Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 13 shkurt 19
Bazuar në direktivat për veprimet e organeve të MPB-së në kohë lufte, ministri i Punëve të Brendshme, nxori urdhra e udhëzime për personat që duhej të bënin pjesë në listat nr.1, nr.2 dhe nr.3. Referuar urdhrit nr.01-699, datë 14.7.1972 dhe atij nr.120, datë 8.5.1980 “Për kuptimin, kategorizimin dhe evidencimin e elementit armik me rrezikshmëri të theksuar shoqërore për kohë lufte”, përcaktoheshin këto parime:
- “Elementë armiq me rrezikshmëri të theksuar shoqërore” konsideroheshin ata persona që në të kaluarën dhe atë çast zhvillonin “veprimtari të mprehtë armiqësore”, si dhe pjesëtarët e familjeve të tyre, për të cilët gjykohej se në një situatë të jashtëzakonshme paraqisnin rrezikshmëri aktivizimi.
- “Veprimtari e mprehtë armiqësore” konsiderohej: spiunazhi, terrori, diversioni, pjesëmarrja në organizata kriminale, grupe antiparti, komplote, puç ushtarak, etj. Studimi i “përcaktimit të elementit armik me rrezikshmëri të theksuar shoqërore”, konsiderohej “veprim me karakter të thellë politik” në zbatim të vijës së PPSH-së. Studimi dhe kategorizimi bëhej nga kryetari, zëvendëskryetari, shefi i sektorit të përgjithshëm, shefi i seksionit të sigurimit dhe punëtori operativ. Në fund i jepeshin për mendim sekretarit të parë të Komitetit të PPSH-së së Rrethit.
Evidencimi në lista bëhej në dy ekzemplarë dhe dërgohej në Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit, e cila përgatiste praktikën për miratim nga ministri. Pas miratimit, një ekzemplar i dërgohej degës së punëve të brendshme, ndërsa tjetrin e mbante drejtoria në fjalë. Lista punohej në vazhdimësi, bëheshin shtesa ose hiqeshin emra, sipas së njëjtës procedurë. Kategorizimi i listave nr.1 e nr.2 në kampe e burgje, bëhej nga kryetari, zëvendëskryetar i degës së punëve të brendshme dhe operativi i vendit ku buhej dënimi.
Lista nr.1 përbëhej nga:
- Elementë të deklasuar, ish çifligarë, bejlerë, agallarë, bajraktarë, tregtarë të mëdhenj, pronarë fabrikash, etj.
- Oficerë të lartë të kohës së Zogut dhe të luftës.
- Kuadro të shërbimeve sekrete.
- Agjentët e kohës së luftës.
- Drejtues të organizatave të Ballit Kombëtar, Legalitetit, Socialdemokrate (Musine Kokalari), “grupit të deputetëve”, “grupit tekniko-intelektual”, “bashkimit shqiptar”, “komitetit të maleve”, “frontit të rezistencës”, “silogut vorio-epirot”, si dhe pjesëtarët të familjeve të tyre.
- Kuadro të zbulimeve të huaja.
- Të riatdhesuarit që kishin kaluar në kurse e shkolla zbulimi.
- Agjentë të zbulimeve amerikane, sovjetike, angleze, italiane, greke, jugosllave, etj.
- Elementi antiparti dhe pjesëtarët të familjeve të tyre (p.sh. Liri Belishova, Pandi Kristo, Koço Tashko, Todi Lubonja, etj)
- “Elementi armik” në përpunim për veprimtari të mprehtë armiqësore për spiunazh, terror, diversion, organizim, etj, kur kjo dilte e provuar.
- Të dënuarit politikë me rrezikshmëri të theksuar.
(Nga grupet e sipërme, përjashtoheshin ata që kishin ndihmuar luftën ose ndenjur indiferent gjatë saj por mbanin qëndrim të mirë pas lufte)
Lista nr.2 përbëhej nga:
- Pjesëtarë të familjeve që “kanë tradhtuar atdheun” dhe shërbenin si kuadro aktive të zbulimeve armike.
- Familjarë të të arratisurve që kishin vepruar si “diversantë”.
- Elementë që kishin strehuar e ndihmuar “diversantë”.
- Të gjithë të dënuarit për krime kundër shtetit e pa aktivitet armiqësor.
- Familjarë të personave të pushkatuar për arsye politike.
- Të dënuarit për krime kundër shtetit, por edhe të tjera të një shkalle më të vogël.
Lista nr.3 përbëhej nga:
- Të dënuar që nuk përfshiheshin në listat nr.1 e nr.2
Për të maskuar korrespodencën, lista nr.1 quhej “C”, lista nr.2 quhej “D”. Për “elementin armik në kampe e burgje për listat 1, 2, 3 përdorej maskimi “DH”, “E”, “F”.













