Rreth Observatorit

Observatori i Kujtesës është një projekt i Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë. Ai ka si qëllim mbajtjen gjallë të memories kolektive të shqiptarëve dhe risjelljen përpara tyre të historisë tragjike të komunizmit, në mënyrë që e kaluara të mos përsëritet.

Interneti dhe mediet online kanë krijuar mundësi të reja për mbledhjen dhe shpërndarjen e informacionit, qoftë ky i krijuar aktualisht apo në të shkuarën. Në këtë këndvështrim ai ka hapur një hapësirë të re edhe për risjelljen në vëmendjen e publikut të asaj kategorie të informacionit që i përket kujtesës kolektive dhe individuale të përcjellë dhe të trashëguar nga njëri brez në tjetrin. Kjo rimarrje dhe rishfaqje e akteve të informacionit të depozituar në kujtesën kolektive, ka vlerë të jashtëzakonshme për t’i krijuar rrugë e perspektivë të ardhmes përmes shmangies së gabimeve apo përvojave të hidhura të së shkuarës.

Disa përparësi specifike të internetit, si aftësia për shpërndarje dhe komentim të një materiali, shkalla e lartë e interaktivitetit, hapësira e gjerë e veprimit për inteligjencën kolektive dhe kapacitetet për user generated content etj., krijojnë kushtet që të mundësohet një përhapje dhe sjellje e risjellje në vëmendje e të gjithë përvojës së arkivuar në kujtesën e shqiptarëve gjatë, më parë apo pas komunizmit.

Observatori i Kujtesës publikon online përmbajtje të llojeve të ndryshme që lidhen sidomos me kujtesën për periudhën e diktaturës komuniste. Në këtë platformë do të mblidhen dhe botohen materiale të ndryshme të botuara në mediet kryesore si dhe në medie të ndryshme online, si edhe materiale të tjera të ofruara nga institucione apo nga individë të ndryshëm që bartin dëshmi të rëndësishme të së shkuarës.

Për të krijuar mundësinë e hapjes së debatit dhe të diskutimit mbi të shkuarën, “Observatori” është pajisur edhe me kapacitet blogimi dhe komentimi, si edhe me mjaft opsione për shpërndarje dhe ripostim.

Përmbajtja e Observatorit të Kujtesës është multimediale dhe përfshin materiale në tekst, video, foto, audio, grafika, animacione, të dhëna të vizualizuara, harta dixhitale etj.

“Observatori” aplikon edhe një kategorizim tematik e kronologjik të përmbajtjes, për të lehtësuar navigimin dhe kërkimin nga ana e përdoruesve.

Observatori i Kujtesës i bën thirrje të gjithë lexuesve që të kontribuojnë në pasurimin e përmbajtjes me dëshmi, fakte, kujtime, shkrime, fotografi, video etj., në mënyrë që e vërteta e së kaluarës të ndriçohet më mirë.