Inkuizitorët e Ramize Gjebresë, letrat origjinale në kupolën e lartë

Ramize Gjebrea

Nga Vasfi Baruti | Panorama (27 janar 22) dhe Alb-Spirit (11 shtator 20)

Plumba për dashurinë! Ka qenë ky verdikti i gjyqit partizan të Brigadës së Pestë në ditët e para të marsit ‘44. Në zbatim të tij, më 6 mars 1944, një skuadër partizane ekzekutoi me pushkatim Ramize Gjebrenë. Kanë kaluar vite e dekada qysh atëherë dhe ngjarja e mistershme vazhdon të mbetet enigmë.

Më në fund historiani Vasfi Baruti sjell një retrospektivë të zgjeruar me dëshmi, fakte dokumente, hipoteza e kujtime në librin “Nega Totum” (Asgjë e vërtetë) ku zbardh mjaft nga të panjohurat e historisë së Gjebresë.

Inkuizitorët

Katër inkuizitorë me katër raporte të fshehta për dashuritë me “seks” ekstremist e “kur***rinë” e Gjebresë me Zaho Kokën, në sy të partizanëve e të popullit, të trajtuar më parë në gjyqi partizan, por këtu vijnë me një tjetër format. Të katër inkuizitorët bëjnë shpifje “kur***rie” dhe burimi i parë është partizani Tanush Shyti, me detyrë intendent dhe dihet misioni sekret i tij.

Partizani Tanush Shyti, raport sekret Komandës, me akuzë se në një dhomë ku ishte ai vetë Ramizeja tok me Zahon në një krevat bëjnë seks tërë natën si burrë e grua e të jesh fare tuaf ta besosh; dëshmon se ky është edhe mendimi i krerëve të Komandës e nga e si e di ai?!

Partiaku numër një i Himarës, Lefter Kasneci, me raport për Heqimin [M. Myftiu], zëvendëskomisar i Brigadës, jep siguri se për dashuritë e tyre “para gjyqit mund të kishim të tjera dhe besoj se do të kenë raportuar edhe të tjerë” dhe përfundon me kërkesën: “Të gjitha me gojë”, pra dëshmia e tij mbetej me gojë e jo ajo me shkrim!

Komisari Zenel Hamiti, me besim tek Besniku, komisari i Brigadës, H. Kapo, për besueshmëri raporton se “me të arritur në Jal përnjëherësh më afrohet Tanush Shyti, më thotë se Zaho e Ramize na lenë pa gjumë se bëjnë kontakt seksual mes partizanëve, e panë shoku Xhako e Lefter Kasneci”, me këshillë të pyeten e këta shokë, ama jep dhe alarmin: “kur***rinë e tyre e ka parë populli” po dhe me këshilla të tjera.

Raporteri i katërt për nga radha, por ai më me peshë e besueshmëri të lartë është i njohuri Xhako, Ramadan Xhangolli, i dërguari i qendrës komuniste dhe i ngarkuar me detyrë nga Dushan Mugosha. Nuk është gjetur raport i tij, ndoqi rrugë tjetër: I raportoi Delegatit, Nexhmije Xhuglini, siç është shkruar me detaje më parë, e në thelb përsëritet këtu. Është në një linjë me Tanush Shytin që e kishte parë me sytë e tij edhe Xhako raporton ç’pa me sy e ç’dëgjoi me veshë teksa bëhej i përgjumur kurriz më kurriz me Zahon dhe ky seks me rënkime me Gjebrenë!

Raporte vetëm se me shpifje, por mëkati kryesor është për vipat e Qarkorit e Brigadës që i marrin për të vërteta kësi shpifje, që s’i beson as dreqi, por në shpirtin e tyre Bisha është bërë zot Bisha i tyre!

Përsa gjyqi partizan mbaroi pa vendim gjyqi s’mund të mos besohet se Ramize Gjebrea do i ketë shkërmoqur akuzat shpifëse të katër inkuizitorëve, nga të cilët në gjyq ishte vetëm kryesori Xhako. Ama kryetari i gjyqit, Manush Myftiu, i ndjerë i rrënuar nga gjyqi apelon në gjyqi i “apelit”, Gjyqi i partisë, i cili akuzë të dorës së parë për Gjebrenë bën: “Është tradhëtare e Partisë”, siç edhe trajtohet më pare, kurse dashuria del akuzë e dytë.


Raporti i parë

“Partizani Tanush

Sekret

Komandës Brigadës V

Zonë e Lirë

Është konstatue prej të nënëshkruarit se Zaho Koka e Ramize Gjebrea bëjnë dashuri ekstremiste.

[…] Fjeti Ramize tok me Zahon, në një krevat, por jo një çikë a një copë herë, por kanë vazhduar tërë natën si me qënë burrë e grua të kurorëzuar e të mbyllur në gjerdhuk. Unë për të mos prishur qetësinë e shokut të mësipërm kam duruar ftomën e natës pa mos ndezur zjarrin, këtë nuk e bëra dot natën e 12 shkurtit nga shkaku të mos prish qetësinë e shokëve të mësipërm deri në ora 3 – 4 pas mesnate. Kur u thanë djersët dhe u hyri të ftohtët shokëve Zaho e Ramize, patën paturpësinë të ngrihen të dy tok, njëri sikur ndezi zjarrin dhe Ramizeja të dalë jashtë me nxitim tue fitue nga errësira e dhomës e të mbërthehet e të zbërthehet punë për ta!

[…] E them me saktësinë më të madhe pse jam në gjëndje të tregoj e mendimin e krerëve, që për atë natë kaluan në flagrancë. […] Këtë raport ja bëj kësaj komande […] dhe unë jam i sigurtë se do të merren masa rigoroze për të qënë si shembull për pasardhësit e tjerë.

Vdekje fashizmit Liri Popullit

12.2.44 Tanush Shyti

  1. AQSH, Fondi 14, d. 72, 1944

Raporti i dytë

“I dashur shoku Eqim [1]

[…] Një pikë tjetër po të informoj tashti. Kurrë s’kisha për ta besuar, por realiteti është i hidhur e ja se si: Ramizeja me sa konstatoj unë dashuron Zaho Kokën, gjë që nuk më çudit, e natyrshme, por më çudit kur ekzagjerohet e atëhere kapërcen në skandal. Dhe kjo është e vërtetë, mbasi në shpellë më kanë thënë kanë fjetur bashkë në një rrobe dhe them më kanë thënë pasi lëvizjet janë parë prej të gjithëve. Këto që them nuk i kam parë vetë, por gjestet e tjera e epshet shtazarake që i pashë vetë më bënë të besoj dhe për të forcuar bindjen prej asaj dite i kam gjurmuar vetë dhe me anën e të tretëve. Çdo punë për hatër të amores, me sa kam konstatuar puna është lënë pas dore.

Do të them edhe një vëzhgim tjetër konkret nga ana e Minella Kapos, cili i vënë nga ana ime ka konstatuar se në një shtëpi tjetër kanë fjetur bashkë etj. etj. […]

Para gjyqit mund të kishim edhe të tjera mbasi e dinë, besoj se do të kenë raportuar edhe të tjerë.

Ky është skandal, është turp, është imoralitet për njerëzit e përgjegjësive.

Vdekje fashizmit Liri e Popullit

Të fala shoqnore

Lefter Kasneci. 2 Çdo gjë me gojë. 16. II. 44”

  1. Pseudonim: Manush Myftiu, zëvendëskomisar i Brigadës V-të. Eqim pse kishte mbaruar ca vjet për mjekësi në Itali.
  2. AQSH Fondi 14, D. 72, 1944.

Raporti i tretë

“I dashur shok Besnik [1]

Me hidhërim shumë të madh po ju përshkruaj një skandal që ka ndodhur në mes të udhëheqësve të Ushtrisë sonë partizane. Ja ngjarja.

… Më dt. 4/II/44 shoh që Zaho me Ramizenë të vijnë e të qëndrojnë në kompaninë ku jeshë unë dhe jo ku ishin caktuar dhe më në fund pasi bisedova me Zahon se nuk është mirë të rrinë tok e në mes të partizanëve dhe ika e shkova në kompaninë e parë ku ndenja deri në 11/II/44 kur kompanija u nda në dy njësi dhe shkaku qe çifi Zaho e Ramize për të ndenjur rehat e për të vazhduar në qetësi vagabondazhin e tyre. […]

Me të arritur në Jal përnjëherësh më afrohet Tanush Shyti dhe më thotë se Zaho e Ramize kanë gjithë këto net që na lenë pa gjumë se bëjnë kontakt seksual në mes të partizanëve që flinin në atë dhomë. […]

Mu desh që ti provoja edhe vetë që të sigurohesha Unë vëzhgimet që bëra pashë me sytë e mij se të gjitha ato që më thoshin janë të vërteta. […] Me kontakte seksuale aq hapur sa që nuk kanë munguar edhe nga populli të shohin xhestet e tyre kurvërie.

Një gjë shumë e keqe ka ngjarë në shtëpi të Kozma Çalit, i ka parë një djalë i vogël, i cili mbetet i trembur kur pa këmbën që ia kish hedhur përsipër Ramizesë, puthjet që bënin tue mos parë djalin e vogël. Çdo bisedim mes tyre ishin bisedime dashurie e këndonin këngë dashurie.

Unë mendova njëherë që të kërkoja ndihmën e shokëve që ti përgjojshim e ti pushkatojshim, mirëpo prapë u ndala pse Zahua këtu njihet si bajraktar e popullit i duket se partia është Zahua […]

Jam i sigurt se këtë gjë do ta ketë parë edhe shoku Xhako e Lefter Kasneci, prandaj kur ti nxirni në gjyq të pyeten edhe këta shokë pse mund të japin ndonjë sqarim.

Unë mendoj se Zaho kur të pyetet të merret në një mënyrë të pakuptueshme nga Ramizeja. […]

Të fala shoqnore

F e L. P.
Zenel Hamiti (2) 15. 2. 44

  1. Pseudonim, Hysni Kapo, komisar i Brigadës V.
  2. AQSH Fondi 14, D. 72, 1944

Raporti i katërt

“E dashur shoqe Delegate [1]

[…] Ju komunikoj një skandal që ka ngjarë këto ditë. Kur u tërhoqëm nga Vunoi në mal vura re se Interesanti rrinte vazhdimisht së bashku me Zv. Komisarin e Bat. III-të të Brigadës V-të. [Zaho Koka]. Në fillim nuk e vura re një gjë të tillë duke patur besim në moralin e një shoqe si ajo, por kur u tërhoqëm në mal dhe fjetëm 4-5 ditë në një shpellë kishin shënja dashurie.

Nga këto fillova të dyshojsha dhe për tu siguruar një natë fjeta pranë shokut [Zaho], në anën tjetër të shokut është shoqja [Gjebrea] dhe përtej shpella. Bëra sikur më kishte zënë gjumi dhe dëgjoj që bisedojnë ulët dhe unë mund të dëgjoja ndonjë fjalë, ndonjë emër. Se më në fund kur u siguruan se të gjithë kishim fjetur fillojnë nga puna.

Një dramë e tillë ngjau dy net me radhë mbasi këto netët e fundit që fjetën në shpellë, mbasi netët e para një tjetër shok flinte pranë tyre. Ikën nga mali me 3-4 shokë të tjerë dhe zbritën në Vuno dhe aty fjetën dy net.

Në këtë shtëpi kishte një krevat në të cilën fjetën të dy e të tjerët për tokë. Delegat, çfarë masë të marrim?

Puna e tyre ka arritur demoralizim, sidomos për ata që kanë punë me përgjegjësi. Unë nuk u rashë në sy deri sa të mbaronte operacioni (2) sepse kisha frikë ndonjë dezertim. Kjo dramë u është raportuar QP. Një turp i madh për ne, që nuk e prisnim.

[…]

Të fala shoqnore

V.f. L.P Gramozi (3) 19 Frur 1944”

  1. Nexhmije Xhuglini.
  2. Por në gjyq e akuzoi se i kishte tërhequr vërejtje për të mos vazhduar se do kishin përgjegjësi!!
  3. Ramadan Xhangolli. AQSH Fondi 14, D. 72, 1944

Ky artikull ka shkurtime dhe ndërthurje teksti mes origjinalit të marrë nga Gazeta “Panorama” me titull “Ramize Gjebrea ka bërë dashuri me Zaho Kokën!” – Zbulohen denoncimet për lidhjet e fshehta mes partizanëve: Bashkimi i tyre në një krevat, vazhduan tërë natën…“, dhe origjinalit nga faqja “Alb-Spirit” me titull “Vasfi Baruti: Inkuzitorët e Ramize Gjebresë, letrat origjinale në kupolën e lartë“.

Postime të ngjashme