E vërteta që mbuloi me dhé diktatori

Nga Arnold Baçi.

Homazh për heroin e Mokrës, Tele Baçi.

Pas pushtimit të vendit më 7 Prill 1939, Italia fashiste krijoi administratën e saj shtetërore dhe përmes kuesturave nisi punën për të verifikuar se cilët ishin patriotët dhe familjet patriotike, që t’i përndiqte, t’i persekutonte dhe t’i burgoste, pasi ato me siguri do të ngriheshin, do të organizoheshin në luftë për të mbrojtur atdheun dhe për të çliruar vendin nga pushtuesit.

Një nga këto familje patriotësh ishte edhe familja e Tele Baçit, nga fshati Çezmë e Vogël, komuna Trebinjë, në Mokrën e Sipërme, të cilit fashistët i dogjën shtëpinë dhe i konfiskuan gjithë pasurinë dhe më pas e burgosën.

Kush ishte Tele Baçi dhe pse e burgosi Italia fashiste? Kush ishte fisi i Baçllarëve dhe si ishin njohur ata para pushtimit fashist?.

Tele Baci ishte nipi i Brahim Baçit, i cili, sipas dokumenteve të nxjerra nga Arkivi i Shtetit, ka qenë një kapedan trim i Mokrës që luftoi vite me radhë kundër serbëve. Në Serbi i thërrisnin Brahim Krajli, sepse ishte trim dhe kishte merita për luftën që bënte kundër tyre. I njohur është edhe  fakti se ai zbuloi dhe shpartalloi Muzhakët e Polisit të Librazhdit të cilët paguheshin me rrogë nga Serbia.

Në një letër që i shkruan Aqif Pashë Elbasanit Brahim Baçi i flet për fitoren qe kishte korrur kundër serbëve ku i raportonte se nga serbët u shpartalluan dhe mbetën katër të vrarë e u kapën tetë robër, kurse nga tanët u plagosen vetëm dy vetë. Pavarësisht se serbët futeshin brenda kufijve të Librazhdit, të Mokrës, të Pogradecit dhe të Korçës, deri në Prespë, Brahim Baci me forcat që i organizonte më së miri, si strateg, me anë të luftës i nxirrte jashtë kufijve. Në Fondin 149, dosja 76, viti 1920, që gjendet në Arkivin e Shtetit ka një sërë dokumentesh me vlerë që provojnë luftën e tij në mbrojtje të kufijve të vendit.

Të moshuarve, e sidomos gjyshit tim, i rrija shumë afër dhe e dëgjoja me vëmendje, tepër i përqendruar kur fliste për luftën që kishte bërë Brahim Baçi kundër serbëve. Gjithmonë ai përsëriste: “Eh ore bir, në Serbi Brahimit i thërrisnin Brahim Krajli!”.

Ja ç’më tregonte gjyshi: “Një fshatar nga Tushemishti, Koci Tasi Tushemishti, kish vajtur në malin e Thatë me gruan dhe dy djemtë për të bërë dru zjarri apo zahire për bagëtinë, brenda kufirit tonë, 200 metra larg kufirit të tyre, kur u qëllua dhe u plagos nga agjenti i serbëve i cili quhej Zafir Tushemishti, i arratisur në Serbi. Ashtu siç tregon edhe dokumenti i nxjerrë nga Arkivi i Shtetit (Fondi 157, dosje 28) këtë vrasje serbët e paguan në luftimet që zhvilloi Brahim Baçi kundër tyre.

Rasti tjetër ishte kur serbët rrethuan natën shtëpinë e tij e i thirrën të dorëzohej, por ai u përgjigj se do të dorëzohej se nuk kishte nga të shkonte dhe ndërkohë organizoi shpejt e shpejt forcat që mbante me vete, nipat, vëllezërit e luftëtarë të tjerë të Mokrës. Te porta vendosi Tele Baçin, të tjerët nëpër dritare e frëngji, ndërsa vetë, pasi u dha porosinë që të hapnin zjarr pas tij, nëpër oxhakët e dhomës, doli mbi çatinë e shtëpisë e hapi zjarr, i shoqëruar edhe nga të tjerët.

Serbet u tmerruan se u erdhi e papritur përgjigja që u dha trimi Brahim Baçi me shokë. Më pas erdhën në ndihmë edhe banorë nga fshatra të tjerë si nga Çezma e Madhe, Hondishti, Dunica, Trebinja dhe Pleshishti. Lufta përfundoi me shpartallimin e serbëve ku veç të tjerëve u vra edhe komandanti i tyre në vendin e quajtur Koria e Çezmës, në një bregore, te guri Zhurak.

Një ditë, në një kafene të Tiranës së Re, kërkova leje dhe u ula në një tavoline me një të panjohur. Në bisedë e sipër, pasi u prezantuam se nga jemi, kush jemi e me ç’punë jemi marrë, ai më tha se kishte punuar shofer në një ekspeditë topografike ushtarake në kohën e diktaturës.

Pasi e mori vesh që unë isha nga Pogradeci, më tregoi se në malin e Homezhit, në jug të Qafë-Thanës, në një pyll ku bënin hartat, gjetën kafka dhe kocka të ndryshme njerëzish. Pasi u vunë në dyshim, pyetën një fshatar se ç’janë dhe të kujt janë ato kocka. Ai na tha se janë kocka të serbëve që ka vrarë Brahim Baçi, krahinar i Mokrës aty nga viti 1920, në luftimet që bënte kundër tyre për t’i nxjerrë jashtë kufijve të vendit tonë.

Një provë tjetër që vërteton më së miri se kush ka qenë Brahim Baçi, e ka sjellë edhe nipi i Tele Bacit, Hyqmet Ismail Baçi, i cili vdiq në dhjetor te vitit 2008.

Ai merrej me tregti perimesh dhe kur kishte vajtur për blerje mallrash në Maqedoni, një i panjohur e kishte pyetur ne Maqedoni se nga ishte e si e quanin. I ndjeri Hyqmet i kish treguar emrin e mbiemrin dhe personi i kishte thënë: – Po pse more, prej fisit të Baçëve je ti?! Bën mire të ikësh se po e morën vesh se je Baç, të zhdukën menjëherë, se atë që u ka bërë serbëve Brahim Baçi, nuk ia ka bërë kush tjetër, as perëndia vetë!

Një provë tjetër që vërteton më së miri se kush ka qenë Brahim Baçi, është dhe fotografia ku së bashku me shoqëruesit dhe me oficerët bullgarë, shihet ulur me pushkë ndër gjunjë edhe Brahim Baçi. Vlen të përmendet që në takimin që patën bullgarët me Brahim Baçin në ato kohë, i ofruan gradën e gjeneralit por ai nuk e pranoi pasi ata kishin qëllime për ta korruptuar.

Brahim Baçi jetoi i verbër gjatë dhe mbas çlirimit të atdheut, por këtë hero, pasardhës të Skenderbeut nuk e përmendi njeri, pasi ishte xhaxhai i Tele Baçit.

**************

Po cili ishte Tele Baçi dhe pse u pushkatua nga diktatura? Cili ishte aktiviteti i tij në krye të mokrarëve që i donte dhe e donin aq shumë? Cili ishte funksioni dhe roli i tij deri në 4 Prill 1944 e çfarë sakrifice bëri ai në luftë kundër fashizmit italian për çlirimin e atdheut e për një Shqipëri të lirë e demokratike?

Siç kemi shkruar edhe në fillim të artikullit, Italia fashiste e burgosi Tele Baçin dhe i dogji shtëpine, se ishte familje patriote. Por Tele Baçi theu hekurat, doli nga burgu, dhe formoi çetën e parë me mokrarët dhe kreu aksionin e parë në Shqipëri kundër Italisë fashiste. Dogji, shkatërroi dhe konfiskoi postën e xhandarmërisë italiane në Shën Premte të Lenies së rrethit të Gramshit të cilën e vërtetojnë dokumenta të nxjerra nga Arkivi i Shtetit si dhe një shkrim i vetë diktatorit Enver Hoxha i cili thotë se aksionin e parë kundër Italisë fashiste e ka bërë çeta e Mokrës. Por  ai nuk e përmend Tele Baçin si komandant të Çetës.

Ja çfarë shkruan komanda italiane për Tele Baçin kur ai dogji dhe shkatërroi postën e xhandarmërisë në Shen e Premte të Gramshit: “Të kapet kaçaku Tele Baçi, të identifikohen edhe pesë të tjerët dhe të ekzekutohen me gjyq special ushtarak” (e vërtetuar me dokumentin nxjerrë nga Arkivi i Shtetit, dosje 285, fondi 152, viti 1942).

Pasardhës i Brahim Braçit, mbas vrasjes se Reshit Çollakut, Tele Baçi u bë komandant i batalionit “Shqiponja” e më pas komandant i batalionit “Reshit Çollaku”, të cilin e drejtoi më së miri në luftë kundër fashistëve italianë. Tele Baçin e donin shumë mokrarët dhe për këtë arsye ai kishte influencë të madhe në zonë.

Banorët e moshuar të zonës kujtojnë se çfarë i tha Tele Baçi komandantit të Brigadës së Parë, Mehmet Shehu, në një takim që pati me të: “Ta ruajmë popullin, të mos na vritet dhe digjet se është popull i varfër, nuk ka bukë të hajë jo më t’i kërkojmë të tjera gjëra”. Por Mehmet Shehu iu përgjigj: “Ti dashke një plumb, se sa më shumë të vritet dhe të digjet ky popull aq më shumë simpati fitojmë ne për luftën`.

Pas kërcënimit nga Mehmet Shehu, nuk do të vononte edhe plumbi i pabesë për Tele Baçin.

Një ditë para se të ndodhte kjo, më 3 prill 1944, Tele Baçi, bashkë me batalionin që komandonte ishte në fshatin Homçan të Mokrës, ndërkohë që Shtabi i Brigadës së Parë ishte në Velçan  dhe i dërgoi korrierin me një letër ku e lajmëruan se duhet të shkonte në Velçan në mbledhjen e Shtabit. Pasi mori lajmin ai u nis bashkë me batalionin, ndërsa i biri, Sadiku e kish paralajmëruar që të mos shkonte në Velçan, se nuk i dukej i mirë ky lajm deri sa të sqarohej se për çfarë bëhej kjo mbledhje. Telja i tha se do të shkonte pasi s’kishte për të patur ndonjë gjë të keqe.

Baza e shtabit ishte në shtëpinë e Mehmet Agos së Velçanit, dhe përveç një të afërmi të tij që kishte me vete Telja, të tjerët u shpërndanë nëpër baza të tjera të fshatit. Në mbrëmje vonë pasi i kishin arrestuar të vëllain, Ismailin dhe dy djemtë Naimin dhe Sadikun, i rrethuan fshehurazi me një pabesi të poshtër dhe i vunë mitralozin në derë të dhomës ku gjoja do të bëhej mbledhja e i thanë të dorëzohej. Por ai nuk pranoi. I afërmi i tij i afrohet e i thotë që të dorezohen, se ishin arrestuar të gjthë, se do të vriteshin të gjithë. I thanë se nuk do ta vrisnin por vetëm do ta gjykonin për ca gabime që kishte bërë, e duke përfituar nga mosha e tij e re e kapën dhe e lidhën.

Pasi u zhvillua gjyqi special e pyetën se çfarë kishte për të thënë. Ai iu përgjigj se e kishin prerë në besë, se nëse ishin burra duhet ta thërrisnin në duel, se “vetëm qeni të ha në pabesi siç po me hani ju mua“, dhe e fundit ishte porosia që la për Faik Kalanxhin që pas vrasjes të mos e varrosin në Velçan por në Çezmën e Vogël, në fshatin e tij. Faiku, nipi i tij (njëkohësisht i ndjeri babai im) e mori të ngarkuar në kalë dhe e varrosi ne Çezmën e Vogël, në fshatin e tij.

Kur e pushkatuan, e qëlluan me mitraloz, por trimi ngriu në këmbë dhe nuk u rrëzua. Afër i kish vajtur Misto Treska dhe e qëlloi me revolver në kokë derisa trupi i tij u shtri përtokë.

Të villain, Ismail Bacin dhe dy djemtë e tij i morën dhe i çuan në Shtab të Përgjithshëm në Lavdar të Oparit. Atje vajti i vëllai i gjyshit, Nexhip Ago, të cilin e thirrën për të dalë garant dhe ashtu u bë. Ai i garantoi që ata nuk do të bëjnë asnjë lëvizje më të vogël dhe i liruan. Erdhën në fshatin e tyre e iu shtruan punës me kokën ulur ashtu siç e kërkonte diktatura. I vëllai i Teles, Ismaili ishte i plagosur në gju gjatë luftës kundër fashizmit dhe çalonte, ndaj mori pension invaliditeti të cilin më pas ia hoqën.

Urdhrin për pushkatim e Teles e dha diktatori Enver Hoxha e arsyeja kryesore ishte se ai ishte nipi i Brahim Bacit qe kishte luftuar kunder serbëve në 1920 e në vazhdim për disa vjet me rradhë dhe nuk i lejoi të realizonin synimet e tyre për kufijtë e Shqipërise nga Elbasani deri në Prespë. Gjatë luftës në Shqipëri Tito dërgoi dy pseudokëshilltarë, te cilët ishin agjentët e tij, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviëi.

Tito ishte agjent i Stalinit për Ballkanin ndërsa Enver Hoxha ishte agjent i Titos për Shqipërinë. Kur Dushan Mugosha e Miladin Popoviçi morën vesh se Tele Baçi, nipi i Brahim Bacit ishte komandant i batalionit të Mokrës dhe kish luftuar serbët i dhanë urdhër diktatorit për ta pushkatuar dhe ai ashtu bëri.

Ditën e pushkatimit, më 4 Prill 1944 kuestura e Korçës i shkruan asaj të Pogradecit: “Ju bëjmë me dije se komunistët kane pushkatuar Tele Baçin në mosbesim. Nuk dihet për fatin e të vëllait Ismail Baçit dhe dy djemve të tij Naim dhe Sadik Baçi, pasi janë arrestuar ndërsa populli është indinjuar pa masë për vrasjen e tij” (viti 1944, dokument i nxjerre nga Arkivi i Shtetit, Fondi 154, Dosje 345).

Kur dha urdhër për të pushkatuar Tele Baçin, diktatori la edhe porosinë: (vërtetuar në veprat e ti nr.1-2): “Kini kujdes kur të pushkatoni Tele Baçin se ka influencë të madhe në Mokër dhe të mos ndodh ndonjë e papritur!”.

Por e papritura ndodhi. Populli i Mokrës u indinjua shumë, batalioni u shkatërrua, mokrarët u shpërndanë nëpër shtëpi.

Data 4 prill kur ai u pushkatua, përkon me një ditë të shënuar. Pas 65 viteve, më 4 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s duke bërë realitet ëndrrën e Tele Baçit dhe të patrotëve të vërtetë që Shqipëria të rreshtohej në një anë me vendet e Perëndimit dhe me demokracitë perëndimore.

 

 

Postime të ngjashme