IDMC organizon “Letërsia si vend kujtese”

letersi-02

Instituti për Demokraci, Media dhe kulturë organizoi eventin dy ditor,të titulluar “Letërsia si vend kujtese” që u mbajt në Shkodër, në datat 19 dhe 20 Maj 2016. “Letërsia si vend kujtese” sjell në vëmendje letërsinë e burgjeve, internimeve dhe krimeve të diktaturës komuniste.

Në këtë aktivitet ishin të ftuar një panel profesionistësh nga fusha e letërsisë, publicistikës dhe akademisë, për të folur mbi veprat që trajtojnë të shkuarën diktatoriale përmes rrëfimesh letrare, autobiografike, mbi ngjarje reale të terrorit dhe dhunës komuniste.

Përmes një formati sa më interaktiv, synohej dialogu mes të gjithë pjesmarrësve, qofshin këta dëgjues apo referues, me qëllim nxitjen e një diskutimi publik dhe hapjen e perspektivave të reja mbi formimin dhe forcimin e kujtesës kolektive.

Dita e dytë e aktivitetit kishte në fokus gjithashtu edhe një bashkëbisedim të nxënësve të shkollës austriake “Peter Mahringer” me ish të përndjekur politik, pas shfaqjes së dokumentarit “Kujtesa e një vendi që harroi të harronte”.

Historitë personale të rrëfyera nga ish të përndjekur politik janë “vendtakimi” i të rinjve me historinë e errët të diktaturës dhe ballafaqimi i tyre me vende të kujtesës në topografinë e persekutimit të madh komunist në qytetin e Shkodrës. Në këtë kuptim qëllimi i këtij aktiviteti ishte të shërbejë  për të folur e reflektuar mbi kohën dhe të vërtetat tona në një përballje me të shkuarën dhe dialog me të tashmen, përmes narrativash sa subjektive aq edhe objektive, sa fiktive aq edhe reale. Sepse letërsia është kujtesë e kujtesa është identitet.

Postime të ngjashme