NËNTOR

1 nëntor 2009

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Klinton viziton për herë të tretë Kosovën gjatë dhjetë viteve të pasluftës. Herën e parë në nëntor të vitit 1999 mbajti një fjalim në Ferizaj, ku bëri thirrje për tejkalimin e së kaluarës dhe ndërtimin e paqes në vend: “Ne bëmë luftën, ju bëni paqen”. Në korrik të vitit 2003, në vizitën e tij të dytë në Kosovë, presidenti Klinton u nderua me çmimin “Doktor nderi” i Universitetit të Prishtinës. Herën e tretë ish-Presidenti u prit me mirënjohje si miku dhe çlirimtari i Kosovës, kur u përurua shtatorja e tij në Prishtinë si mbështetës i Pavarësisë së Kosovës.

3 nëntor 1925

U themelua Gjimnazi Shtetnuer i Tiranës, një nga shkollat më të rëndësishme të vendit (sot gjimnazi Qemal Stafa).

4 nëntor 1990

Dom Simon Jubani, i thirrur nga një banor i lagjes afër varrezave katolike të Rrmajit në Shkodër, do të kremtonte vetëm për disa të pranishëm një celebrim eukaristik, i cili do të zgjaste vetëm pak minuta.

5 nëntor 1943

Regjenca zgjodhi qeverinë me në krye Rexhep Mitrovicën. Qeveria mbrojti hebrenjtë nga asgjësimi nazist.

5 nëntor 1975

Ekzekutohen me vdekje pushkatim për “tradhti ndaj atdheut, agjitacion e propagandë, përvetësim të pasurisë socialiste në përpjesëtime të mëdha dhe shpërdorim të pozitës zyrtare” Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako. Ata ishin zyrtarë të lartë të shtetit komunist. Enver Hoxha gjatë udhëheqjes së tij shpesh përdori teknikën e spastrimit të partisë nga elementët që mund të cenonin pushtetin e tij.

8 nëntor 2010

Miratohet nga Ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE heqja e Vizave të Shqipërisë në BE.

8 nëntor 1941

U themelua Partia Komuniste Shqiptare, në vitin 1942 Fronti NÇ dhe gazeta “Zëri i Popullit”, organ i PKSH.

11 nëntor 1990

Në varrezat e Rrmajit në Shkodër kremtohet mesha e parë publike pas 23 vjetësh. Mesha celebrohej nga Dom Simon Jubani dhe në të morën pjesë mijëra qytetarë, pa dallim feje.

12 nëntor 1944

U pushkatuan pa gjyq dhe pa faj nga gueriljet komuniste pranë hotel Bristolit në Tiranë, me urdhër të E.Hoxhës dhe zbatuesit të urdhrave të tij, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve, 14 intelektualë të shquar të kombit e të kulturës shqiptare: Ismail Agë Petrela, Muntaz Kokalari, Vesim Kokalari, Syrja Kokalari, Nebil Çika, Reshat Stërmasi, Muharrem Lleshi, Rifat Tërshana, Lluka Xhumari, Ali Panariti etj. Ditët e terrorit komunist kishin nisur nga gueriljet qysh më 28 tetor 1944, kur u pushkatuan në prag të shtëpive, nëpër rrugica etj ish-oficerët e karrierës së Ushtrisë Kombëtare: Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi, Fahri Dabulla, Muharrem Liku etj. dhe vijuan deri më 16 nëntor 1944.

13 nëntor 1967

Dekreti nr. 4337, shfuqizoi të gjitha ligjet dhe dekretet e mëparshme mbi komunitetet fetare dhe statutet e tyre. Ky vendim normalisht binte ndesh me çdo lloj të drejte të sanksionuar në Konventat Ndërkombëtare, por për Partinë Komuniste nuk kishte aspak rëndësi, përkundrazi, ky ishte vetëm fillimi i një vale të re persekutimi kundër klerikëve të ngelur ende gjallë. Kështu Shqipëria u shpall zyrtarisht shteti i parë dhe i vetëm ateist në botë, duke ndaluar çdo shprehje të fesë.

15 nëntor 2013

Përhapja e protestave qytetare masive në Tiranë, dhe qytete të tjera: Durrës, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë, Fier, Gjirokastër, Ersekë etj. kundër sjelljes dhe shkatërrimit në Shqipëri të armëve kimike të Sirisë. Protesta sfidoi qeverinë, e cila i tha “Jo” prurjes së armëve kimike në vendin tonë.Kjo ishte protesta e parë qartësisht qytetare, ndryshe nga protestat e tjera civile, të manipuluara nga politika.

16 nëntor 1990

Në Xhaminë e Plumbit në Shkodër kremtohet riti i parë mysliman publikisht pas 23 vjetësh. Ky kremtim udhëhiqej nga Haxhi Hafiz Sabri Koçi.

19 nëntor 1946

Një ngjarje e rëndë dhe kriminale është konsideruar dënimi i inxhinierëve që punonin në tharjen e kënetës së Maliqit, që përfundoi me ekzekutimin e katër inxhinierëve dhe kryeinxhinierëve dhe një gruaje shtatzënë. E ashtuquajtura “organizatë tekniko-sabotatore” kishte në përbërje të saj: inxhinierin Abdyl Sharra, 35 vjeç, kryeinxhinier në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit, njeriu që mori akuzën kryesore si “iniciatori kryesor i sabotimeve në stil të gjerë për ndërmarrjet e mëdha që bënte pushteti popullor”; Kujtim Beqirin, 30 vjeç, pinjoll i një familje patriotike, medalje e artë në inxhinieri civile në Universitetin e Vjenës, drejtor në punimet e Maliqit; Vasil Manon, inxhinier në kënetë, që i akuzuar bashkë me të shoqen Zyrikën (e cila u pushkatua shtatzënë).

20 nëntor 1972

Kongresi i Drejtshkrimit normativ të shqipes në Tiranë, në bashkëpunim me studiuesit e gjuhës të Kosovës dhe gjithë hapësirës shqiptare.

22 nëntor 1998

U miratua me referendum popullor Kushtetuta e Shqipërisë, ligji themeltar i Republikës që u dekretua nga Presidenti i Republikës.

23 nëntor 1944

Plenumi i Beratit i PKSH, 23-27 nëntor 1944, apo katër ditët e Beratit. Komiteti Antifashist NÇ, që u formua në Kongresin e Përmetit, kthehet në qeveri të përkohshme, me kryeministër E. Hoxhën. Në këtë plenum që e drejtonte kryetari i Misionit Ushtarak jugosllav në Shqipëri, V. Stoiniç, u kritikua veçanërisht E. Hoxha, L. Gega, D. Mugosha etj. për praktikat terroriste dhe vrasjet e paligjshme gjatë luftës.

26 nëntor 1949

Del dekretligji nr. 743 “Mbi komunitetet fetare”, i cili sanksiononte përfundimisht ndërhyrjen e shtetit në rregullimin e brendshëm të bashkësive fetare.

27 nëntor 1946

Shqipëria dhe Jugosllavia nënshkruajnë Konventën Ekonomike, e cila ishte një hap i mëtejshëm në humbjen e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo konventë parashikonte: koordinimin e planeve ekonomike; njehsimin e monedhës, leku shqiptar do të zhvleftësohej në nivelin e dinarit jugosllav; njehsimin e çmimeve, Shqipëria do t’i përshtaste çmimet sipas sistemit jugosllav të çmimeve; hiqeshin doganat në kufirin mes dy vendeve, krijohej një territor doganor unik, ku do të përdoreshin sistemet dhe tarifat doganore që ekzistonin në Jugosllavi.

28 nëntor 1912

U mblodh Kuvendi Kombëtar i Vlorës. Kryesuesi i tij, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe ngriti flamurin shqiptar kuq e zi, pas pesë shekujsh robërie. Delegatët nga e gjithë hapësira shqiptare firmosën deklaratën e Pavarësisë “Për një Shqipëri të lirë e të Pavarme” dhe formuan qeverinë me kryeministër Ismail Qemalin.

28 nëntor 1922

Themelimi zyrtar i Bibliotekës Kombëtare. Themelet u hodhën qysh në vitin 1920 nga Mati Logoreci. Fondi i bibliotekës së Lumo Skëndos është fondi themelues i Albanologjisë shqiptare.

28 nëntor 1938

Radio Tirana filloi transmetimin e programeve radiofonike. Mbreti Zog inauguroi stacionin e parë radiofonik në Shqipëri të pagëzuar me emrin Radio-Tirana, që ka transmetuar për gati 80 vjet emisione informative, kulturore dhe kombëtare brenda dhe jashtë Shqipërisë.

28 nëntor 1953

Ngritja e Teatrit të Operës dhe Baletit, që më pas do të përfshinte edhe Konservatorin Shtetëror.

29 nëntor 1944

Data e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë.