MAJ

4 maj 1949

Miratohet Statuti i ri i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

8 maj 1990

Presidiumi i Kuvendit Popullor miraton ndryshimin në Kodin Penal, në të cilin cilësohej se kalimi i kufijve nuk përbënte më tradhti ndaj atdheut.

11 maj 1992

Nënshkruhet Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit me BE, e cila hyri në fuqi më 1 dhjetor 1992. Po në këtë periudhë, Shqipëria përfshihet në Sistemin e Përgjithshëm të Preferencave (GSP), i cili përfaqësonte një regjim preferencash tregtare që BE-ja u ofronte një numri të gjerë vendesh me të cilat ajo kishte marrëdhënie kontraktuale.

Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit e 11 majit 1992 i krijoi mundësinë Shqipërisë që të përfitojë nga fondet e programit PHARE.

18 maj 1945

Miratohet ligji “Mbi likuidimin e pasurisë së bashkëdhënësve debitorë kundrejt arkës së shtetit për tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës”.

18 maj 1999

Vizita e parë e kryeministrit të Britanisë së Madhe, Toni Blair, në Shqipëri më 18 maj 1999, në kohën e krizës së madhe të Serbisë së Milosheviçit dhe shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve nga trojet e tyre. Kryeministri Toni Blair do të ishte britaniku që do të ndërhynte në momentin më delikat të historisë europiane për fatin e shqiptarëve në Ballkan gjatë Luftës së Kosovës.

21 maj 1973

Shpërthen Revolta e të burgosurve të Spaçit kundër trajtimit mizor që iu bëhej. Regjimi komunist dënoi me vdekje për këtë ngjarje të burgosurit Hajri Pasha, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja dhe ridënoi 111 të burgosur të tjerë.

22 maj 1984

Shpërthen një revoltë në Burgun e Qafë Barit. Burgu i Qafë Barit ndodhej 18 km larg qytetit të Pukës. Në këtë burg ndodheshin 500 të burgosur politikë të dënuar mbi 25 vite burg dhe si pasojë e kushteve të këqija dhe dhunës së ushtruar, të dënuarit shpërthyen në revolta. Në mëngjesin e asaj dite, të burgosurit u grupuan në shesh duke mos pranuar të shkonin në punë pa u plotësuar kërkesat e tyre. Më tej në kor, nga brenda rrethimit erdhi thirrja: Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë diktatori! U përdor dhunë mbi të dënuarit, si Hajredin Fratari, Dalip Zhabolli, Nuredin Skrapari, Sandër Sokoli, Bajram Vuthi, Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Sokol Progri, Lush Bushgjoka, Martin Leka, Vllasi Koçi, Lazër Shkëmbi, Haxhi Baxhinovski, Kostandin Gjordeni, Hysen Tabakut. I dënuari Sandër Sokoli, vdiq nga torturat ende pa mbërritur në Degën e Brendshme të Pukës, ku të dënuarve të tjerë iu bë dhe hetuesia e gjyqi po aty. Si përfundim, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, u dënuan me vdekje me pushkatim, ndërsa të tjerët u ridënuan me vite të gjata burgu.

30 maj 1967

Miratohet nga Ramiz Alia dhe Dashnor Mamaqi materiali “Mbi festat e reja socialiste”. Ky material udhëzonte si të zëvendësoheshin festat tradicionale fetare, me festat e reja të botës komuniste.

30 maj 1969

Hidhet në erë me dinamit Kisha e Shën Mërisë, në Vau i Dejës. Objekt kulti i stilit romano-gotik i ndërtuar në shek. XIII, përmendet nga humanisti Marin Barleti si vendi ku është kurorëzuar në martesë Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

31 maj 1961

Ekzekutohen me vdekje pushkatim grupi i admiralëve dhe komandantëve të Flotës Detare Shqiptare, i njohur ndryshe si “Grupi i Komplotit Çam”. Më 5 korrik 1960 u arrestuan nga Sigurimi me akuzën se ishin pjesëmarrës në një komplot kundër-revolucionar në bashkëpunim me grekët, jugosllavët, italianët dhe Flotën e 6-të të Shteteve të Bashkuara në Mesdhe për të rrëzuar regjimin e kohës. Ndër të arrestuarit ishin: Teme Sejko, vëllai i tij Taho Sejko, Liri Belishova dhe Tahir Demi. Iu bë gjyqi në maj të 1961, kur më 31 maj Teme Sejko u pushkatua së bashku me krerë të tjerë të Ushtrisë Popullore dhe Partisë së Punës, Tahir Demin, Abdyl Resulin dhe Hajri Manen.