Unë Dëshmoj

une-deshmoj-logo-big

Projekti më i ri, “UNË DËSHMOJ”, i iniciuar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer (KAS), prezanton intervista dhe dëshmi të jetuara që hedhin dritë mbi përndjekjen gjatë regjimit komunist shqiptar në vitet 1944–1990. Dëshmitë ju ftojnë të dëgjoni dhe hulumtoni rrëfime individuale që paraqesin një perspektivë unike mbi jetën në diktaturë.

Përfshirja e dëshmive në orën e mësimit

Këto materiale mund të përdoren nga grupe të ndryshme interesi: mësues të historisë dhe lëndëve të tjera relevante, nxënës, studentë, historianë, gazetarë, studiues dhe të interesuar të tjerë. Synimi ynë është të sensibilizojmë për rëndësinë e këtyre dëshmive në ndriçimin e diktaturës.

Intervistat janë të ndara sipas temave, rajonit dhe ngjarjeve historike. Qëllimi kryesor i kësaj faqeje është megjithatë të lehtësojë mësimin e historisë duke e zgjeruar me materiale jashtëshkollore që nxitin të mësuarin aktiv dhe interesin e të rinjve.

Përmes këtij projekti, ne synojmë që dëshmitarët okularë të prezantuar në këtë faqe të mund të ftohen për biseda me nxënësit nëpër shkolla, në debate apo referime në qytete të ndryshme të vendit. Ata mund të jenë gjithashtu objekt kërkimi dhe analize për projekte ekstrakurrikulare në shkollë.

Dëshmitë individuale na japin mundësi të zgjerojmë hartën tonë me vendet e vuajtjes dhe të kujtesës të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Të rinjtë njihen indirekt me ngjarje të rëndësishme historike si “bomba sovjetike”, “martesat me gratë e huaja”, “rastet e disidencës”, “arratisjet në kufij” etj.

Për mësuesit do të publikohet së shpejti në format PDF një manual për të ndihmuar nxënësit në kryerjen e intervistave dhe bisedave me dëshmitarë okularë të ngjarjeve të ndryshme në familje dhe në komunitet.

Përdorimi i dëshmive personale nga mësuesit dhe nxënësit ndihmon në aktualizimin e historisë, të përballjes me nocionet e demokracisë dhe diktaturës si dhe me ruajtjen e një kujtese kolektive të përbashkët.

Arkivimi

Synimi ynë është të sjellim për të interesuarit përmbajtje në format audio dhe video, si dhe intervista të transkriptuara. Për arkivimin afatgjatë të këtyre intervistave dhe të tjerave që janë në proces regjistrimi, IDMC do të mbështetet nga fondacioni Konrad Adenauer. Në këtë faqe do të botohen vetëm disa pjesë të dëshmive të ndara sipas temave dhe ngjarjeve. Për studiuesit e “arkivave gojorë” (Oral History) që duan të bëjnë një punë më të thelluar, IDMC ofron videot e plota për studim dhe konsultim brenda ambienteve të saj në Tiranë.

Intervistat me dëshmitarët e kohës dhe përpunimi i videove të përzgjedhura për këtë faqe janë realizuar nga Valbona Bezati, bursante e IDMC, në bashkëpunim me stafin e Institutit.

Mësues, studiues apo dhe nxënës të interesuar mund të na kontaktojnë për informacione apo detaje te mëtejshme në adresën e e-mailit: unedeshmoj@gmail.com.

Aplikimi për të dhënë dëshminë

IDMC mirëpret të gjithë dëshmitarët të cilët duan t’i tregojnë brezit të ri historinë e tyre personale apo familjare, që ajo të mos harrohet.

Formulari i aplikimit

Personat e interesuar për të lënë dëshminë e tyre të na dërgojnë të dhënat me anë të këtij formulari