PROPAGANDA GJATË DIKTATURËS KOMUNISTE

"Propaganda gjatë diktaturës":
Ekspozitë e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, mbështetur nga Arkivi Qendror Shtetëror

Propaganda mbi arritjet e Partisë dhe pushtetit popullor në rrugën e ndërtimit të socializmit në Shqipëri shoqëroi masat e marra nga shteti komunist si shkatërrimi i pronës private; hyjnizimi i rolit të Partisë dhe të udhëheqësit të Partisë-Shtet, Enver Hoxha, dhe synonte të tregonte epërsinë e sistemit komunist mbi atë kapitalist. Përcaktimi i rolit të propagandës në krijimin e njeriut të ri, që duhet t’i përmbahej vijës së Partisë dhe të marksizëm-leninizmit, është i një rëndësie të veçantë për të treguar se si njerëzit jetonin të ndrydhur në një vend ku mungonte liria e fjalës.

Këtu bazohej edhe krijimi i një shoqërie të uniformizuar ku lufta e klasave përdorej si mjet për injektimin e idealeve të Partisë dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë. Ndërkohë që populli vuante pasojat e dështimit të sistemit të centralizuar ekonomik, mungesën e lirisë së fjalës dhe pluralizmit politik dhe indoktrinimin e theksuar të brezit të ri me ideologjinë marksiste-leniniste, propaganda e kohës linte në hije të gjitha dështimet dhe efektet negative të sistemit duke pasqyruar vetëm arritjet ekonomike dhe lumturinë që karakterizonte shoqërinë shqiptare. Vetëm shembja e regjimit do t’i jepte fund këtij realiteti utopik për kohën.

Partia Komuniste e Shqipërisë (PKSH) u krijua më 8 Nëntor të vitit 1941 dhe u emërtua Partia e Punës së Shqipërisë (PPSH) në vitin 1948. Fillesat e kultit të Partisë lidhen me theksimin e rolit udhëheqës të Partisë Komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore në luftën kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë. Shprehje e këtij fakti ishte edhe përkujtimi madhështor i 29 Nëntorit dhe ngjarjeve të ndryshme të ndodhura gjatë luftës, sidomos i kongreseve dhe plenumeve të PKSH ku u morën vendime që konsolidonin pushtetin e saj, si p.sh. Kongresi i Përmetit.

Qëndresa antifashiste u bë burimi kryesor i legjitimimit të ardhjes në pushtet të PKSH pas Luftës së Dytë Botërore. Përmes eliminimit të kundërshtarëve politikë, PKSH hapi rrugën për përqendrimin e pushtetit në duart e saj. Çdo kundërshtim ndaj direktivave të Partisë dënohej me ligj dhe çdokush që thyente vijën e saj konsiderohej “Armik i Popullit” dhe për të dhe familjen e tij hapej rruga e internimit, burgosjes apo pushkatimit. Partia shtriu pushtetin e saj në çdo qelizë të shoqërisë dhe duke vënë në shërbim të saj edhe shtypin e kohës, titujt e artikujve të gazetave dhe parullat si “Të na rrojë Partia” apo “Lavdi PPSH” reflektonin realitetin e ri të ideuar dhe të ndërtuar nga Partia-Shtet.

Propaganda zyrtare theksonte rolin e PPSH në ndërtimin e socializmit në Shqipëri dhe arritjet e mëdha të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Partisë.

  • Impressum


    Ekspozita u mundësua nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) puna e të cilit synon ndërgjegjësimin e të rinjve dhe të shoqërisë shqiptare për diktaturën dhe pasojat e saj.
    Arkivi Qendror Shtetëror, ndihmoi me sigurimin e dokumenteve arkivore dhe fotove, si edhe me asistencën e stafit të tij.

  • Autorësia


    Ekspozita është përgatitur nga Brisejda Lala (PhD student) pranë Universitetit të Tiranës, në kuadër të një burse njëvjeçare të akorduar nga IDMC gjatë vitit 2017.
    Redaktore shkencore të ekspozitës janë Dr. Jonila Godole, drejtore e IDMC dhe pedagoge në Universitetin e Tiranës, dhe Dr. Gentiana Kera, pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, studiuese e periudhës së diktaturës në Shqipëri.
    Përpunimi grafik është bërë në bashkëpunim me zyrën e Iceberg Communication.

  • Falënderime


    Autorët u janë mirënjohës të gjithë institucioneve dhe personave që ndihmuan për realizimin e kësaj ekspozite. Mirënjohja shkon për Arkivin Qendror Shtetëror (AQSH), ku është marrë pjesa më e madhe e fotove dhe dokumenteve. Mirënjohje gjithashtu për Biblotekën e Qytetit të Durrësit dhe punonjësve të saj për asistencën e vazhdueshme dhe punën e palodhur dhe vënien në dispozicion në kohë të shkurtër të revistave dhe gazetave të kohës. Një falënderim të sinqertë edhe për të gjithë personat që ndihmuan sado pak për kryerjen e kësaj ekspozite, në mënyrë të veçantë Fatmiroshe Xhemalaj, eksperte e historisë, për këshillat e saj të vlefshme.

  • E drejta e autorit


    Të gjitha fotot, dokumentet, tekstet si dhe paraqitja grafike e kësaj ekspozite kanë të drejtë autorësie dhe nuk mund të përdoren pa lejen e autorëve.
    Nëse keni pyetje rreth kësaj ekspozite ju lutem kontaktoni office@idmc.al.

  • Doni ta prezantoni këtë ekspozitë?


    Ekspozita “Propaganda gjatë diktaturës komuniste” mund të porositet nga të interesuarit në format DIN A1 kundrejt një pagese simbolike dhe të prezantohet në kuadër të aktivitetit mësimor brenda dhe jashtë shkollës. Për informacione të mëtejshme ju lutem kontaktoni: office@idmc.al.

  • Ekspozita në PDF