DRITË PËRTEJ ERRËSIRËS

"Dritë përtej errësirës":
Ekspozitë me materiale fotografike dhe historike mbi ateizmin shtetëror dhe persekutimin e klerit në Shqipëri gjatë diktaturës komuniste.

Kjo ekspozitë pasqyron luftën që regjimi diktatorial zhvilloi kundër fesë, strategjinë që ndoqi shteti komunist për asgjësimin e saj, propagandën brutale, që shoqëroi jetën e shqiptarëve për 47 vite, por edhe rezistencën e admirueshme të klerit dhe besimtarëve në përballjen me terrorin përndjekës shtetëror. Të gjitha këto regjimi komunist i zhvilloi çdo ditë të pushtetit të tij.Valët e persekutimit të klerit dhe besimtarëve mund të ndahen në periudha të ndryshme.

E para fillon menjëherë nga viti 1944 dhe vazhdon egërsisht deri në fund të vitit 1946, kohë kur si “bazë ligjore” shërbejnë vendimet e Këshillit Nacional Çlirimtar, i cili nuk ishte një organ legjislativ. Akti i parë (nëntor 1944) është ai i ndalimit përfundimtar të botimit të organeve të shtypit fetar. Më vonë arrestohen, torturohen, dënohen me burgime të rënda dhe ekzekutohen shumë klerikë.

Vala e dytë përfshin periudhën 1947-1950. Në këtë kohë goditet udhëheqja e lartë e klerit, për t’i hapur rrugë një manovre djallëzore që synonte t’i vinte strukturat fetare në shërbim të pushtetit.

Vala e tretë vazhdon pas vitit 1951. Shteti përpiqet të nënshtrojë klerin duke e futur nën ndikimin e vet, por ndesh në rezistencën e mjaft klerikëve katolikë, të cilët refuzojnë të nënshkruajnë Statutin e Kishës Autoqefale Katolike. Edhe pse jo i lartë në numër, persekutimi ishte njëlloj i egër, duke çuar në pushkatim disa klerikë.

Vala e katërt dhe e fundit është ajo që fillon në vitin 1967, vit kur Shqipëria vetëshpallet me krenari “i pari shtet ateist i Botës”.

Lufta ndaj fesë nuk kurseu as trashëgiminë kulturore, edhe pse ekzistonte ligji për mbrojtjen e saj. Bashkë me persekutimin e klerikëve, një valë shkatërruese përplaset edhe në objektet e kultit dhe bazën materiale të besimeve fetare. Librat e shenjtë u zëvendësuan me Veprat e diktatorit, simbolet fetare me simbole partiake. Feja e re ishte “marksizëm-leninizmi”, besimtari i ri ishte ateisti pa shpirt, “Njeriu i ri” – vepra më e çmuar e Partisë, ndërsa betimi në Zot u konvertua në betimin solemn “Për ideal të Partisë”.

Deri në vitet ’90 asnjë rit fetar nuk u celebrua. Derisa një ditë, si “drita përtej errësirës”, praktikimi i fesë shfaqet publikisht në nëntorin e vitit 1990.

Po ashtu nëpërmjet kësaj ekspozite përkujtojmë të gjithë ato njerëz që u dënuan, vuajtën në burg, vdiqën në tortura apo u ekzekutuan, vetëm për shkak të besimit dhe funksionit të tyre fetar. Është e rëndësishme që të evidentohet edhe aktiviteti i atyre që ishin në anën tjetër të “llogores”. Persekutorët që dhanë dënime, hetuan, torturuan apo ekzekutuan njerëz të pafajshëm janë përgjegjës të drejtpërdrejt të asaj çfarë ndodhi në Shqipëri gjatë viteve të regjimit komunist. Bashkë me diktatorin dhe pjesën tjetër që udhëhoqën Shqipërinë gjatë asaj periudhe, janë përgjegjës edhe drejtuesit e organeve ndëshkimore, për çdo dënim të dhënë për bindje fetare, politike apo shoqërore. Shqipëria është në një proces të gjatë të ballafaqimit të saj me të kaluarën e errët dhe nëpërmjet kësaj ekspozite synojmë të japim kontribut.

  • Impressum


    Ekspozita u mundësua nga Fondacioni Konrad Adenauer Stftung, një fondacion politik i Bashkimit Demokristian të Gjermanisë, vizioni i të cilit qëndron për një Europë të bashkuar dhe demokratike; si dhe Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës, i cili është vendi i parë përkujtimor i ngritur në Shqipëri për të përkujtuar viktimat e regjimit komunist.
    Printimi i këtij materiali u mundësua nga IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.

  • Autorësia

    Ekspozita është përgatitur nga historiani Pjerin Mirdita, ekspert i çështjeve historike të periudhës komuniste. Prej 5 vitesh përgjegjës i memorialit  Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës. Ka konceptuar, grumbulluar dhe përpunuar të gjitha materialet e kësaj ekspozite.
    Dizajni, grafika dhe digjitalizimi i fotografive të kësaj ekspozite, duke përzgjedhur dhe elementet vizuale është realizuar nga Antonela Gazulli, profesioniste në fushën e informatikës.

  • Falënderime


    Falenderimet e autorëve shkojnë për arkivat, muzetë dhe mediat, stafi i të cilave ka vënë në dispozicion fotografi, dokumente dhe materiale të ndryshme. Dokumente historike, monografi, studime, dëshmi, intervista, gazeta, revista, etj. janë përdorur për ekspozitën dhe hartimin e teksteve. Printimi i këtij materiali u mundësua nga IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.

  • E drejta e autorit

    Fotografitë janë të gjitha të mbrojtura nga e drejta e autorit dhe përdorimi i tyre duhet të jetë në përputhje me ligjet në fuqi. Autorësia e fotografive: Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, Angjelin Nen shat i, Arkivi i Muzeut Historik Shkodër, Arkivi Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës, Arkivi i Arqipeshkvisë Shkodër, Biblioteka Jezuitëve, Biblioteka Françeskane, Arkivi Digjital, Komuniteti Mysliman Shqiptar, Arkivi i Komunitetit Orthodhoks , Michael Setboun, Carmine di Meo, Arkiva familjare dhe personale, AQSHF.
    Ekspozita nuk mund të riprodhohet ose ndryshohet pa lejen e botuesve.

  • Doni ta prezantoni këtë ekspozitë?


    Nëse dëshironi të ekspozoni këtë ekspozitë kontaktoni përmes email në info.tirana@kas.de, ndërsa për ta marrë në formë broshure kontaktoni në office@idmc.al.

  • Ekspozita në PDF