At Paulin Margjokaj: “Kush janë anmiqt e Shqipnisë”

Në vitin 1960 historiani i njohur françeskan At Paulin Margjokaj, botoi në Vjenë librin ‘Kush janë anmiqt e Shqipnisë’, si një polemikë me Xhelal staraveckën, një libër i bazuar mbi dëshmi e kujtime personale të Át Paulinit, e mbi burime bibliografike shumë interesante.

Në të trajtohen çështjet më delikate të historisë së vendit tonë në periudhën pas 1912-ës e deri në vitin 1944, sidomos, marrëdhëniet politike të Klerit me Zogun dhe konflikti ndërmjet dergatës shkodrane, të kryesuar prej Át Anton Harapit, e autoriteteve fashiste në Tiranë.

Një vëmendje e posaçme i kushtohet edhe vendosjes së komunizmit në Shqipëri e masakrimit makabër të Klerit katolik, me urdhër të jugosllavëve. Libri u botua në vitin 2012 nga botimet françeskane si një përgjigje ndaj librit të Xhelal Staraveckës botuar po atë vit me titullin “Përpara gjyqit të historisë”. Në një shkrim prezantues mbi librin e At Paulin Margjokajt menjëherë pas ribotimti të librit, studiuesi At Viktor Demaj shkruante: “Kush janë anmiqt e Shqipnisë” sjell fakte, dokumente, dëshmi, kujtime, dhe ndan në njërën anë Xhelalin, Enver Hoxhën e Mehmet Shehun me shokë, të djeshëm e të sotem, si anmiq të Shqipnisë, e, në anën tjeter, patriotët, të krishtenë e muhamedanë, të gjithë bashkë, si idealista, që nuk e tradhtuen as nuk e shiten kurrë Shqipninë, sikurse vepruen komunistat: Xhelali me shokë, të djeshëm e të sotem…”.

Frati historian analizon në librin e tij edhe shkaqet e ardhjes në pushtet të diktaturës komuniste, flet per krimet e Hoxhës e të Shehut e arsyet që çuen në shfarosjen me dhunë të intelektualvet shqiptarë. Libri i botuar rreth 5 vjet më parë tërhoqi vëmendjen e shumë lexuesve e studiuesve, sidomos për forcën e analizës dhe prezantimit të argumenteve historike. Nga ky libër sjellim sot një pjesë të tij ku flet për krimet e komunistëve dhë dëmin e pashlyeshëm që ata shkaktuan me shkatërrimin e klasës intelektuale.

Pjesë nga libri “Kush janë anmiqt e Shqipnisë” «Deshtem me i kujtue beg Staraveskes se peshkopi ortodoks Fan Noli, mik i perzemert i Luigj Gurakuqit, punote krejt mbas të njajtit program sikurse Kleri katolik. E Fan Nol e Luigj Gurakuq e Mustafa Krujë e Luigj Bumç me tanë Klerin katolik dhe të gjith patriott e nji mendtë u gjeten në të njajtin front; ky front pershite të tanë ata qi dojshin nji Shqipni shqiptare; në frontin perkundra ishin ata qi nga Shqipnija dojshin me ba nji Turki të dytë ase kush e din se shka edhe ma të zezë, si din Zoti edhe sot po dihasin Xhelal Staraveska e shokët» «Sigurisht në Shqipni tashma e dijnë – natyrisht Kuminstat e orës së parë as nuk duen me e dijtë! – se Serbt e Belgradit kjenë ata qi dhanë urdhnin Komunistavet shqiptarë qi të shfarosej pa fe meshiret Elita patriotike shqiptare. Çuditemi jashtzakonisht si nuk e kanë kuptue ket gja Straravecka e shokë.

Teper e madhe asht mnija qi ushqejnë kundra krisjanvet qi mos me e pa ket gja, tash mbas 15 vjetësh. Por Straveckat e Shuterićat e shokë të tyne as nuk duen ta shofin ket gja. Qysh me luften ballkanike, e edhe perpara që me kongresin e Berlinit, nacjonalistat shqiptarë ishin në luften ma mizore sidomos kundra nacjonalizmit serb. Me fitoren qi paten aleatt ballkanikë (Serbi, Greqi, Bullgari e Mal i Zi) kundra Turkisë në vj. 1912/13, edhe Shqipnija, si pjesë e Turkisë, kje shenjue të mbarote. Rusija ishte per coptimin e tokës shqiptare mes ballkanasvet. Serbët, miqt e mdhaj të Rusvet atëherë sikurse edhe tash (edhe në vj. 1959, megjithëse rrinë tue u sha pada njeni me tjetrin), do të delshin n’Adriatik per t’u a ba ket vend gati Rusvet.

Kje Austro-Ugerija ajo qi u a hoq doret Shqipninë Serbvet (e Rusvet), qi ishin kenë kapë deri ne Durrës. Dhe dihet qi, për t’i pshtue Shkodrën Shqipnisë, Austro Ungerija kje kah i a nisë luftës. Shqipnija u ba si u ba: e kreskueme gjymtyrësh në të tana anët. Shkodra e kangvet serbe u duel Serbvet (e Rusvet) doret per sherr t’Austrisë. Kjo si mprojtse e vjeter e Katolikëvet shqiptarë (qysh me pagjen e Karloëtzit 1699), nuk mujtte me i lanë Katolikët shqiptarë nder duer të Serbvet (të Rusvet). Katolikët vetë, si e pamë sypri dy herësh, (shif fq. 29 e 34), dojshin ma mirë me ndejë në nji Shqipni me shumicë musulmane se sa me kalue nder duer të Serbvet (të Rusvet).

Kta e dijnë mirë se Kleri Katolik kje pengimi ma i madhi kundra shtymjes se tyne në bregdetin shqiptar. Dhe pa dyshim, të gjithë patriott e njimendtë shqiptarë, si Musulman si Ortodokës, ishin krejt nji mendje e nji zemre me Katolikët kundra Serbvet. E dijnë se si u suell fati i Shqipnisë ma vonë. I pamë vshtirësitë e mdhaja qi pat për të kapercye Shqipnija nder vjetët mbas luftës së parë botnore. Mjaft paten kenë mundue Serbt nder vjetët 1919/21 të shtijnë në dorë nemos Shqipninë e veriut deri ne Dri ase në Mat, por nuk u duel. Së mbrami u erdh dita Serbvet në vj. 1944. Mbas dishirit të Rusvet Shqipnija u ba kashata e Belgradit.

A tash a kurr do të merreshin gjaqet e vjetra! Njeket kalanë e fortë të patriotizmit katolik të Shkodres e kishin tash Serbt në dorë e ata tash po dijnë se si me e shkallmue që në themel! Kurr e per ket jetë s’do të lejojshin Serbt qi të formohet edhe njiherë tjetër kjo elitë patriotësh qi duel nga institutet katolike të Shkodrës. Të gjithë Tiranast, por edhe shumë të tjerë jashtë Tirane, i dijnë ato fjalët qi i pat thanë Enver Hoxhës përfaqsuesi i Beogradit shi dy dit mbasi kje mbytë Anton Harapi në Tiranë. Në ket ditë të zymtë të Frorit 1946 po duket perfaqësuesi i Titos te Enver Hoxha: Ky tanë shend e verë i lavdohet përfaqsuesit të Titos dhe i thotë: “E mbyta Pater Anton Harapin”. Xavendsi i Titos po i a kthen mejherë Enverit: “Kjo s’asht kurrgja; kam urdhnin prej qeverisë sime qi të likvidoni krejtisht qandrren e Klerit Katolik të Shkodres, pse aty ka edhe të tjerë Pater Antona. Aty ke p. sh. Pater Gjon Shllakun, i cili i vien dhetë Pater Antona”.

Kto fjalët e ambasadorit jugosllav, i cili pa dyshim pat shtue edhe fjalë tjera qi na i njofim, pse i kemi ndie shpesh herë tue i përseritë si te Komunistat, si dhe tash te e vona te Staravescka e shokë të tij. Nder kater vjetët 1944-48 qi e paten Serbët Shqipninë në dorë, e dijmë se si u krye vepra dermuese me furinë ma të madhen qi mund të mendohet. Shkollat, teatrat, bibliotekat, shtypshkrojat dhe gjithëshka tjeter kishin vu mbë kambë Katolikët me nji punë 100 vjeçare u dermuen mbrenda pak kohet. Dhe Elita ma e shqueme e katolicizmit u shfaros krejt. Nder kater ipezhkvijtë katolikë qi ishin aso kohe, tre mbaruen nder torturat ma satanike.

Të katërtin e lanë gjallë, pse tue kenë teper plak, e dijshin se do desë vedit sa ma shpejt. Shtatë shkrimtarët ma të mdhajt qi pat katoliçizmi shqiptar, u mbyten pa dhimë. Të gjitha kto mizori e tjera sa uji në tjerë meshtarë e njerz t’elitës shqiptare u kryen të tana nder vjetët qi Belgradi sundote në Shqipni. Gjithëshkfja asht krye ktu si mbas nji pjani të bamë prej Serbvet në Belgrad e nuk ka ndodhë asgja per caso. Të shatë shkrimtarët do të zhduken, pse Belgradi don doemos me e zhdukë eliten e popullit shqiptar. Kta ma të mirët shkrimtar ase poetë të katoloçizmit shqiptar kjenë: frati Vinçenc Prendushi, (Arqipeshkev i Durrësit e i Tiranës), prifti Ndré Zadej, frati Bernardin Palaj, prifti Nikollë Gazulli, frati Anton Harapi, prifti Lazer Shantoja dhe frati Gjon Shllaku.

Të gjith kta, plot shtatë vetë, u torturohen me metodat ma fundiferrjane (ç’njerëzore). Posë ktyne shtatve, tjerë shkrimtar u burgosen: Jezuitt Mark Harapi e Gjon Karma, prifti 80 vjeçar Ndoc Nikaj, fretent Donat Kurti (mbledhsi e ma puntori i folklorit shqiptar) e Viktor Volaj (botues e komentues i zellshem i disa vepravet të Fishtës). Bashkë me kta të Klerit kjenë tjerë shkrimtarë nga të gjitha krahinat e besimet e shqipnisë qi Serbt kishin interesen ma te madhen me i zhdukë. Ky ishte kenë pa dyshim nder sy të Serbvet pengimi ma i fort kundra imperializmit serb n’Adriatik, prandej do t’u shfaroste pa meshirë sistematikisht dhe të tana institutet e tyne do t’u shkatrrojshin, qi mos të mujtte ma kurr me u formue prap nji e tillë elitë shqiptare.

Vjen e natyrshme qi ata (Serbët) të zhdukin nacjonalistat shqiptarë; vjen vetit qi ata do të shfarosin Katolicizmin e Gegninë. Por nuk asht aspak e natyrshme, perkundra asht monstruoziteti ma i çuditshmi dhe tragjikomedija ma e tmerrshmja qi asht vertetue ndonjiherë ndër kavaljetet mjaft të zorshme të historisë shqiptare, qi gjithshkafja u krye me duer shqiptare. Ndresa xhelatat shqiptarë kryejshin xhelatitë ma stanike mbi vllazen shqiptarë, Serbet ferkojshin duert plot gzim, pse për here mund të thojshin se ata s’kanë ba kurrnji mizori kundra shqiptarëvet. Serbët e persrisin edhe tash e thonë se kurr nuk ka dalë në shesh ma fort shpirti gjaksuer i racës shqiptare se nen ket regjmin Hoxha-Shehu.

Vetëm kanibalt e kohës s’Ali Pashës, me ket Perbindësh ne krye të tyne, ndoshta munden disi me u ndejë afer Kanibalvet të kohës Hoxha-Shehu. (Át Paulin Margjokaj, Kush janë anmiqt e Shqipnisë, bot. 2, Botime Françeskane, Shkodër, 2012, fq. 75-78). Na deshtem vetem t’çekim xhelatitë e Shqiptarvet kundra Shqiptarvet edhe sidomos deshtem t’u a kujtojmë Xhelalit e shokvet se me Xhelatitë qi njerzt e Hoxhës e të Shehut që përderen kundra Shqiptarvet, I banë sherbimin ma të madhin Belgradit, i cili i pau të zhdukun të tanë anmiqt e vet ma të fuqishem shi me duert e vetë Shqiptarvet. Kur nuk asht paraqitë nji rasë kaq bukur per Serb qi me e zhdukë eliten shqiptare me duer të vetë Shqiptarvet. Nder vjetët 1944/48 u persrit n’eliten shqiptare ata shka Rust paten ba me eliten polake në Katyn.

Ktu u shfaros nga Rust krej çeta intelektuale e Polonisë. Në Shqipni u shfaros çeta intelektuale me urdhen të Belgradit, por me duerët e vetë Shqiptarvet komunista. Komunistat serbë nuk harruen se janë Serbë, e punuen per interesen kombtare të tyne. Mjesa Komunistat shqiptarë punuen vetëm per interesat kombtare serbe, per Shqipni nuk dojshin me dijtë gja. Tashma poi dajmë krejt çiltas dy frontet: në njanin front po jemi na Katolikët me Vatikanin mbas nesh si pshetja ma e sigurta e popullit shqiptar, dhe me ne të gjith patriott ma të shquem nga Musulmanizmi dhe nga Ortodoksija shqiptare; n’anen e perkundert kemi Xhelal Staravesken me shokë të mergatës, Kuminstat e Hoxhës e të Shehut si anmiq ma mizor të kombit shqiptar». (Át Paulin Margjokaj, Kush janë anmiqt e Shqipnisë, bot. 2të, Botime Françeskane, Shkodër, 2012, fq. 79).

«Na e dijmë se shi kta dy popujt serb e grek u diftuen anmiqt ma të mdhajt të kombit shqiptar. Dhe ishte vetë gjendja katastrofale e kombit shqiptar, qi u a bate miqvet tanë krejt të lehtë luften dermuese kundra Shqiptarvet. Sepse, në ket kohë kishte po nji komb shqiptar me gjak e me gjuhë, por me ndiesi e me zemer e mendesi kush ishte aso kohe shqiptar? Tri të katërta të Shqiptarvet kishin religjonin e Turqvet okupuesa: ishin prandej Turq me ndiesi e me krejt jeten e mendesinë e tyne, prandej as kurrkund nuk u shkote mendja me u mbajtë për shqiptar. E katërta tjeter qi kishte qindrue besnike e religjionit qi zotnoi në Shqipni për nemose 1600 vjet rresht, nuk mujtte mos ta ndjehë per Turki nji vend të zaptuem nga Turqit.

Ky mos-perkim ase kjo perçarje ndiesish në zemren e Shqiptarvet nuk do t’ishte formue në nji komb, po ta kishte ruejt besimin qi e pat per zemer per ma se 1600 vjet» (Át Paulin Margjokaj, Kush janë anmiqt e Shqipnisë, bot. 2, Botime Françeskane, Shkodër, 2012, fq. 111-112).

Burimi: http://shqiptarja.com/dossier/2711/at-paulin-margjokaj-si-e-shfarosi-enveri-elit-n-intelektuale-shqiptare-434235.html

Postime të ngjashme