MASAKRA E QAFË-VALMIRIT

"Masakra e Qafë-Valmirit"

Në Ditën Europiane të Kujtesës për Viktimat e Regjimeve Totalitare dhe në kuadër të 73-vjetorit të Masakrës së Qafë-Valmirit, Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) çel ekspozitën me titull “Masakra e Qafë-Valmirit”.

Ekspozita online sjell për publikun e gjerë fotografi dhe dokumente arkivore mbi një ndër krimet më të rënda të regjimit komunist.

Më 17 gusht 1949, në Qafë të Valmirit në Mirditë, regjimi komunist ekzekutoi 14 burra nga zona, 4 prej të cilëve u varën në litar ndërsa 10 u pushkatuan. Ekzekutimi u bë nga shteti si hakmarrje për vrasjen e Bardhok Bibës, deputet i parlamentit të kohës dhe sekretar politik i komitetit të PP të kësaj krahine.

Me vdekjen e Bibës më 7 gusht të atij viti, regjimi komunist mori masa shkatërrimtare për organizimin e brendshëm të Mirditës.

Dhjetë ditë më pas, me urdhër të Mehmet Shehut, Gjykata e Lartë Ushtarake ishte vendosur në Rrëshen dhe bëri një proces gjyqësor duke vendosur në kohë rekord dënimin me vdekje të 14 vetave, ndonëse, siç dëshmohet nga dokumentet, asnjë prej tyre nuk kishte qenë i përfshirë në vrasjen e deputetit Biba dhe as nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me vendimin për vrasjen e tij.

14 të dënuarit nga Mirdita, nga mosha 24 deri 67 vjeç, u panë si bashkëpunëtorë të të arratisurve, por jo si të përfshirë në vrasje.

Më shumë se proces, gjyqi i ngjau një procedure për “të krijuar bindjen për fajësinë”, që prapë nuk krijohet, sepse dosja e tyre hetimore, në pamje të parë shumë voluminoze, nuk faktoi lidhjet e tyre me elementë armiq të kohës, as nuk qartësoi kriteret mbi të cilat u morën të pandehur.

Prokurori Misto Bllaci kërkoi 20 vendime me vdekje në fillim, ndërsa Gjykata e Lartë Ushtarake në fund të procesit që zgjati nga data 11, kur u kryen arrestimet, deri më datën 16, kur u dha vendimi, ra dakord për 14 dënime me vdekje. Në vetëm pesë ditë proces hetimor u pranua në dokumentet e lëna pas se asnjëri nuk ishte i përfshirë në vrasje.

Të 14 mbetën në dy gropa të përbashkëta për 40 vite, derisa eshtrat e tyre u rivarrosën në një varr monumental në vitin 1991.

73 vite më pas, familjarët e të dënuarve pa qenë fajtorë presin drejtësi!

  • Impressum

    Ekspozita u ideua dhe u mbështet nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me rastin e 73-vjetorit të Masakrës të Qafë-Valmirit. IDMC, përmes aktiviteteve të tij, synon ndërgjegjësimin e të rinjve dhe të shoqërisë shqiptare mbi regjimin diktatorial në vend dhe pasojat e tij.

  • Autorësia

    Posterat e kësaj ekspozite janë përgatitur nga Fatmira Nikolli, gazetare.

    Përpunimi grafik është bërë në bashkëpunim me “Iceberg Communication”.

  • Falënderime

    IDMC dhe autorja e kësaj ekspozite u janë mirënjohës familjarëve të viktimave të masakrës së Qafë-Valmirit për gatishmërinë, ndihmën, dëshmitë, dokumentacionin dhe imazhet e ofruara. Një falënderim i sinqertë shkon për z. Gjergj Marku, z. Lek Shtija Bajraktari dhe z. Filip Gjomarkaj.

  • E drejta e autorit

    Ekspozita dhe paraqitja grafike e saj kanë të drejtë autorësie dhe nuk mund të përdoren pa lejen e autorëve apo IDMC. Nëse keni pyetje rreth kësaj ekspozite, ju lutemi të kontaktoni office@idmc.al.

  • Doni ta prezantoni këtë ekspozitë?

    Ekspozita “Masakra e Qafë-Valmirit” mund të porositet nga të interesuarit në format DIN A1 kundrejt një pagese simbolike dhe të prezantohet në kuadër të aktiviteve edukative. Për më tepër, ju lutemi të kontaktoni office@idmc.al.

  • Ekspozita në PDF