Ramiz Aliaj: Demokratizimi të jetë iniciativë e jona

Një dokument sekret, jep detaje shumë të rëndësishme të një mbledhje të Byrosë Politike kur po projektohej dhjetori i vitit 1990, koha kur u shpall pluralizimi në Shqipëri. Ka detaje me shumë rëndësi të skenarit të komunistëve për të drejtuar çdo lëvizje të ndryshimeve politike që do të vinin në Shqipëri. Dokumenti vërteton se vetë komunistët ishin dorëzuar dhe po pranonin rënien e tyre por duke u kujdesur në çdo detaj që pushteti të mbetej në duart e tyre. Demokratizimi i partisë ishte teza që qarkullonte aso kohe nëpër korridoret e podiumet e PPSH-së.

Byroja politike do t’i linte vendin të rinjve të cilët më pas do të ndaheshin nëpër partitë politike për të vazhduar drejtimin e Shqipërisë edhe sot. Ndoshta marrëveshja e Katovicës nuk ka ekzistuar kurrë, por në të vërtetë filozofia e saj është zbatuar më mirë se kudo tjetër në Shqipëri. Është trashëgimi i pushtetit nga bijtë e komunistëve, të ndarë në të gjitha partitë që u themeluan pas pluralizmit të shpallur më 12 dhjetor 1990.

Ndiqeni materialin e marrë në Arkivën e Shtetit, i klasifikuar si sekret.

Sekret

MBLEDHJE E SHOKËVE SEKRETARË TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË 15.10.1990

(Në këtë mbledhje u diskutua për tendencat që vihen re lidhur me masat që janë marrë për demokratizimin e mëtejshëm të jetës së vendit dhe punën që duhet bërë me njerëzit për shpjegimin dhe sqarimin e tyre)

SHOKU RAMIZ ALIA: Lidhur me masat që janë marrë për demokratizimin e mëtejshëm të jetës së vendit vihen re dy tendenca:

Tendenca e parë është e krahut liberal, i cili, nisur nga qëllime të caktuara, këto masa i quan ndryshime “kozmetike” dhe kërkon t’i sabotojë. Liberalët synojnë ta largojnë Partinë nga pushteti popullor, nga socializmi, nga mbrojtja e lirisë dhe e pavarësisë së atdheut, prandaj edhe nuk janë dakord që demokratizimin e vendit ta udhëheqë Partia. Krahu liberal kërkon të mos ecim në rrugën që ka përcaktuar Partia, por në rrugën që dëshiron reaksioni, e cila do të ishte me pasoja tepër të rrezikshme për fatet e vendit tonë.

Tendenca e dytë është e krahut konservator, që e quan veten “parimor”, i cili të gjitha masat që ka marrë e po merr Partia në fushën e ekonomisë, në atë të marrëdhënieve shoqërore, në politikën e jashtme e të tjera, i konsideron si largime nga vija jonë, madje si afirmim i veprimtarisë së grupeve të ndryshme armiqësore. Sipas tyre, masat që po marrim në fushën ekonomike “janë të ngjashme me ato që kërkonte të merrnin Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, në fushën e artit e të kulturës po bëjmë atë që donte të bënte Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, kurse në politikën e jashtme po lëshojmë etj.”….

Këta njerëz, natyrisht, nuk dalin hapur, por kapin këtë pozicion. Për mendimin tim, kjo është tepër e rrezikshme, sepse duke qenë në këtë pozicion dhe kuadro të Partisë, kanë ndikuar dhe ndikojnë në neutralizimin e të gjitha punëve. Ata jo vetëm që vetë nuk janë aktivë për zbatimin e këtyre masave, por duke qëndruar në pozicion neutral, pengojnë që të mos jetë aktive dhe Partia.

Nisur nga kjo situatë, është e domosdoshme të bëhet e qartë: Së pari, se me këtë rrugë që po ndjek Partia asnjë lëshim nuk po i bëjmë reaksionit, si në politikën e brendshme, ashtu dhe në politikën e jashtme.

Së dyti, masat që kemi marrë e po marrim në kuadrin e demokratizimit të mëtejshëm të Partisë e të gjithë jetës së vendit nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë gjë të përbashkët me qëllimet e armiqve të Partisë, të Fadil Paçramit e Todi Lubonjës në fushën e kulturës, të Abdyl Këllezit e Koço Theodhosit në fushën e ekonomisë, të Mehmet Shehut në fushën e politikës, në qoftë se kishte një politikë të caktuar.

SHOKU FOTO ÇAMI: Deri te ngjarjet e ambasadave dhe të Kavajës ka njerëz që i interpretojnë sikur janë pasoja të vijës së Partisë, që u lamë shteg, nuk i parandaluam, dhe jo të veprimtarisë së armikut.

SHOKU XHELIL GJONI: Madje dhe qytetari, fëmija e të cilit u fut në ambasadë, ankohet: “Pse e latë ambasadën hapur që më iku djali?”. Sikur e keni ne detyrë të ruajmë fëmijën e tij se ku shkon.

SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj duhet organizuar puna, duke shkuar dhe ju vetë në bazë një çikë më shumë, për të marrë kontakte me masën, me sekretarë partie, me komunistë, se kam përshtypjen që jemi pak larg masave dhe mbajmë më shumë kontakte me zyrtarë. Nga ana tjetër, mund të organizojmë grupe me njerëz nga Partia e pushteti, që kanë bindje të plota për këto masa që po marrim, e t’i dërgojmë në rrethe. Ndoshta nuk mund t’i përballojmë të tëra rrethet përnjëherë me grupe të tilla me rreth 10 veta, por mund t’i dërgojmë në fillim në disa rrethe që kanë një situatë më të dobët, si për shembull, në Mat, ku të ndihmojnë Komitetin e Partisë dhe Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, të marrin kontakte me masat, me sekretarë të Partisë, drejtorë ndërmarrjesh, kryetarë të kooperativave bujqësore, të venë në disa kooperativa që kanë probleme, me qëllim që të merren masa për ta shëndoshur gjendjen…..

SHOKU RAMIZ ALIA: Shkolla e Lartë e Partisë këtë vit mund të mos pranonte fare të rinj, por çdo dy javë të shkonin atje nga 100 veta, sekretarë të Partisë, kuadro etj., dhe të zhvilloheshin me ta biseda e leksione për sqarimin e problemeve të mekanizmit ekonomik e të tjera që kanë dalë. Mund të venim edhe ne të zhvillonim biseda t’u shpjegonim atyre rreth këtyre problemeve. Kjo do të ishte puna më e dobishme që mund të bënte ajo aktualisht.

Në këto kushte lufta jonë nuk është e lehtë, por shumë e vështirë, ajo kërkon një mobilizim të madh të Partisë e të masave për t’ia dalë në krye, duke ruajtur pozitat e PartisëNdryshe rreziku do të na qëndrojë mbi kokë si shpata e Damokleut, sepse askush në botë nuk do që këtë proces të demokratizimit në vendin tonë ta udhëheqë Partia. Reaksioni kërkon likuidimin e komunizmit, të Partisë, të pushtetit popullor. Dhe është për të ardhur keq që disa nuk po e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë këtë.

Iniciativën duhet ta kemi ne në dorë. Por atë nuk mund ta mbajmë, në qoftë se nuk kemi mbështetjen e popullit, në qoftë se masat e gjera punonjëse nuk i kuptojnë këto gjëra dhe nuk janë të bashkuar me ne. Këtë duhet ta kemi të qartë.

Dy muaj më pas, nën kujdesin e PPSH-së u shpall pluralizmi…

 

Burimi: http://hithra.al/2017/04/18/dokumenti-sekret-kur-byroja-politike-vendosi-shpalljen-e-demokracise-ramiz-alia-iniciativen-duhet-ta-kemi-ne-ne-dore/

Postime të ngjashme