FYTYRAT E DIKTATURËS

"Fytyrat e diktaturës"

Kuvendi i Shqipërisë shprehet në rezolutën “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri” (2006) se regjimi komunist në Shqipëri (1944–1991) u karakterizua nga dhunimi masiv i të drejtave të njeriut, vrasjet dhe ekzekutimet individuale e kolektive (me dhe pa gjyq), vdekjet në kampet e përqendrimit, vdekjet nga uria, torturat, dëbimet, puna skllavëruese, terrori fizik dhe psikologjik, gjenocidi për shkak të origjinës politike apo trashëgimisë së pronës, si dhe dhunime të lirisë së ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes, lirisë së shtypit, lirisë së besimit fetar dhe lirisë së pluralizmit politik.

Rënia e regjimit komunist nuk u pasua me një hetim të krimeve të kryera prej tij, aq më tepër që autorët e këtyre krimeve nuk u përballën asnjëherë seriozisht me drejtësinë dhe nuk u kërkuan falje publike viktimave të gjenocidit komunist.

Me bindjen se denoncimi i krimeve të komunizmit dhe rivlerësimi i historisë i shërbejnë shmangies së përsëritjes së krimeve të ngjashme në të ardhmen, Kuvendi i Shqipërisë i ka kushtuar një rëndësi të veçantë, duke u shprehur me ligji, për evidentimin e personave që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, kufizimin e furnizimit me ushqime, pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë, etj.

Organet apo autoritetet vendimmarrëse përfshijnë Partinë Komuniste Shqiptare (më pas Partia e Punës e Shqipërisë, PPSH) dhe gjithë organet e tjera të krijuara në mbështetje të saj.

Në murin e kësaj ekspozite janë vendosur ata persona të cilët mbajnë përgjegjësi për vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të individit dhe represionin e ushtruar nga regjimi komunist në vend. Edhe pas rënies së regjimit ata nuk u përballën me ligjin për vendimet që kanë marrë dhe as nuk kanë shfaqur pendesë për veprimtarinë e tyre.

Kategoritë që përfshihen në të janë:

  • Anëtarë të Byrosë Politike, si organi më i lartë ekzekutiv i PPSH-së, koka e drejtimit të diktaturës komuniste. Byroja zgjidhej nga plenumi i parë i partisë pas kongresit të saj. Në krye të saj ishte sekretari i parë dhe një sekretariat. Çdo akt i fshehtë që më vonë kthehej në ligjor, përpilohej, miratohej dhe kontrollohej nga Byroja Politike. Byroja vendoste deri për dënime me vdekje, falje ose jo të jetës së të dënuarve me vdekje. Deri në vitin 1985 postin e Sekretarit të Parë e mbante Hoxha, i cili pas vdekjes së tij u zëvendësuar nga Ramiz Alia.
  • Drejtorët e armës së Sigurimit të Shtetit, kryesisht të asaj që më pas njihet si Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit. Kjo armë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), ishte një lloj policie politike që merrej me elementin kundërshtar politik dhe me veprat e atyre që cilësoheshin “krime kundër shtetit“. Në këtë ekspozitë janë paraqitur drejtuesit e këtij organi që vinte në funksion të gjithë mekanizmat e përndjekjes dhe përgjimit të individëve të pafajshëm në kundërshtim të plotë me të drejtat dhe liritë e tyre.
  • Gjyqtarë e prokurorë. Në organet e drejtësisë bëhej legalizimi i gjithçkaje që përgatiste Sigurimi me strukturat e veta, për ekzekutimin e dënimeve për arsye politike. Vendimet e marra nga këta persona, dërguan në burg ose dënuan me vdekje shumë njerëz të pafajshëm të cilët padrejtësisht u konsideruan armiq të popullit dhe të Partisë.
  • Hetues, kryetarë degëve të punëve të brendshme dhe oficerë sigurimi në përgjithësi. Këta zyrtarë merreshin në mënyrë të drejtpërdrejtë me përndjekjen politike ose e drejtonin atë. Në zyrat e hetuesisë dhe degëve të punëve të brendshme u vu në jetë terrori dhe tortura të pazakonta për të marrë dëshmi mbi të akuzuarit. Dhuna e ekzekutuar nga personat që ushtronin detyrën në këto organe ishte plotësisht e palegjitimuar.
  • Komandantë e komisarë burgjesh e kampesh. Në këtë kategori përfshihen ata individë të cilët duke përdorur funksionin e tyre u angazhuan të bënin edhe më të vështirë jetën e të burgosurve politikë që vuanin dënimin në këto vende. Dëshmitë e të persekutuarve tregojnë sesi këta persona ushtronin dhunë të vazhdueshme fizike dhe psikologjike mbi ta.

Ekspozita “Fytyrat e Diktaturës” vjen si një reflektim që duhet të kemi mbi ata individë që mbajnë përgjegjësi direkte për instalimin dhe mirëfunksionimin e mekanizmave që mbanin të ngritur këtë regjim duke përdorur si forma të vetme represionin, përndjekjen, dhunën dhe terrorin që i dhanë formë regjimit komunist.

  • Impressum

    Ekspozita u mundësua nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) dhe Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), me synim ndërgjegjësimin e të rinjve dhe të shoqërisë shqiptare për diktaturën dhe pasojat e saj.

    Përpunimi grafik është bërë në bashkëpunim me zyrën e Iceberg Communication. Të gjitha fotot, dokumentet, tekstet si edhe paraqitja grafike e kësaj ekspozite kanë të drejtë autorësie dhe nuk mund të përdoren pa lejen e autorëve.

  • Autorësia

    Përmbajtja e kësaj ekspozite është përgatitur nga studiues të ISKK-së dhe IDMC-së.

  • Falënderime

    Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim mes Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë.

  • E drejta e autorit

    Ekspozita dhe paraqitja grafike e saj kanë të drejtë autorësie dhe nuk mund të përdoren pa lejen e autorëve apo IDMC. Nëse keni pyetje rreth kësaj ekspozite ju lutemi të kontaktoni office@idmc.al ose info@iskk.gov.al.

  • Doni ta prezantoni këtë ekspozitë?


    Për informacione të mëtejshme, lutemi të na kontaktoni: office@idmc.al ose info@iskk.gov.al.

  • Ekspozita në PDF

    Ekspozita

    Broshura