Përndjekja e grave të huaja që martoheshin me shqiptarë

Rexhep Kolli

Zbulohet dokumenti Tepër Sekret i vitit 1963 i drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Rexhep Kolli, mbi ndjekjen dhe përgjimet që u bëheshin grave bullgare në Tiranë, burrat e të cilave ishin anëtarë partie.

Nga Dashnor Kaloçi

Në fillimin e viteve ’60-të, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore që asokohe quheshin “Demokracitë popullore”, Tirana zyrtare filloi të mbante qëndrim edhe ndaj atyre grave të huaja që ishin në Shqipëri (kryesisht në Tiranë), që ishin martuar dhe kishin krijuar familje me shqiptarë, gjë e cila ishte nxitur nga vetë propaganda zyrtare sipas orientimit të udhëheqjes së lartë të PPSH-së që në fillimin e viteve ’50-të, kur marrëdhëniet e Shqipërisë dhe këtyre vendeve ishin në lulëzim.

Si rezultat i ndryshimit të kursit politik me ato vende, të cilat Tirana zyrtare dhe personalisht Enver Hoxha i akuzonte se “kishin tradhtuar parimet e marksizëm-leninizmit dhe ishin shitur për 30 aspra te Perëndimi”, filloi edhe “gjuetia e shtrigave” ndaj grave të huaja që ishin martuar me shqiptarë.

Shumë prej tyre nga survejimet, presionet, kërcënimet etj., u detyruan të divorcoheshin e ndaheshin me bashkëshortët e tyre shqiptarë dhe të ktheheshin në vendet e tyre prej nga kishin ardhur, si Bashkimi Sovjetik, Polonia, Hungaria, Bullgaria, Çekosllavakia, e ndonjë tjetër.

Ata që e kanë jetuar atë kohë tregojnë se në vitet 1961-‘62, diku te Rruga e Kavajës (afër Lidhjes së Shkrimtarëve), gati çdo ditë mbusheshin autobusët me gra të huaja, të cilat në mes lotësh dhe tejet të tronditura shpirtërisht, niseshin drejt Rinasit, duke u larguar përgjithmonë nga bashkëshortët e tyre dhe Shqipëria. (Pas viteve ’90-të, shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, do të shkruante “Sorkadhet e trembura”, vepër e cila është përshtatur në një skenar filmi nga kineasti i njohur me famë botërore, Juri Arabov, dhe regjisori Aleksandër Sukurov, duke e realizuar në një film artistik që tashmë është në proces).

Këtë dramë të dhimbshme e kanë përjetuar me dhjetëra e dhjetëra shqiptarë të cilët u detyruan të mbeteshin pa bashkëshortet e tyre të huaja apo dhe fëmijët e tyre, (që udhëtuan me nënat e tyre drejt vendeve të Europës Lindore), si p.sh. Dritëro Agolli, apo skulptori i njohur, Thanas Papa. Pas kësaj, në Shqipëri mbetën një numër i pakët grash të huaja (kryesisht ruse), të cilat ose nuk pranuan të divorcoheshin, ose bashkëshortët e tyre shqiptarë ishin me pozita dhe emra të njohur të artit e kulturës, si p.sh. Avni Mula, Pjetër Gaci etj.

Por edhe ndaj këtyre regjimi komunist e Sigurimi i Shtetit patën një paranojë të jashtëzakonshme dhe nuk e ndaluan asnjëherë survejimin dhe përndjekjen, deri në fundin e viteve ’80-të. Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga ky dokument zyrtar me siglën “Tepër Sekret”, i cili i përket vitit 1963, ku drejtori i Sigurimit të Shtetit, gjeneral-major Rexhep Kolli, informon udhëheqjen e lartë të PPSH-së lidhur me disa gra bullgare që jetonin në Tiranë dhe bashkëshortët e tyre ishin anëtarë partie.

Letra në fjalë i dërgohet Rita Markos, i cili asokohe si sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së, mbulonte organet e “Diktaturës së proletariatit”, si dhe Rrapo Dervishit, sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së Tiranës dhe njëherësh kandidat i Byrosë Politike.

Ajo që vihet re në këtë dokument, që publikohet për herë të parë dhe ekskluzivisht për gazetën TemA, është përgjigjja që ka dhënë Rrapo Dervishi, ku ai i quan “të vonuara” informacionet e Sigurimit të Shtetit, pasi për problemet e ngritura në letrën në fjalë, Partia “kishte marrë masat” me kohë.


Shoku Haki

Po ju dërgoj një kopje të informacionit drejtuar shokut Rrapo, që bën fjalë mbi gratë e huaja në kontakt me funksionarët e legatës Bullgare në Tiranë dhe për burrat e tyre që janë anëtarë partije.

19.XII.1963 Rexhep Kolli


REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE TEPER SEKRET

MINISTRIA E MBRENDESHME EKZEMPLAR 1

DREJTORIA E DYTE 20.XII.1963

Nr. 463

KOMITETIT QENDROR TE PPSH

SHOKUT RITA MARKO

KOMITETIT TE PARTISE SE QYTETIT

SHOKUT RRAPO DERVISHI

T I R A N E

Simbas të dhënave që disponojmë, përpara festës kombëtare të Bullgarisë, 9 Shtatorit, Sekretari i Dytë i Ambasadës Bullgare, Belev, dhe nënpunësi i përfaqësisë tregtare, Maniev, janë munduar të marrin takim me gratë bullgare të martuara me shqiptarë, burrat e të cilave janë A.P (anëtarë partije, shënimi ynë).

1. Liljana Bejleri, Inxhinjere në Kombinatin e Tekstileve “Stalin”, gruaja e Agim Bejlerit, A.P. me punë në Ministrinë e Industrisë, Liljana ka frekuentuar edhe më parë dy herë Ambasadën Bullgare.

2. Jordanka Belinski, profesoreshë e Gjuhës Ruse në shkollën “Çajupi”, gruaja e Kiço Shtikës, përgjegjës i radio-stacionit të Kasharit, sekretar i organizatës bazë të partisë. Përveç këtij rasti, më datën 27.XI.1962, kanë vajtur në shtëpinë e Kiços dy funksionarë të Ambasadës Bullgare, ku kanë qëndruar rreth tre orë, ndërsa më datën 3.VI.1963, Jordanka ka frekuentuar përsëri Ambasadën Bullgare.

3. Teodora Kotoni, e shoqja e Muntaz Kotonit, me punë në Ministrinë e Bujqësisë, Sekretar i Organizatës Bazë të Drejtorisë së Fermave, Teodora ka frekuentuar edhe njëherë Ambasadën Bullgare.

Lejimi i këtyre grave të cilat i kanë burrat e tyre anëtarë partije, me kontakte me funksionarët e legatës revizioniste, është serioze, prandaj jemi të mendimit që këta komunistë të thërriten nga ana e partisë dhe të veprohet ashtu siç shihet e arsyeshme.

DREJTOR I DREJTORISE SE II-të

GJENERAL-MAJOR

(REXHEP KOLLI)


Shënim

Sipas porosisë suaj biseduam me shokun Rrapo.

Komiteti i Partisë së Qytetit, ka vepruar me kohë në këtë drejtim.

Shoku Rrapo tha se Ministrija e Brendëshme, njofton për këtë, me vonesë.

Ishim të një mëndje, se tani me mbledhjet e organizatave bazë për dhënie llogari dhe zgjedhje, të arrihet që komunistë të tillë të mos dalin në udhëheqje të organizatave bazë të partisë.

Shoku Rrapo tha se ka ardhur koha që elementë të tillë dhe të tjerë si këta, të mos jenë në parti. Ai ngriti mundësinë e transferimit të tyre nga qyteti i Tiranës.

Pirro Gusho

Tema, 7 shkurt ’18
Titulli origjinal: Zbulohet raporti sekret për përgjimet që u bëhej grave bullgare në Tiranë / Drejtori i Sigurimit: Diplomatët bullgarë, tre orë te shtëpia e Kiço Shtikës në Tiranë…?!

Postime të ngjashme