1990 / Vrasja e 17-vjeçarit Pëllumb Pëllumbi në kufi

pellumb pellumbi

Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 17 qershor 18

Një prej vrasjeve në kufi gjatë vitit 1990, që i takon moshave të reja, është edhe ajo e Pëllumb Pëllumbit nga Shkodra. Më 14.6.1990, në përpjekje për të kaluar kufirin në Postën Kufitare të Hotit në Shkodër, 17 vjeçarët Marjan Zef Ndoja dhe Pëllumb Nikoll Pëllumbi, ranë në përpjekje me njësitin kufitar. Pëllumb Pëllumbi u vra. Sipas njoftimit të Hetuesisë së Përgjithshme, vrasja ka ndodhur në këto rrethana:

“Në fshatin Hot … rreth orës 23.00 i … afrohen pengesës elektrosinjalizuese. Këtu gërmojnë dheun për të hapur një gropë nga ku do të bënin kalimin. Në moment ata kanë parë njësitin kufitar dhe janë fshehur. Njësiti duke kaluar afër vendit ka konstatuar gropën që po bënin dy personat e sipërpërmendur dhe menjëherë kanë dhënë alarm. Duke dashur të shikojnë më mirë ushtarët se ku ndodheshin Pëllumb Pëllumbi ngrihet pak nga vendi ku ishte fshehur por rrëshqet dhe bie në një kanal ujitës ku e merr rreth 10 m rrjedha e ujit. Në kohën që kapet anës kanalit për të dalë atje ndodhej njeri prej ushtarëve të postës që ishte vënë në kërkim i cili qëlloi në drejtim të Pëllumbi duke e vrarë në vend. Brenda orës u kap i gjallë edhe Marjan Ndoja i cili është i arrestuar”.

Si rrallëherë, kufoma e të ndjerit iu dha familjes. Në ceremoninë e varrimit në Shkodër u organizua një protestë e fuqishme, në të cilën u hodhën parullat:

“Poshtë komunizmi”, “Poshtë socializmi”. Në rrugën përpara spitalit dikush thërriti “Poshtë Ramiz Alia”, “Poshtë Partia”, “Poshtë Nexhmije Hoxha”, “Kjo parti është gjakpirëse”, “Shikoni ç’po bën Ramiz Alia duke vrarë njerëz përditë, poshtë partia, poshtë Ramiz Alia”.

Për këtë arsye, ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, në shënimin e ngjarjes shkruan: “Kufomat të mos jepen”.

Postime të ngjashme