Unë Dëshmoj: Kol Jubani

Kol JubaniKol Gjon Jubani

Ka lindur në vitin 1960 në fshatin Rrogam, Tropojë, ku jeton edhe sot, gusht 2018.

Nëse keni vizituar luginën e Valbonës me siguri keni dëgjuar për bujtinën e tij të famshme, bujtina e “Kol Gjonit”. Gjatë regjimit komunist, familja Jubani pësoi përndjekje të thellë që prej poshtërimit dhe pushkatimit të gjyshit të Kolës në 19 mars të vitit 1945 për bashkëpunim në arratisjen e bandave pas kryengritjeve antikomuniste të Kelmendit.

Më pas, në vitin 1953, xhaxhai i tij po ashtu u arrestua me akuzën e bashkëpunimit me bandat dhe u dënua me 14 vjet burg. Në vitin e gjashtë të dënimit ai vdiq në burg: “Nuk donin të na jepnin as kockat, thoshin nuk e ka mbaruar dënimin. Por një xhaxha tjetër nëpërmjet shoqërisë që kishte në burg i vodhi kockat dhe i solli në fshat…,” tregon Kola.

Më 1978 i arrestojnë edhe xhaxhanë tjetër dhe e dënojnë me nëntë vite burg. Akuzat lidheshin me faktin se vijonte të kryente rite fetare të krishtera në një kohë kur sistemi luftonte të gjitha besimet fetare. Një tjetër akuzë ishte shprehja e pakënaqësive ndaj sistemit.

Pasojat e persekutimit familjar i ka ndjerë edhe vetë Kola. Edhe pse ishte nxënësi më i mirë i klasës, nuk u lejua të studionte pas klasës së tetë.

Me mbarimin e shkollës, Kola u caktua fillimisht të shpërndante qumësht dhe më pas për shpërndarjen e gazetës “Zëri i Popullit”. Për të çuar gazetat në çdo shtëpi i duhej të bënte gjashtë orë rrugë në ditë. Gjatë kësaj rruge ai i griste gazetat duke mos i çuar ato në destinacion, kjo në shenjë proteste ndaj mohimit të mundësisë për të studiuar.

  • 1945 – Gjyshi i pushkatohet nga Partia Komuniste
  • 1953 – Xhaxhai i dënohet me 14 vite burg, pas 6 vitesh vdes në burg
  • 1978 – Xhaxhai tjetër i dënohet me 9 vite burg

 

Video

Pjesa 1, “Qëndresa antikomumiste e Kelmendit”

Pjesa 2, “Poshtërimi dhe pushkatimi i gjyshit”

Pjesa 3, “Dënim i xhaxhait dhe fundi i tij në burg…”

Pjesa 4, “Pamundësia për t’u shkolluar…”

Pjesa 5, “Dënim politik për xhaxhanë e dytë…”