SHTATOR

1 shtator 1928

Shpallja nga Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë “Mbretëri” dhe e Ahmet Zogut “Mbret i shqiptarëve”, me emrin Zogu I. Zogu qëndroi në fronin mbretëror nga 1 shtatori 1928 deri më 7 prill të vitit 1939, ditën kur Shqipëria u pushtua nga Italia dhe ai u largua nga vendi

4 shtator 1943

Në Konferencën e Partisë Komuniste në Labinot, 4-8 shtator 1943, u dënua zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes dhe u vendos t’i shpallej luftë e armatosur Ballit Kombëtar, me të cilin pak kohë më kishin qenë partnerë, si edhe çdo rryme apo tendence tjetër politike. Për këtë arsye, Konferenca e Labinotit u quajt “momenti vendimtar drejt marrjes së pushtetit” dhe i nisjes së luftës civile në Shqipëri. Nga ky moment, lufta e armatosur ndaj kundërshtarëve politikë do të ishte prioriteti i politikës së PKSH dhe E.Hoxhës. Vendimi i marrë në Konferencën e Labinotit që pushteti i Këshillit NÇ të ishte pushteti i vetëm, hapte rrugën e një sistemi njëpartiak dhe të një pushteti totalitar në Shqipëri. Thelbi i të cilit qëndronte në sundimin e një partie të vetme, Partisë Komuniste.

4 shtator 2016

Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë, e cila vdiq më 5 shtator 1997.

8 shtator 1944

Lufta kundër forcave të Muharrem Bajraktarit nga partizanët në Lumë dhe në Kukës, ku gjendeshin 4.500 italianë dhe një kompani gjermanësh. Ato u goditën nga forcat e Brigadës V S , më 03.09.1944. Në përpjekjet me armë ndërmjet forcave të Brigadës V dhe forcave të Muharrem Bajraktarit prej datës 8 deri më 24 shtator u vranë 28 partizanë dhe 30 të tjerë u plagosën, po ashtu edhe rreth 70 luftëtarë të rënë të M. Bajraktarit. Kjo luftë civile me shumë viktima nga të dy anët, vijoi deri në vitin 1946, kur M. Bajraktari u largua nga Shqipëria.

9 shtator 1946

Kryengritja e Postribës në Rrethin e Shkodrës, me në krye malësorin Shaban Haxhia në shtator të vitit 1946. Më 9 shtator kryengritësit sulmuan kazermat e ushtrisë dhe burgun e Shkodrës, për të liruar të burgosurit politikë. Revolta u shtyp me gjak nga ushtria, përveç reprezaljeve ndaj popullsisë së Postribës, djegieve të shtëpive, pushkatimeve, burgimeve dhe internimeve masive.

10 shtator 1922

Shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli dhe klerikët ortodoksë shqiptarë në Kongresin kishtar të Beratit, një nga ngjarjet madhore të Kombit. Ky Kongres plotësoi aspiratat e ortodoksëve shqiptarë, sepse vendosi përfundimisht pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, të drejtën e ligjshme zgjedhjes së Kryepeshkopit dhe të klerikëve të lartë me gjuhë e gjak shqiptari dhe përdorimin e gjuhës shqipe në kishë. Me vendimin Nr. 807 të datës 18-09-1922 Këshilli i Ministrave bëri njohjen zyrtare shtetërore të vendimeve të Kongresit të Beratit dhe i miratoi ato plotësisht, sepse ishin mbështetur në parimin e pavarësisë.

10 shtator 1944

Lufta për çlirimin e Gjakovës prej gjermanëve (10-16 shtator) nga forcat çlirimtare të Kryezinjve (Gani, Hasan dhe Sait Kryeziu),ku bënte pjesë edhe Llazar Fundo, komisari politik i Lëvizjes Kryeziu, si edhe oficeri britanik Simkoks. Kur luftonin kundër pushtuesve gjermanë, forcat e Kryezinjve u goditën nga forcat partizane të Brigadës V të Shqipërisë dhe forcat NÇ të Jugosllavisë (Kosmetit), të udhëhequra nga Fadil Hoxha.

10 shtator 1983

Ekzekutohen me vdekje pushkatim për tradhti të lartë ndaj atdheut dhe si armiq të popullit dhe partisë Kadri Hazbiu, Llambi Peçini, Llambi Ziçishti dhe Feçor Shehu. Të gjithë funksionarë të lartë të Shtetit Shqiptar komunist, ata ranë viktimë e vetë metodave që kishin përdorur gjatë kohës që ishin në drejtim të Ministrisë së Brendshme apo Sigurimit të Shtetit.

12 shtator 1998

Vritet për motive politike para selisë së PD lideri i Dhjetorit dhe deputeti i Kuvendit Popullor, Azem Hajdari nga Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani, punonjës të policisë së shtetit. Më parë ai ishte plagosur me katër plumba në Parlament nga deputeti i PS, Mazreku.

13 shtator 1968

Shqipëria largohet zyrtarisht nga Traktati i Varshavës, blloku ushtarak i vendeve komuniste të Europës, ku ishte integruar qysh më 14 maj 1955.

14 shtator 1943

Dita e dëshmorëve nacionalistë të Grehotit. Çetat e Ballit Kombëtar të komanduara nga Hysni Lepenica u goditën papritur nga ushtarët italianë në Grehot më 14 shtator 1943, tek kishin shkuar për të marrë në dorëzim armët dhe për t’i përcjellë italianët e kapitulluar të Divizionit “Peruxhia” në Gjirokastër deri në bregdet, sipas marrëveshjes. Atje ranë duke luftuar 36 luftëtarë ballistë me gjithë komandantin e tyre Hysni Lepenica. Nxitje për këtë masakër u bënë edhe disa krerë të LNÇ që ndodheshin pranë shtabit italian të divizionit “Peruxhia” në kazermat e Grehotit.

14 shtator 1943

U krijua nga gjermanët Komiteti Kombëtar Ekzekutiv me në krye Ibrahim Biçakun. Vermahti e shpalli Shqipërinë zonë jopushtimi dhe ushtrinë gjermane kalimtare për nevojat e luftës botërore. Nojbaheri, i ngarkuari i Vermahtit për Europën Juglindore, bëri marrëveshje me nacionalistët shqiptarë të paangazhuar në luftë për një vetëqeverisje shqiptare, nën autoritetin gjerman.

14 shtator 1998

Dita e varrimit të Azem Hajdarit u kthye në një protestë të madhe, mandej në një revoltë kundër qeverisë socialiste. Protestuesit sulmuan kryeministrinë që u dogj dhe morën nën kontroll edhe TVSH. Kryeministri Nano largohet në drejtim të Maqedonisë. Tanket merren tek Garda e Republikës prej protestuesve. Rreziku i rënies së shtetit.

16 shtator 1943

U themelua Lidhja II e Prizrenit nga Kuvendi Kombëtar i Prizrenit, me delegatë nga Prizreni, Prishtina, Dragashi, Suhareka, Rahoveci, Gjakova, Peja, Plava, Gucia, Rozhaja, Novi Pazari, Senica, Gjilani, Mitrovica, Shkupi, Tetova, Gostivari, Dibra, Ohri dhe Ulqini. Kuvendin e drejtoi Komiteti Ekzekutiv, me kryetar Musa Shehu. Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë nga 7 veta. Kryetar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, më pas Bedri Pejani dhe Xhaferr Deva.

16 shtator 1942

U mblodh në Pezë të Tiranës Konferenca e Pezës e organizuar nga PKSH, por morën pjesë edhe disa të ftuar me tendenca të ndryshme politike. Në konferencë u vendos organizimi i forcave pa dallim krahine feje dhe ideje në një luftë të përbashkët kundër okupatorit italian, organizim ky që më vonë mori emrin Fronti Nacional-Çlirimtar, sipas udhëzimeve të Kominternit. Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, të përbërë nga: Kamber Qafëmolla, kryetar (ish-kuestor i Tiranës), Mustafa Gjinishi, sekretar, Ndoc Çoba, Myslim Peza, Abaz Kupi, Enver Hoxha dhe Ymer Dishnica, anëtarë. PK dhe E. Hoxha e dominuan plotësisht Këshillin e Përgjithshëm dhe, me përjashtim të Myslim Pezës, gjithë të tjerët u quajtën tradhtarë dhe u dënuan nga PKSH.

16 shtator 1957

U themelua Universiteti i Tiranës me gjashtë fakultete dhe në vitin e parë akademik 1957-1958 me 3.613 studentë në 15 degë.

18 shtator 1943

U krijua Partia Nacional-Zogiste dhe Lëvizja e Legalitetit nga Abaz Kupi si edhe gazeta “Atdheu”.

21 shtator 2014

Papa Francesku, vizitën e tij të parë në Europë ia rezervon Shqipërisë. “Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush, në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh, që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh, të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes.”

23 shtator 1944

Llazar Fundo, figurë e shquar e socialdemokracisë europiane, i cili, bashkë me Kryezinjtë, po luftonte kundër gjermanëve për çlirimin e Gjakovës, u arrestua nga forcat e Brigadës V të Ushtrisë NÇ të komanduar nga Shefqet Peçi dhe u pushkatua në Kolesian pa gjyq, me urdhër të E.Hoxhës me radiogram: “Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta vrisni andej”.

25 shtator 1944

Masakra e Brigadës V me urdhër të komandantit të saj, Shefqet Peçi, pushkatoi pa gjyq më 25 shtator 1944 në Krue të Bardhë të Lumës 22 lumjanë të pafajshëm, të lidhur me konop me njëri-tjetrin, si hakmarrje për vrasjen e nipit të tij, Hysen Çino.

29 shtator 1971

Ekzekutohet me vdekje pushkatim, Dom Shtjefën Kurti. Ai u ekzekutua vetëm për faktin se kishte pagëzuar një foshnje të porsalindur. Kjo ngjarje bëri bujë të madhe në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi historia e tij u mësua vetëm në vitin 1973, pasi një grua e arratisur nga Shqipëria e tregoi atë për një gazetë të huaj. Protesta të shumta u mbajtën në selitë diplomatike shqiptare, gjë që detyroi Tiranën zyrtare ta pohonte ekzekutimin nëpërmjet aparatit të saj propagandistik.

30 shtator 1998

U miratua Ligji mbi Mediet Elektronike, ndonëse ato ishin krijuar dhe funksiononin edhe më parë, të palicensuara dhe në një treg kaotik. Në këtë treg mbizotëronte Radiotelevizioni i vetëm shtetëror, RTSH. Më pas, u ngritën një numër i madh mediesh audiovizive dhe radiosh private që kanë pushtuar skenën mediatike shqiptare. Aktualisht në Shqipëri, sipas të dhënave të KKRT, operojnë 4 kanale televizive kombëtare, 65 kanale televizive lokale, 33 kanale televizive kabllore, 3 radio kombëtare dhe 47 radio lokale. Ende legjislacioni për mediet elektronike dhe ato digjitale nuk është i plotë. Shteti nuk ka mundur ta luajë plotësisht rolin e vet rregullues në një treg që zhvillohet me shpejtësi dhe që priret drejt kapërcimit të rregullave e të ligjit.