Krimet e komunizmit, qeveria po zvarrit tekstet shkollore

pushkatimi

Nga Herion Mesi.

Raporti i ISKK: Nuk ka arkiv për emrat e të pushkatuarve 

Qeveria shqiptare nuk është aspak e angazhuar për zbatimin e marrëveshjes që ajo ka nënshkruar me Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në lidhje me përfshirjen në kurrikulat mësimore edhe lëndë që kanë të bëjnë me njohjen e nxënësve të shkollave dhe gjimnazeve me krimet e komunizmit, si dhe aspekte të përndjekjes e terrorit komunist mbi qytetarët shqiptarë. Denoncimi vjen nga vetë ISKK-ja, e cila, në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, pasqyron disa nga çështjet e veprimtarisë së këtij institucioni përgjatë vitit 2015.

E teksa nënvizon faktin se kjo marrëveshje e nënshkruar me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, ishte e para e këtij lloji, kreu i institutit, Agron Tufa, në raportin e tij, thekson se kjo marrëveshje nuk po funksionon, për mosangazhim të palës së MAS-it. “Në bashkëpunim me institucionet e rëndësishme shkencore, ISKK-ja ka arritur për herë të parë marrëveshjen më të rëndësishme me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve (MAS), duke nënshkruar një platformë të përbashkët për njohjen e nxënësve të shkollave dhe gjimnazeve me krimet e komunizmit, aspekte të përndjekjes dhe terrorit komunist mbi qytetarët shqiptarë, ku parashikohen një sërë veprimtarish të përbashkëta të koordinuara nga komisione dypalëshe (për pikat e kësaj marrëveshjeje të nënshkruar shih publikimin e marrëveshjes dypalëshe në sitin zyrtar të institutit). Marrëveshja e nënshkruar midis nesh dhe MAS-it, për fat të keq nuk është duke funksionuar, për mosangazhim të palës së MAS-it. Shpresojmë që ta zhbllokojmë në vijim ngërçin e parë”, thuhet në raport.

Pushkatimet pa gjyq

ISKK-ja thekson se tashmë e ka përfunduar punën hulumtuese në terren për të dhe ka evidentuar burgjet dhe kampet e punës së detyruar nëpër të gjithë territorin e Shqipërisë, për të bërë një hartë sa më të saktë, ku të përcaktohet “topografia e terrorit komunist”, sipas qyteteve dhe trevave të Shqipërisë. “Po kërkojmë rrugë e mundësi të pajisjes së këtyre vendeve të vuajtjes me tabela, memoriale e pllaka përkujtimore”, thuhet në raport.

Ndërkohë, ISKK-ja ngre shqetësimin e mosekzistencës së arkivave të të gjithë personave që janë pushkatuar pa gjyq, pasi, sipas këtij institucioni, janë me mijëra qytetarët e pushkatuar në kohën e komunizmit dhe që emrat e tyre nuk gjenden në asnjë arkiv të shtetit shqiptar. Për këtë arsye, në bashkëpunim me Institutin e Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, me Shoqatat e të Përndjekurve Politikë që operojnë në çdo qytet e trevë të Shqipërisë, ka nisur një projekt i regjistrimit të saktë të mijëra qytetarëve të pushkatuar pa gjyq në vitet 1944-1955, emrat e të cilëve nuk gjenden në asnjë arkiv. “Zbardhja e fatit tragjik të këtyre qytetarëve është një detyrë e domosdoshme e institutit tonë dhe një hulumtim i saktë mbi numrin e qytetarëve të pushkatuar për të dhënat e sakta të shifrës së tyre, çka nuk përputhet aspak me të dhënat e deritashme zyrtare”, thuhet në raport.

Problematikat

Në vijim, ISKK-ja bën me dije se ende vazhdon të vuajë probleme të trashëguara burokratike, ende të pazgjidhura, të cilat i janë relatuar edhe më parë ligjvënësit, por që akoma nuk kanë gjetur zgjidhje. Një çështje e tillë ka të bëjë me çështjen e ambienteve në godinën ku është ngritur instituti. Në raport, ISKK-ja thekson se i është kërkuar ndihmë edhe Ministrisë së Brendshme dhe sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, por përgjigjja e tyre për zgjidhjen e këtij ngërçi ka qenë refuzuese. “Vazhdon të mbetet e pazgjidhur kontradikta që ndeshëm që në fillim, e që vazhdon të mbetet e pazgjidhur çështja e ambienteve të institutit.

Mirëpo ambientet e dhëna ISKK-së me vendim të Kryeministrit më 2011-n, kanë qenë që në fillim e vazhdojnë të jenë të zëna në masën 40% nga subjekte private që refuzojnë të paraqesin dokumentacionin, përkatësisht nga kafe-bar-restorant në kushtet kur instituti ynë është në krizë për ambiente. Duke qenë se instituti ynë nuk ka tagrin shtrëngues e detyrues në zbatim të këtij ligji, ne i jemi drejtuar me shkresë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë për ta zgjidhur këtë ngërç. Përgjigjja e këtyre dy instancave mbi çështjen e ambienteve tona të zëna, ka ardhur refuzuese. Ne na duket se ky është anashkalim i problemit, sepse me natyrën e kësaj çështjeje duhet të merret Agjencia për Inventarizimin dhe Administrimin e Pronave të Paluajtshme të Shtetit, e cila në bazë të ligjit dhe kompetencave përkufizon pronën tonë në bazë të genplanit që shoqëron vendimin e Kryeministrit”, thuhet në raportin e ISKK-së.

Ndërkohë, instituti ngre shqetësimin e mungesës së stafit për të përballuar detyrat e ngarkuara. “Shqetësimi ynë i përsëritur dhe më i madh ka të bëjë me pamjaftueshmërinë e stafit për të përballuar detyrat, sidomos punën me mbledhjen, fotokopjimin, përpunimin, klasifikimin, aksesimin dhe shfrytëzimin e materialeve arkivore. Instituti ynë vazhdimisht ka kërkuar, së paku dhe pesë pozicione pune, për të përballuar nevojat e ngutshme të kërkimeve në arkiva dhe aktiviteteve shkencore. Nga pesë pozicionet e kërkuara edhe këtë vit, ndonëse u premtua në Komisionin e Ligjeve, asnjëri nuk u miratua”, thuhet në raport.

Burimi: http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/04/18/krimet-e-komunizmit-qeveria-po-zvarrit-tekstet-shkollore/

 

Postime të ngjashme