QERSHOR

1 qershor 1944

Enver Hoxha urdhëron Divizionin I të ushtrisë të niste mësymjen në veri të Shkumbinit. Ky territor cilësohej si “territor armik”. Objektivi ishte asgjësimi i Abaz Kupit dhe të forcave të tij.

4 qershor 1949

Gjykata ushtarake e qarkut të Gjirokastrës, me kryetar kapitenin Llazi Polena, gjykoi më disa nga pjesëmarrësit e kryengritjes së Zhapokikës, duke i akuzuar se në shtator-tetor 1948 janë arratisur dhe kanë formuar bandën e armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor. Komandant Barjam Kamberi u dënua me pushkatim, u ekzekutua në Gjirokastër, më 21 korrik 1949. Të tjerët u dënuan me burgime të rënda. Dikush vdiq në burg. Numri i të vrarëve nga shteti dhe i të vdekurve në burg arrin në nëntë. Sulo Zaimi, si nxitës i fshehtë i Kryengritjes, u dënua me 20 vjet burg. Xhemal Brahimit ia internuan familjen, gruan dhe fëmijët e mitur, të cilët më pas u dënuan me burg deri në vitin 1991. Të gjithë të dënuarve iu sekuestrua pasuria dhe e humbën të drejtën elektorale.

5 qershor 1920

Nisi Lufta e Vlorës për çlirimin nga pushtuesit italianë. Vendimin e mori Kuvendi i Baçallasë më 29 maj 1920, që formoi komitetin Mbrojtja Kombëtare me në krye Osman Haxhinë, si edhe shtabin ushtarak me në krye Qazim Koculin dhe Ahmet Lepenicën. Më 2 qershor, 4.000 luftëtarë vullnetarë u mblodhën në Beun dhe i dhanë ultimatum gjeneralit Italian Piacentini. Më 5 qershor nisi lufta patriotike për çlirimin e Vlorës. Në këtë betejë të madhe, ranë mjaft dëshmorë, mes tyre edhe Selam Musa Salaria që u hodh mbi grykën e topit.

9 qershor 1973

Hapet në Shkodër Muzeu Ateist. Ky muze trajtonte çështje me propagandë antifetare dhe antiklerikale, duke qenë destinacioni kryesor për të gjithë ato kategori njerëzish që vizitonin qytetin e Shkodrës. Propaganda e kohës u mburr më këtë muze, duke e cilësuar atë si rastin e vetëm në botë.

10 qershor 1924

Triumfi i kryengritjes të Qershorit 1924.Në maj 1924 fillojnë veprimet e armatosura. Bajram Curri sulmoi Krumën, qendër e Prefekturës së Kosovës. Në Qershor 1924, ushtria e Jugut e udhëhequr nga Kasem Qafëzezi mori Beratin, Fierin, Lushnjën e Kavajën, ndërsa ushtria e veriut e udhëhequr nga Rexhep Shala, si mori Shkodrën e Lezhën e kishte rrugën të hapur për në Tiranë. Kryengritja e armatosur ose rebelimi kundërqeveritar, nuk pati përkrahje qytetare. Më 10 Qershor 1924 kryengritësit të udhëhequr nga opozita politike morën Tiranën. Më 12 Qershor 1924 Ahmet Zogu me disa mbështetës u largua për në Jugosllavi. Formohet qeveria e re me kryeministër Fan Nolin. Mund të quhet edhe revolucion demokratiko-borgjez, sepse kishte si divizë ndryshimin e sistemeve: ”Yrysh t’i japim shqelmin feudalizmës”, por nuk bëri dot zgjedhje politike, ndaj edhe mbeti në kufijtë e një puçi të kryer.

10 qershor 2007

Presidenti i SHBA Xhorxh Bush, viziton Shqipërinë.Kjo vizitë përbën një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e Shqipërisë parë në shumëplanshmërinë e impaktit të saj, të brendshëm dhe të jashtëm, rajonal, evropian dhe euroatlantik, politik, ekonomik dhe atë të sigurisë. Por edhe për të ardhmen e Kosovës, Ai mbështeti botërisht pavarësinë e Kosovës.

12 qershor 2006

Shqipëria nënshkruan në Bruksel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, e cila ka për qëllim final anëtarësimin e Shqipërisë në BE. MSA hyri në fuqi më 01.04.2009.

12 qershor 1999

Dita e çlirimit të Kosovës nga forcat e NATO-s. Më 23 mars 1999 kishin nisur bombardimet ajrore të NATO-s kundër Serbisë që vazhduan për 77 ditë. Serbia pranoi te fillonte tërheqjen e plotë të forcave saj ushtarake nga Kosova, duke çuar kështu në hyrjen në Kosovë të forcave çlirimtare, më 12 Qershor 1999 – duke shënuar kështu një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe të kombit shqiptar.

13 qershor 1920

Vrasja e Esat Pashë Toptanit në Paris nga Avni Rustemi. Gjatë viteve 1918-1920 Esat Pasha përpiqej që përmes aktivitetit të tij në Paris, të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Paqes dhe të bënte pazare me fatin e saj, përkundër asaj që përfaqësonte delegacioni shqiptar dhe dërgatat shqiptare të mërgatës atdhetare. Mbas një gjyqi të gjatë, Avni Rustemi do të lirohej duke u shpallur i pafajshëm nga gjykata e shtetit francez.

13 qershor 1991

Në Kongresin e PPSH-së të vitit 1991 u mor vendimi që t’i ndërrohet emri Partisë së Punës në Partia Socialiste e Shqipërisë. Kryetari i parë i saj ishte Fatos Nano.

14 qershor 1990

Vritet në përpjekje për të kaluar kufirin dhe për t’u arratisur Pëllumb Pëllumbi, 17 vjeç. Në ceremoninë e varrimit, arkivoli u mbajt në duar nga të rinjtë e Shkodrës dhe gjatë kësaj ceremonie u lëshuan parulla dhe fyerje kundër regjimit komunist. Nga veprimet e Degës së Brendshme të qytetit të Shkodrës u arrestuan disa persona.

24 qershor 2014

Ministrat e Jashtëm të BE miratojnë statusin e vendit kandidat të Bashkimit Europian për Shqipërinë.

26 qershor 1945 

Organizata e Kombeve të Bashkuara ( OKB), është themeluar më 26 qershor 1945, me qëllim forcimin e bashkëpunimit midis shteteve të botës, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e paqes në botë. Qendra e OKB-së është në Gjenevë, ndërsa aktivitetet i zhvillon në selinë e saj në Nju-Jork, SHBA. Në strukturën e saj janë: Asambleja e Përgjithshme, Këshilli i Sigurimit, Këshilli Ekonomik e Social (UNPP, UNICEF, UNHCR,UNESCO), Sekretariati dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

26 qershor 1951

Në Shkodër u mblodhën në Asamblenë e Përgjithshme 57 meshtarë nga 185 që kishin qenë në vitin 1945. Pas shumë debateve u miratua Statuti i Ri i Kishës Katolike Shqiptare. Ky statut u miratua pa dakordësinë dhe firmën e të gjithëve.

27 qershor 1944

Masakra më e egër ndaj shqiptarëve të Çamërisë u bë më 27 qershor 1944, në zonën e Paramithisë, ku forcat e Ligës Republikane Greke (EDES) të gjeneralit Zervas hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë. Të nesërmen, një batalion tjetër i EDES hyri në Parga, ku vrau 52 shqiptarë të tjerë. Më 23 shtator 1944 u plaçkit qyteti Spatar dhe u vranë 157 veta. Gra të reja dhe vajza u përdhunuan dhe ata burra që mbetën gjallë u dërguan në ishujt e Egjeut. Gjatë gjenocidit kundër popullsisë çame në vitet 1944-1945 janë vrarë gjithsej 2.771 civilë shqiptarë: në Filat dhe rrethinat 1.286, në Igumenicë dhe rrethinat 192, në Paramithia dhe rrethinat 673 dhe në Parga 620. Janë plaçkitur dhe djegur 5.800 shtëpi në 68 fshatra. Popullsisë çame iu rrëmbyen pronat e pasuritë dhe u përzunë me dhunë nga trojet e tyre autoktone.Llogaritet që 28.000 çamë të jenë larguar për në Shqipëri, ku u vendosën në periferi të Vlorës, Himarës, Durrësit dhe Tiranës.