Dëshmi rrënqethëse: tortura mesjetare ndaj të burgosurve gjatë komunizmit

Nga dëshmia e të burgosurit politik Naum Bezhani.

Unë i nënshkruari Naum Bezhani, deklaroj sa më poshtë:
Po rreshtoj më poshtë tortura të ndryshme që u janë bërë të burgosurve, sidomos gjatë viteve 1947-1948. Për të gjitha këto, Koçi Xoxe, Vaskë Koleci dhe të tjerë kanë pasur dijeni dhe s’kanë marrë asnjëherë ndonjë masë kundër tyre që i bënin, madje këta vetë na inspironin dhe na mësonin kështu, megjithëse në dukje tregoheshin disa herë kundër.

Janë përdorur këto forma torturash:
1. Jeleku (tortura më e tmerrshme).
2. Kamxhiku dhe druri.
3. Të lënët pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe në këmbë me ditë të tëra.

4. Korrenti elektrik sa i binte tjetrit të fiktë.
5. Hedhja në qafë e zinxhirëve me peshë të rëndë.
6. Lidhja me duar nga pas në dritare ose në ndonjë dru, varur gjersa t’i preknin majat e gishtërinjve.

7. Thyerje e kockave dhe ndukja e mishit me darë (kjo u përdor pas dënimit me vdekje të Shefqet Bejës dhe kundër tyre).
8. Kripë në gojë
9. Shpiheshin gjoja sikur do të ekzekutoheshin ose do të vareshin dhe shtihesh në ajër ose shpiheshin afër litarit.

10. Tortura morale në lidhje me familjen. Do të ta burgosim, do të t’i vrasim bile në Shkodër. Për të thyer rezistencën e Dulo Kalit e shpunë në një dhomë ngjitur me dy të burgosura vajza dhe dy të burgosur burra. Ata bënë gjoja sikur ato ishin vajzat e tij dhe i kishin prurë aty t’i çnderonin.

11. Futja kokëposhtë në vozë plot me ujë.
12. Një herë Myftar Tarja i futi një Toptanit nevojë në gojë dhe çorape të palara.
13. Djegie e mishit me cigare.

Dëshmitari Shaban Zereci, vjeç 45, nëpunës, banues në Tiranë, u betua rregullisht, u pyet e tha: Kam qenë partizan qysh prej vitit 1942, kryetar çete, komandant batalioni dhe kam pasur gradën kapiten. U arrestova më 14.VI.1947. Më kanë mbajtur 16 ditë varur prej këmbe. Pastaj më kanë torturuar me sistemin e jelekut, më kanë vënë kripë në gojë, më kanë vënë me nder mut në gojë dhe mbasi unë nuk hapja gojën më kanë thyer këmbët me dru, deri sa u detyrova ta hap. Nuk e mora vesh asnjëherë pse u arrestova.

I pandehuri Vango tha: Në hetuesi qe metodë pune tortura. Janë praktikuar lloje të ndryshme torturash, si p.sh. qëllesa me pëllëmbë, lënia pa bukë për ditë të tëra, lidhur duar e këmbë me hekura të rënda, jeleku, ujë të ftohtë me litar të lagur, kokën në kovë. Këto metoda bisedoheshin dhe janë ngritur edhe në mbledhje dhe torturat kanë ardhur duke u perfeksionuar.

(Gjendet në dosjen e gjyqit ndaj Koçi Xoxes. Arkivi i Ministrisë së Brendshme) 

Postime të ngjashme