Qemal Vogli mes spiunëve dhe presioneve të Sigurimit të Shtetit

Qemal-Vogli-Shkrimi-2 copy

Përgatiti për IDMC: Erblin Vukaj

Qemal Vogli, “Macja e zezë” e portës së Dinamos së viteve ’50, mahniti sovjetikët dhe fitoi lavdet e legjendës Lev Jashin. Por historia e tij e suksesit, fatkeqësisht, qe e shkurtër. Për herë të parë kjo seri shkrimesh do e tregojë duke përcjellë edhe dokumente të Sigurimit të Shtetit.

Qemali u lind në lagjen Zguraj të Kavajës në një datë të diskutueshme mes 15 marsit dhe 29 shtatorit të vitit 1929–1930. Shqipëria asaj kohe qe nën mbretërimin e Ahmet Zogut.

Një certifikatë e vitit ‘75, e arkivuar nga Sigurimi, thotë se Qemali u lind më 15 mars 1929. Diku tjetër thuhet se datëlindja e tij është 29 shtatori 1929, ndërsa në hetuesi vetë Vogli shkruante se u lind në vitin 1930.

Deri në adoleshencë Vogli do të jetonte historinë më të vështirë të Shqipërisë. Periudha e mbretërisë u mbyll nga pushtimi fashist dhe nisja e Luftës së Dytë Botërore. Nazistët zunë vendin e fashistëve. Pas çlirimit, në Shqipëri u ngrit regjimi komunist i Enver Hoxhës. Ky regjim do ta cilësonte familjen Vogli me biografi të keqe për lidhje të dyshuara me Ballin Kombëtar, organizim që komunistët e lidhnin me nazistët.

Nxitur nga ky cilësim, në vitet e para pas çlirimit, regjimi do t’i burgoste Qemalit vëllezërit (Mahmut dhe Xheladin Vogli) duke e lënë vetëm me nënën, motrën, kunatën dhe dy fëmijët e njërit prej vëllezërve. Më parë i qe ndarë nga jeta babai, Bakiu, dhe vëllai i madh Myslimi.

Mirëpo Qemali çlirohej prej këtyre vështirësive vetëm nga futbolli.

Me lartësinë që kishte – rreth 1 metër e 90 centimetra – spikati që në vitin 1946 si portier i Besës së Kavajës. Dalloi megjithëse adoleshent. Talenti i hapi rrugë të kalonte te skuadra e Yllit të Kuq – sot Teuta – në Durrës. Atje ra më tepër në sy dhe fitoi vend në kombëtare, ku debutoi më 25 maj 1947 – Kupa e Ballkanit: Shqipëri 0–4 Rumani.

Në Durrës filloi punë ndihmës-saldator në port, vend në të cilin Sigurimi i Shtetit kishte plot spiunë, tre prej të cilëve do të raportonin me nofkat: Goma, Çapkëni dhe Jehona. Këta do ta spiunonin për çdo sjellje, pasi regjimi e cilësonte me njollë politike. Spiunimi do të ishte më i madh pasi Vogli debutoi me kombëtaren në vitin 1947.

Raportim i bashkëpunëtorit Goma, 10 tetor 1947, Vogli ishte 18 vjeç:

“Qemali kur la punën e kishte lënë aparatin e saldaturës së elektrikut me fije të takuara dhe aparatin e kishte lënë përsipër në kupertë të rimorkiatorit, kështu vuri në rrezik personelin dhe rimorkiatori të digjej, sepse nga vesa e natës ose nga të lagurit mund të ndizej dhe të merrte korent i gjithë rimorkiatori dhe të gjitha mjetet e lundrimit dhe kantierit.

Kur një marinar do të dilte përjashta në tokë pa se bënte masë duke e hedhur përpjetë korrenti dhe me të shpejtë doli jashtë dhe thirri punëtorët të cilët ishin në konferencë, menjëherë vijnë teknikët e elektrikut dhe stakojnë fijet e korentit. Në këtë mënyrë shpëtoi rimorkiatori bashkë me ekuipazhin që ishte brenda. Aparati doli jashtë përdorimit se u dogj, rimorkiatorit nuk u riparua dhe ekuipazhi i tij mbetën pa punë.

Qemali ka dhe dy vëllezër në burg njërin si armik populli dhe tjetrin se deshtë të arratisej në Itali. Ky shoqërohet më tepër me Z.R., O.M., I.D.”

Ky rast i raportuar nga bashkëpunëtorët e Sigurimit u bë problem për Voglin. Dokumente tregojnë se në këmbim të shfajësimit për dëmet e pakujdesisë në punë, Sigurimi e detyroi të bëhej informator.

Qemal-Vogli-Shkrimi-1

Mirëpo Vogli, të cilit regjimi i kishte burgosur vëllezërit, nuk bashkëpunoi.

Pjesë e raport-biografisë së mbajtur nga Kryetari i Degës III, H.Xh., 1955:

“…për të gjitha neglizhencat e dëmtimet del se (Vogli në vitin 1947) ishte për t’u arrestuar, por siç duket atëherë nuk është aprovuar nga Drejtoria, është thirrur nga organet e Sigurimit në kantier për ta këshilluar, ku në këtë kohë është rekrutuar B.P. informator.

Më 1950 është marrë si sportist shumë i mirë (portjer) i skuadrës Dinamo. Si lojtar është paraqitur shumë i mirë, është treguar i vullnetshëm dhe guximtar.

Njëkohësisht prej 1950 deri në 1954 ka qenë në lidhje si B.P. i organeve tona, por në këtë drejtim nuk ka dhënë asgjë, sepse nuk ka dashtur të bashkëpunojë…”

Në vitin 1950 regjimi i Hoxhës, pasi kishte lidhur marrëdhënie me sovjetikët, ngriti klubin e Dinamos, i projektuar sipas modelit rus të Dinamos së Moskës, që tutelohej nga Ministria e Brendshme. Vogli ishte 20 vjeç dhe u thirr te Dinamo nga trajneri Ludovik Jakova. Kështu Vogli u shpërngul në Tiranë. Shkëputja nga familja ishte e vështirë për të sepse nëna ishte pika e tij e dobët.

Në kryeqytet, klubi e sistemoi me punë në ofiçinën e Ministrisë së Brendshme kjo më tepër për ta pasur në vëzhgim pasi biografia dhe fakti se vëllezërit i kishte të dënuar nuk nxisnin besim.

Mirëpo sukseset me Dinamon i dhanë jashtëzakonisht popullaritet portierit kavajas. Për rreth 5 vite u vendosën rekorde dhe u fituan kampionate radhazi.

Me gjasa popullariteti bëri Sigurimin të mos vepronte kur raportime nisën të vinin se në daljet jashtë shtetit Vogli po kryente kontrabandë, veprim që ç’është e vërteta kryhej nga shumica e futbollistëve të Dinamos.

S.P. e cila kishte dëgjuar prej K.H. (shoqja e P.H. muzikant në bandën ushtarake) se sportisti Qemal Vogli i cili banon afër shtëpisë së K.H., kur është kthyer një herë nga turneu që skuadra jonë kombëtare ka bërë jashtë shtetit, ka sjellë kondrabandë një sasi të konsiderueshme gjilpëra makinash qepëse, gurë çakmaku etj, të cilët i kishte futur në tri komardare biçiklete, këto i shiti dhe fitoi nga kjo kontrabandë rreth 300 mijë lekë.”

B.P. Bjeshkore, 10 prill 1954

“…më ka thënë se edhe disa rroba që ka dhe plaçka në shtëpi i ka bërë herën e fundit kur doli jashtë shtetit me disa kondrabanda si një sahat dore dhe një kuvertë që kishte marrë me vete dhe kishte fituar gati 40 000 lekë.”

B.P. Biblioteka e Pogradecit, 8 qershor 1955

Bashkëpunëtori me nofkën Biblioteka e Pogradecit ishte një ish-i burgosur për vjedhje, i cili qe punësuar në ofiçinën e Ministrisë së Brendshme në vitin 1950. Aty qe miqësuar me Qemalin dhe raportonte për Sigurimin çdo gjë deri dhe marrëdhëniet e trazuara familjare.

Në disa nga raportimet në qershor 1955, Sigurimi i merr informacion se Vogli po mendonte edhe për t’u arratisur.

“…Qemali më tha: Unë dua vrarë, se në 1950 kur na linin të lirë unë isha edhe beqar, nënën nuk e kasha unë, nuk e vendosa, bile kur erdha këtu vëllai më tha pse e prure kokën.”

B.P. Biblioteka e Pogradecit, 21 qershor 1955

Sigurimi udhëzon “Bibliotekën e Pogradecit” që ta ngacmojë më tepër.

“Në takimin që do të bëni, mos jep prapë shkak të hapjes prej teje të bisedimit për arratisje. Mundohu që bisedimi i tillë të hapet prej Qemalit. Ti qëndro i mërzitur duke lidhur me trajtimin e keq që të është bërë gjoja, pastaj shfaqi dyshimin se edhe në punë nuk po më marrin. Në rast se ai fillon bisedimin për arratisje, mundohu t’i marrësh sa më shumë hollësira se si mundohet ta organizojë, a ka shokë të tjerë, po me kujdes që të mos i lësh dyshime.”

Detyra të ngarkuara për B.P. Biblioteka e Pogradecit nga Kapiteni Parë H.H., 21 qershor 1955

Qemal Vogli arratiset një vit pas këtyre raportimeve, më 3 shtator 1956. Vazhdimi i historisë do të jetë në shkrimin tjetër.

Postime të ngjashme