GUSHT

2 gusht 1943

Nisi punimet Kuvendi Kombëtar i Mukjes, ku morën pjesë delegacionet e dy organizatave politike: Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar, dy organizata të kundërta, madje armiqësore, por që i bashkoi çështja madhore e luftës kundër pushtuesve nazifashistë dhe e ardhmja e Shqipërisë. Vendimet e rëndësishme të Marrëveshjes së Mukjes për një luftë të përbashkët kundër pushtuesve, në krah të Aleatëve të mëdhenj antifashistë, për një Shqipëri të lirë, demokratike, etnike dhe popullore, u prishën nga PKSH me nxitjen e PKJ.

2 gusht 1949

Agresioni ushtarak i ushtrisë greke i 2 gushtit 1949, i njohur si Provokacionet e Gushtit, kundër Shqipërisë në kufijtë shtetërorë të Bilishtit, Leskovikut dhe Konispolit, por që u zmbraps nga forcat ushtarake të Shqipërisë.

4 gusht 1943

Beteja e përbashkët e çetave partizane dhe çetave të Ballit Kombëtar, nën komandën e major Abaz Kupit, të nesërmen e arritjes së Marrëveshjes së Mukjes, kundër ushtrisë italiane në afërsi të Qafë-Shtamës, që përfundoi me shpartallimin e plotë të saj. Në komunikatën e Komitetit Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë thuhet: „Humbjet e armikut janë: 150 të vrarë, 40 të plagosur, 7 robër. Në mes të të vrarëve italianë është edhe oficeri kolonel A. P. Scarpa, të cilit i është gjetur në xhep një medalje e fituar kur ka hyrë në tokën shqiptare ditën e 7 Prillit 1939“.

6 gusht 1913

Doli në dritë gazeta e parë shqiptare pas shpalljes së Pavarësisë “Përlindj’e Shqipnies”, organ i qeverisë shqiptare, nën drejtimin e Luigj Gurakuqit.Gjatë periudhës së Pavarësisë u botuan disa gazeta brenda dhe jashtë Shqipërisë si “Koha”, “Zër’i Popullit”, “Ushtimi i Krujës”, “Besa shqiptare”, “Përparimi” etj. por kryesore ishte dhe mbeti gazeta “Dielli” organ i “Vatrës” në SHBA.

8 gusht 1991

Zbarkon në Brindisi të Italisë me 20 000 shqiptarë në bord, Anija tregtare “Vlora”. Kjo anije ishte nisur nga Porti i Durrësit dhe pas një odiseje në Detin Adriatik mbërrin në Itali. Ishte vala më e madhe me emigrantë të ardhur me një anije të vetme e regjistruar ndonjëherë në historinë e shtetit italian.

13 gusht 1933

Vrasja politike e personalitetit të shquar të Lëvizjes kombëtare shqiptare, deputetit, atdhetarit dhe demokratit- revolucionar Hasan Prishtina në Selanik (lindi më 1873 në Vushtri të Kosovës).

13 gusht 1943

Beteja e parë e rëndësishme kundër pushtuesve gjermanë në Shqipëri, është lufta e çetave nacionaliste të Safet Butkës në Grykat e Barmashit në Kolonjë, më 13 gusht 1943. Kjo betejë u realizua sipas marrëveshjes së prof. Safet Butkës dhe britanikut Bill Maklin, shef i Misionit Anglez më datën 8 gusht. Vëzhgues dhe njëkohësisht luftëtar ishte kapiteni anglez Deivid Smajl, që e përshkruan me hollësi këtë luftë, e para në Shqipëri kundër pushtuesve gjermanë, në librin “Me detyrë në Shqipëri”. Çetat nacionaliste të Kolonjës i shkaktuan autokolonës gjermane dëme të konsiderueshme: u dogjën 4 autoblinda, një top dhe u vranë 25 ushtarë gjermanë.

13 gusht 1983

Ndërron jetë në internim Musine Kokalari. Musineja më 1937 mbaroi Institutin “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas vijoi studimet në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941 me një temë diplome për Naim Frashërin. Së bashku me Mit’hat Aranitin dhe miq të tjerë, themeloi më 1943 Partinë Social-Demokrate. Më 12 nëntor 1944 iu pushkatuan pa gjyq, vëllezërit Muntaz e Vejsim Kokalari. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke pasë qenë themeluese e partisë Social-Demokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë”, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si “sabotatore” dhe “armike e popullit”. Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Musineja punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni deri dhe kur vdiq.

14 gusht 1924

Marrëveshja N. Pashiç-A. Zogu, marrëveshje antishtetërore dhe antikombëtare që e vinte Shqipërinë në vasalitet të plotë ndaj Jugosllavisë në të gjitha fushat: politike, diplomatike, ekonomike, ushtarake dhe kombëtare (në nenin 10 të saj thuhet: Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës së Paqes në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitet mbi Shën Naumin dhe lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit, që mbeten në zotërim të Jugosllavisë).

14 gusht 1935

Rebelimi antiqeveritar i Fierit.Qysh në vitin 1934 ishte krijuar një organizatë e fshehtë antizogiste heterogjene me qendër në Tiranë dhe me degë në disa qytete e krahina të tjera. Në vitin 1935, organizata vendosi të bënte një lëvizje të fshehtë për të rrëzuar qeverinë e Zogut. Plani ishte që rebelimi të shpërthente në Tiranë e të përhapej në pjesën tjetër të vendit, por nga organizimi i dobët ajo ndodhi vetëm në Fier, prandaj mbeti në histori me emrin Lëvizja e Fierit. Ajo dështoi dhe pjesëmarrësit u ndëshkuan me dënime të rënda, por që më pas Mbreti Zog i fali.

14 gusht 1989

Nënë Tereza viziton Shqipërinë për herë të parë pas largimit të saj. Në vitet e mëparshme asaj i ishte refuzuar rregullisht të vizitonte të ëmën dhe të motrën, të cilat banonin në Tiranë. Gjatë kësaj vizite ajo ndaloi tek varri i nënës dhe i motrës dhe po ashtu tek varri i diktatorit Enver Hoxha.

17 gusht 1949

Masakra komuniste në Valmir të Mirditës, si një hakmarrje për vrasjen e Bardhok Bibës, sekretar i PK të Mirditës dhe deputet i saj në Kuvendin Popullor nga Komiteti i Maleve. Më 17 gusht, përpara qindra mirditorëve të arrestuar nga gjithë Mirdita për terror, u varën në litar katër mirditorë të pafajshëm dhe u pushkatuan 10 të tjerë, që s’kishin lidhje me vrasjen e B. Bibës.

22 gusht 1946

Shpallet vendosja e sistemin të triskëtimit, me justifikimin për të disiplinuar shpërndarjen e drejtë dhe të rregullt të sendeve ushqimore dhe të rregullt të sendeve ushqimore.

25 gusht 1928

Asambleja Kushtetuese e dalë nga zgjedhjet e gushtit 1928, filloi punimet më 25 gusht 1928 dhe miratoi ndryshimet kushtetuese, që sanksiononin ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki konstitucionale. Ky projekt kushtetues u hodh në votim në Asamblenë Kushtetuese, e cila më 30 Gusht 1928 vendosi që Shqipëria të shpallej “Mbretëri demokratike, parlamentare, e trashëgueshme”.Asambleja Kushtetuese u kthye në parlament më 1 dhjetor 1928 dhe miratoi kodin civil, penal dhe tregtar, një Kod të Procedurës Civile, si edhe një ligj për heqjen e ferexhesë, ligje këto që shënuan një shkëputje përfundimtare nga legjislacioni i periudhës osmane. Parlamenti i viteve 1928-1939 u quajt “parlamenti reformist i shtetit modern shqiptar.” Por jo demokratik, si ai i viteve 1921-1924, sepse nuk mundësonte opozitë të institucionalizuar.

25 gusht 1945

Kryesia e KANÇ shpall ligjin “Mbi reformën agrare. Me këtë ligj shpronësoheshin detyrimisht çifligjet e shtetit, pronat bujqësore të konfiskuara, pronat bujqësore private dhe fetare, tokat e të instaluarve nga reforma agrare e Mbretit Zog, ullinjtë, vreshtat dhe pemishtet e konfiskuara, godinat bujqësore dhe vjegësat e tyre që ndodheshin në tokat e të shpronësuarve, pendët e punës dhe veglat bujqësore që ndodheshin në posedim të fshatarëve në tokat e shpronësuara.

26 gusht 1949

U shpall në Paris formimi i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, nën kryesinë e patriotit të njohur Mit’hat Frashëri. Komiteti, në rolin e një qeverie në mërgim, i mbështetur nga anglo-amerikanët, do drejtohej nga një Komitet Ekzekutiv nën kryesinë e Mit’hat Frashërit me anëtarë Abaz Kupin, Seit Kryeziun, Zef Palin dhe Nuçi Kotën dhe do ta kishte selinë në New York. Pranë tij, funksiononte dhe një Komitet i Përgjithshëm Konsultativ, me përbërje më të gjerë, i kryesuar nga Abaz Kupi me dy zëvendës: Abaz Ermenjin dhe Seit Kryeziun dhe sekretar Gaqo Gogo. Në deklaratën e dhënë në BBC, Londër, shtator 1949, Mid’hat Frashëri theksonte se qëllimi i KKSHL ishte lufta për të fituar pavarësinë e Shqipërisë, për të siguruar sovranitetin dhe shpëtimin nga regjimi komunist.

30 gusht 1967

Në bazë të raportit informativ “Mbi Rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj”, në Shqipëri ishin shkatërruar gjithsej 2 169 faltore, prejt të cilave 740 xhami, 609 kisha ortodokse, 158 kisha katolike e 530 teqe.