At Josif Papamihali, martiri që mbrojti Papën dhe Vatikanin

klerike-ortodokse

Nga Fatos Salliu / Rudolf Deliana 

Sot është plotësisht e njohur përndjekja barbare që pësoi Kleri Katolik Shqiptar fill mbas ardhjes në pushtet të Komunizmit Shqiptar. Janë rreth 130 priftërinj të arrestuar, të burgosur, të torturuar, të dënuar pa më të voglin faj. Përmasat e sakta të këtij terrori shtetëror i gjen në librin me titull: “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, hartuar nga një redaksi prej tetë personalitetesh dhe i botuar në Shkodër më 1993.

Në libër jepen një për një emrat e secilit prej viktimave që përfshiu ai tmerr. Ato emra janë dhënë të ndarë në shtatë grupe sipas vuajtjeve dhe pasojave që pësuan. Kështu nga 129 priftërinjtë e arrestuar, 31 u pushkatuan, 8 vdiqën në tortura, 4 u mbytën apo u helmuan, 3 vdiqën sapo dolën nga burgu, 24 vdiqën në burgje apo kampe internimi, 38 vdiqën mbasi dolën nga burgu dhe 25 dolën të gjallë më 1990 dhe vazhduan detyrën e priftit.

Sipas llogarisë së autorëve, të gjithë të arrestuarit të marrë së bashku kanë kryer 450 vjet studime universitare dhe po të marrë së bashku janë dënuar me 881 vjet burg dhe internim! Në libër jepet midis të tjerave edhe fjala e fundit që kanë thënë disa nga të pushkatuarit para skuadrës së pushkatimit.

Në ato fjalë s’ka asnjë sharje, asnjë mallkim, asnjë urrejtje ndaj atyre që i torturuan e i dënuan pa të drejtë. Secili me fjalët e veta ka shprehur besnikërinë dhe përkushtimin ndaj fesë dhe Atdheut. Këtu po jap vetëm fjalët e Imzot Frano Gjinit. Ai para pushkatimit deklaron: “Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnia edhe pa Ne!”.(f.88). Edhe autorët e tekstit, në fjalët e tyre kanë ndjekur po këtë rrugë. Kështu në parathënie, autori Vili Kamsi, mbasi vë në dukje se sa antinjerëzorë qenë hetuesit dhe gjykatësit e kësaj masakre, shton: “Leximi i atyne që përshkruhen në këtë përmbledhje do të na mbushë me dhimje për ato që vuejtën martirizimin ma të naltë për Fe e Atdhe, por njikohësisht nuk duhet të na nxisë urrejtjen e hakmarrjes për kriminelët komunistë që i shkatues kaq e kaq vuejtje e mjerimi këtij popullit tonë. Zoti i pastë falë!” (libri f. 2).

Që të gjithë priftërinjtë e dënuar qenë nga Veriu, përveç njërit që qe elbasanas nga Lagjja Kala. Ai quhej Atë Josif Papamihali dhe bën pjesë në katërshen e të mbyturve dhe të të helmuarve. Familja Papamihali është ndër më të vjetrat e lagjes, ndoshta me prejardhje nga ndonjë prift i quajtur Mihal. Familje me mbiemër të kësaj natyre ka ende sot në Kala, siç janë familjet Papajani, Papatruka, Papanikolla etj.
Nga pleqtë e Papamihalëve mbahet mend Losh Papamihali, i cili ka jetuar në shekullin e XIX. Qe bashkëkohës, shok e mik i ngushtë i Kristoforidhit.

Për të ka lënë me shkrim kujtime të veta. Gjatë jetës së tij, Loshi u njoh si burrë i urtë e mjaft gazmor. Ishte organizator shëtitjesh e dëfrimesh në Shijon, i dhënë shumë mbas këngësh e vallesh. Vishej bukur, kryesisht me rrobe të bardha, prandaj në shoqëri mori nofkën “Loshi i Bardhë”. Nuk pati fëmijë, ndoshta edhe nuk u martua. Pati një vëlla, Kostandinin, që u martua dhe lindi dy djem Avin (Alqiviadhin) dhe Mihalin.

Që të dy u martuan dhe lindën dhjetë fëmijë, të cilët u rritën bashkë në të njëjtën shtëpi, aty ku jetojnë sot pasardhësit e katër djemve të Avit dhe të të vetmit djalë të Mihalit. Mbas lindjes së fëmijëve vëllezërit vdiqën herët njëri mbas tjetrit dhe jetimët u rritën nga kunatat si të ishin motra. Josifi qe fëmija e parë e Avit. Lindi më 23 shtator të vitit 1912. Ndoqi shkollën fillore të lagjes, ku ra në sy si djalë i zgjuar, i urtë e i zellshëm. E përfundon atë më 1923 dhe po atë vit e merr misionari Arkimandriti Pjetro Skarpeli dhe e dërgon të vazhdojë shkollën e mesme fetare të Abacisë Greke të Grotaferratës në Romë. Aty nis formimi i tij fetar. E përfundon atë shkollë më 1930 dhe po atë vit nis studimet e larta fetare për Teologji e Filozofi në Kolegjin Pontifik Grek të Shën Athanasit në Romë.

Laurohet me 1936, dorëzohet prift dhe kalon për pak muaj pranë arbëreshërve në Lungro të Kalabrisë. Këtu e merr Delegati Apostolik në Shqipëri dhe e vendos si prift në Kishën Unite të Shën Pjetrit në Elbasan. Punon aty për pak vite e duke nisur nga viti 1945 transferohet në Korçë, Pogradec, Lushnje, Berat etj, deri sa përfundon në Korçë. Atje arrestohet në 31 tetor 1946. Qëndron në burg deri më 16 maj 1947, kur nis hetimi i tij që përfundon mbas rreth gjashtë muajsh, më 2 korrik 1947. Më 1 gusht 1947 deri 3 Tetor 1947 bëhen tri seanca gjyqësore, që e dënojnë me 5 vjet privim lirie e punë të detyruar, duke i ngarkuar 108 lekë si taksë rekursi. (pv.dt.3.10.1947)

Pasardhësit e sotëm së familjes së Atë Josifit kanë mundur të gjejnë proces-verbalet e 13 seancave të hetuesisë dhe tri proces-verbalet e tri seancave gjyqësore, që vendosën dënimin e sipërm. Duke i shfletuar ato kupton se cilat qenë akuzat e cila qe mbrojtja që bëri i akuzuari. Nga tri seancat gjyqësore të sipërme del se Atë Josifi është akuzuar si më poshtë: “Me ardhjen e Fashizmit Italian në Shqipëri ka manifestuar e ka simpatizuar okupatorin dhe ka qenë i lidhur ngushtë me priftërinj të tjerë. Mbas Çlirimit të Shqipërisë ka vazhduar politikën reaksionare të Vatikanit.

Ka bërë takime me elemente reaksionarë me të cilët ka biseduar çështje kundër Pushtetit Popullor si dhe ka bërë mbledhje me krerët katolikë me qëllim për të sabotuar zgjedhjet e dy dhjetorit dhe vendosjen e partisë Demo Kristiane në Shqipëri. Ka bërë propagandë kundra reformave …. Ka punuar kundra interesave të popullit e të Atdheut, duke u subvencionuar me të holla prej agjentëve të UNRRA-s që të formonte organizata klandestine, si organizata “Demokristiane”.” (P-V dt 1.8) Në lidhje me këto akuza Atë Josifi është pyetur hollësisht në çdo seance të hetuesisë. Që të gjitha pyetjeve u është përgjigjur një për një. Përsa i takon qëndrimit të tij ndaj pushtuesit fashist deklaron se ka dalë kundër tij sepse: “Në Kishë unë merresha me shqiptarët katolikë duke meshuar shqip” (P-V dt 17.5).

Në një rast tjetër deklaron: “Gjatë Luftës unë kam qëndruar asnjanës” (P-V dt 1.8). Në çdo seancë hetimi thekson se asnjëherë nuk është marrë me politikë, sepse feja ua ndalon priftërinjve propagandën politike. Madje për priftërinjtë shqiptarë në përgjithësi deklaron: “Unë nuk di që ndonjë prift të ketë ndihmuar L.Na.Çl., kurse me Ballin e Legalitetin kanë qenë të shumtë, por nuk mund të them se kanë marrë pjesë zyrtarisht” (P-V dt 1.8). Po për këtë periudhë tregon se ka mbajtur lidhje me priftërinjtë eprorë apo vartës të tij pa kryer asnjë veprimtari kundër pushtetit e atdheut. Edhe për akuzat e rënda të pasluftës tregon se nuk qëndrojnë. Pranon që ka takuar e ka biseduar me disa nga personat që përmend akuza, por thotë se me ta ka pasur vetëm lidhje miqësore dhe familjare.

Po ashtu tregon se lidhjet me fetarët katolikë kanë qenë të punës në Kishë e jashtë saj. Kështu në seancën e dt. 17.05 duke folur për murgeshat e Korçës që kishin hapur një shkollë foshnjore (kopësht) dhe një kurs qëndisjeje për vajza dhe gra, tregon: “I porosita murgeshat që të mos merreshin me çështje politike se e kanë kategorikisht të ndaluar” (P-V dt. 17.5). Pranon se me një prift tjetër “…i kemi kritikuar si të padrejta masat që ka marrë Shteti kundër Kishës Katolike të Elbasanit e të Korçës, që nuk janë marrë me çështje politike” (P-V dt 20.5). Tregon se nuk ka pasur asnjë lidhje me UNRRA-n apo njerëzit e saj. Për sa u takon të hollave që u ka shpërndarë vartësve të tij tregon se i ka marrë nga eprorët dhe ua ka shpërndarë si rroga. Tregon se nga sa napolona i ka dorëzuar secilit (P-V dt 20.5).

Për prejardhjen e tyre sqaron: “Këto të holla vinin nga Episkopata e Durrësit”(P-V dt 20.5). Në lidhje me ndihmat humanitare të UNRRA- s thotë: “Ndihmat që na jep UNRRA janë të mira për ne” dhe “Kemi thënë se të kishim miqësi me Anglo-Amerikanët do të ishte më mirë për ne” (P-V dt 16.5). Akuza më e rëndë që i bëhej At Josifit ishte ajo e “sabotimit” të zgjedhjeve të 2 dhjetorit dhe “krijimit” të Partisë Demokristiane. Edhe hetuesia është përqëndruar më shumë te këto akuza. Nga 13 seancat e hetuesisë, 8 prej tyre janë marrë me ato.

Proces-verbalet e tri të parave janë të hartuara me rregull dhe të hollësishme. Nga leximi i tyre kuptohet çdo gjë e shprehur prej të pandehurit. Pesë të tjerat janë shënime të çrregullta. Kanë pak fjali, thuajse pa kuptim, janë pa data, përveç proces-verbalit të fundit. Të gjitha janë të firmosura nga një tjetër person hetues që shënohet si “I ngarkuari i seksionit”. Këto të marra së bashku të krijojnë dyshimin se mund të mos jenë reale. Nga përgjigjet që jep Atë Josifi në lidhje me akuzat e sipërme del se të gjithë priftërinjtë ishin mbledhur dhe kishin biseduar me njëri tjetrin, jo për të bojkotuar zgjedhjet, por për të përcaktuar nëse u takonte apo nuk u takonte të merrnin pjesë në votime.

Sipas fjalëve të Atit del se të gjithë ishin të mendimit se nuk duhej të votonin, ngaqë Fronti drejtohej nga Partia Komuniste që udhëhiqej nga ideologji antifetare dhe se deputetët ishin afetarë ose antifetarë. Kishte vetëm dy a tre që mendonin të votonin me qëllim që të mbronin dhe të shpëtonin Kishën Katolike që po shkonte “drejt një gjendjeje shumë të vështirë” (P-V pa datë). (Ishte koha kur “u zbuluan” armët në Kishën e Shkodrës dhe kur ishin arrestuar shumë priftërinj). Ati vazhdon të tregojë se për këtë problem kishte pyetur edhe eprorin e tij, Episkopin e Durrësit Imzot Vincens Prenushi, nëse ishte mirë të merrnin pjesë në zgjedhje. Ai i ishte përgjigjur: “Kjo nuk është e mirë, sepse nuk pajtohet me parimin fetar, mbasi deputetët janë me parime afetare” (P-V dt 2.7.47).

Reagimi amerikan: Prifti u varros i gjallë

At Josifi, jo vetëm vërtetoi pafajësinë e tij, por u tregua dinjitoz edhe në mbrojtje të fesë, të Papës e të Vatikanit. Këtë e bëri publikisht edhe në dy seancat e gjykimit të tij, që “u zhvilluan para një publiku të gjerë….. u soll i pandehuri e u vendos në vendin e tij të veçantë fatkeqësisht në seancë publike….”. (P-V 1.8.47). Pikërisht në këtë seancë deklaron: “Si ligj në fe është e ndaluar politika”, “Misioni im në Shqipëri është të zhvilloj popullin në fenë katolike”, “Papa me Duçen nuk ka qenë i lidhur, pasi Papa e ka dënuar Doktrinën e Xhentilit Fashist” (Mendoj se fjala “xhentilit” duhet të jetë “xhelatit”). Më poshtë vazhdon: “Vatikani e ka dashur kurdoherë Paqen” (të gjitha te procesverbali 1.8.47).

Në seancën e së nesërmes për veten e vet deklaron: “Qe dëshira ime dhe ideali im që të studioja mbi Fenë dhe të vishja kët petk për t’u bërë një fetar sikundër jam”. Siç duket Atë Josif Papëmihali edhe pse qe para një “varri” të hapur, i qëndroi besnik idealit të tij fetar. Ai u dënua edhe pse krejt i pafajshëm. Nuk u dënua me vdekje të menjëhershme siç është pushkatimi, por me vdekje “të ngadaltë” që do të zgjaste jo pesë minuta, por pesë vjet! Në të vërtetë ajo “zgjati” vetëm rreth një viti. Çdo ditë të vitit “vdiste” nga pak në luftë me ujin, shushunjat, llucën, baltën, udhëtimin e mundimshëm, mungesën e ushqimit, të veshjes dhe të gjumit, në atë që u njoh me emrin “Këneta e Vdekjes” siç e emërtoi bashkëvuajtësi i tij në Kënetë, shkrimtari elbasanas Makensen Bungo, që e ka edhe personazh real në librin e tij me titull “Këneta e Vdekjes”. Frymën e fundit nuk ia morën predhat e pushkëve vrastare, por “predhat vrastare” të duarve të kriminelëve që e mbytën të gjallë në baltën dhe llumin e Kënetës. Po komunizmi “nuk u ngop” me këtë “pushkatim të ngadaltë”.

Donte ta dënonte me pushkatim të vërtetë. “Marifetin” e sajoi mbas rreth 3 vjetësh. Vëllai i At Josifit, Kostaq Papamihali, punonte në Tiranë si llogaritar i thjeshtë. “U zbulua” një defiçit në llogaritë e tij, u fry si një vepër armiqësore dhe u dënua me vdekje. U pushkatua më 1952 duke lënë të ve bashkëshorten e re e duke lënë jetim djalin e vetëm që kishte emrin e gjyshit te tij dhe quhej Alqiviadh Papamihali! Kjo përndjekje e pamëshirshme dhe antinjerëzore u njoh nga gjithë Bota. Ambasadori i SHBA-së në OKB e bëri atë të njohur në seancën e shkurtit 1955 kur paraqiti raportin e vendit të tij mbi burgjet politikë në Shqipëri. Duke përmendur keqtrajtimet e të burgosurve politikë të kohës jep si shembull rastin e At Josifit, duke deklaruar: “Prifti Josif Papamihali, kryetar i Kishës Unite të Korçës, u varros i gjallë në kanal”. At Josif Papamihali në sallën e gjyqit të datës 1.08.1947 në prani të trupit gjykues dhe publikut në sallë, u tregua burrë i vërtetë shqiptar. E dinte çfarë e priste. E kishte marrë vesh çfarë kishte ndodhur në Shkodër me priftërinjtë e pafajshëm të atjeshëm. Ballëhapur i doli në mbrojtje fesë, duke denoncuar ideologjinë komuniste dhe shtetin si armiq të saj.

Është kjo arsyeja që Papa, këtë fetar të devotshëm ndaj Fesë së tij së shpejti do ta lumturojë, duke e shpallur “Martir i Kishës Katolike“. At Josif Papamihali në sallën e gjyqit tregoi se gëzonte respekt e dashuri për Atdheun e tij dhe për Hyjnoren, dy karakteristika të vyera të shqiptarizmit. Është kjo arsyeja që sot shqiptaria duhet ta shpallë “Martir të Shqiptarizmit”. Duke mbartur këto veti emri i tij u fut në historinë e Martirëve të Kombit tonë në kah të gjithë atyre që dhanë jetën në luftën për drejtësi e përparim.
Burimi: Shekulli.al

Postime të ngjashme