ndërsa Dedë Prengë Gjomarkaj u mor nga shtëpia, të birin, Mark Dedë Gjomarkajn, e arrestuan në Rrëshen. Në fillim u vendos që me vdekje të dënohej Mark Gjomarkaj dhe Dedë Gjomarkaj me burgim të përjetshëm, por i ati i bëri kërkesë trupit gjykues që të zëvendësonte të birin. Pas këtij këmbimi, në litar shkoi Dedë Gjomarkaj, ndërsa Mark Gjomarkaj në burg.

“Gjyshi u përpoq ta shpëtonte xhaxhanë nga vdekja, duke shkuar në litar në vend të tij. Asnjëri nuk kishte faj dhe megjithatë të dy vdiqën. Xhaxhai u çua në burg në Shkodër, ku edhe vdiq, dhe ne nuk e mësuam kurrë se ku e ka varrin. Nga familja jonë dy veta vdiqën në emër të hakmarrjes për Bardhok Bibën.”

Dedë Prengë Gjomarkaj

Dedë Prengë Gjomarkaj

Dedë Prengë Gjomarkaj nuk ishte i përfshirë në vrasjen e Bardhok Bibës, madje ishin kushërinj të parë me të. Në datën 13 gusht në shtëpinë e Filip Gjomarkajt në Orosh shkoi kamioni që mori gratë dhe fëmijët i çoi në Rrëshen, ku u mblodhën ata që do të internoheshin.

“Në Rrëshen po bëhej procesi gjyqësor dhe pamë rreth 100 burra të lidhur me tela. Gjyshi im ishte aty. Trupi gjykues i akuzoi për vrasjen e Bardhok Bibës dhe ata nuk e pranuan, sepse në fakt nuk ishin fajtorë për vrasjen. U dënuan 4 me varje në litar, 10 me pushkatim dhe 86 të tjerë me disa vite burg. Pra për 3 orë janë dënuar nga 5 vite dënim deri në varje në litar. Gjyshi im ishte një nga ata që u dënua me varje në litar.”

Pas vendimit të dënimit që u dha në Rrëshen, të 14 të dënuarit me vdekje u çuan për t’u ekzekutuar në Qafë-Valmir, ku ishte vrarë Bardhok Biba. Familjarët kanë mësuar që ekzekutimi i tyre është kërkuar të ndiqej edhe nga populli, ndaj njerëzit u çuan me detyrim për ta parë, që të përhapej panik.

Në vendekzekutim u hapën dy varre, një varr për 10 të pushkatuarit dhe një varr për katër të varurit. Të parët që u ekzekutuan ishin ata me varje. Trupat e tyre i futën në varrin e madh dhe i mbuluan. Më pas nisi pushkatimi i 10 të dënuarve të tjerë dhe trupat ua hodhën në varrin tjetër, që ishte më i vogël dhe nuk i zinte të gjithë.

Njëri nga ata që ishte qëlluar dhe ishte hedhur në gropë ka thirrur ‘qëlloni burra se jemi gjallë, mos na lini të gjallë nën dhe!’ Më pas kanë gjuajtur me breshëri dhe na kanë treguar që vendi u mbulua me gjak,” tregon Filip Gjomarkaj.

Kur u bë ekzekutimi, familja e Filipit ishte në Tepelenë. Ngjarjen e mësuan pas gati një jave.

Vendimi i Gjykatës së Lartë

Vendimi i Gjykatës së Lartë

As sot Filip Gjomarkaj nuk ka një përgjigje pse familja e tij u përfshi në ngjarjen e Bardhok Bibës. Për të, versioni më i besueshëm është që ka qenë vetë Sigurimi që e nxiti vrasjen.

“Dihet që ka qenë Sigurimi i shtetit që ka treguar se ku gjendej Bardhok Biba në atë ditë dhe në atë orë. Pasardhës të atyre që ishin në male të arratisur në atë kohë më kanë thënë se Bardhok Bibën e tradhtuan të vetët dhe madje Sigurimi. Sepse Sigurimi jo vetëm që hoqi qafe Bardhok Bibën me këtë ngjarje, por e përdori si pretekst për të dënuar disa nga familjet më të njohura dhe më me pushtet në Mirditë. Listat për arrestimet ishin bërë muaj përpara. Me një gur u vranë 2 zogj!”

Varja e kryefamiljarit dhe dënimi me burg i të birit u përjetua si tragjedi në familjen Gjomarkaj.

“Kishim babanë në burg, xhaxhain të dënuar me burg dhe gjyshin të vrarë. Kjo ishte masakra jonë dhe është e çuditshme si njeriu e përballon, sepse më rëndë se kaq nuk ka.”

73 vite më pas, askush nuk ka kërkuar falje. Filipi pohon se ata që ka takuar i kanë thënë se zbatuan ligjet dhe asnjë nuk e quan veten fajtor që u dënuan me vdekje 14 veta për më pak se 1 javë proces, ose që në ditët e fundit të jetës ata nuk patën as të drejtat themelore.

I kanë lënë të dënuarit me vdekje pa bukë e pa ujë. Kur kanë marrë rrugën që i çonte nga Rrësheni deri në Qafë-Valmir, të dënuarit ishin të etur. Duhej që diku të kalonin një lumë. Ata janë përpjekur të heqin opingën, që të pinin ujë me opingë, sepse duart i kishin të lidhura me tela. Policët shoqërues nuk i kanë lënë të pinë as ujë. Mund të kuptoni se çfarë iu bë atyre,” tregon Filipi.

Dedë Prengë Gjomarkaj

Dedë Prengë Gjomarkaj

Në Rrëshen nuk gjen më gjurmë të kujtesës për Bardhok Bibën. Bustin e tij e kanë hequr, ndaj Filipi nuk gjen shpjegim pse Tirana e nderon akoma. Familja Gjomarkaj qëndroi në Tepelenë deri në vitin 1952. Kur u kthyen në Rrëshen, shtëpia ishte pothuajse e rrënuar, babai në burg dhe gjyshi në një varr të përbashkët, ku qëndroi deri pas 90-ës.

Sot një varr memorial i kujton martirët në Shpal.


* Ky artikull është pjesë e një serie të shkruar nga gazetarja Fatmira Nikolli për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në kuadrin e përkujtimit të 73-vjetorit të Masakrës së Qafë-Valmirit. Te Observatori i Kujtesës gjeni edhe ekspozitën me titull “Masakra e Qafë-Valmirit”.

Postime të ngjashme